Laçi u bëhet makth kuqebluve të Vatës, Vllaznia akuzon kryesorin Kridens Meta

Panorama Sport | Gazeta me e shitur sportive ne vend

Postuar: Mars 15, 2012 | 11:17

Laçi u bëhet makth kuqebluve të Vatës, Vllaznia akuzon kryesorin Kridens Meta

LAÇI  – VLLAZNIA   1 – 0
GOLI: Vucaj 44′ (p)
LAÇI: Vashaku, Doku, Xhafa (Rexha 46′), Buljan, Sefgjini, Milenkoviç, Kastrati, Vucaj, Nimani (Zefi 66′), Emurllai, Hysa (Lloga 85′). Trajner: Përparim Daiu
VLLAZNIA: Vujadinoviç, Smajli, Kraja, Vuk, Popoviç (Karakaçi 82′), Belisha, Gocaj (Gjini 63′), Moreno, Bërnoviç (Hasani 52′), Hajdari, Jablan. Trajner: Rudi Vata
KARTONË TË VERDHË: Vucaj/ Bërnoviç
GJYQTARE: Kridens Meta/ A.Pregja dhe B.Mesi

MINUTAT
3′ Emurllai i vetëm para portierit Vujadinoviç, gjuan, por topi i tij u prit nga portieri malazez.
8′ Emurllai gjatë një aksioni personal, gjuan nga jashtë zonës, por topi përfundon jashtë, vetëm pak centimetra larg trekëndëshit.
27′ Vucaj gjuajti një predhë nga distanca. Vujadinoviç i pasigurt i shpëtoi topi nga duart, duke përfunduar goditje këndi.
40′ Smajli gjuajti një goditje dënimi pranë zonës, topi u devijua nga muri, duke përfunduar në cepin e portës së Vashakut, i cili me vështirësi arriti ta priste.
44′ Vucaj ekzekuton nga e majta e Vujadinoviç një goditje dënimi, topi u përplas në mur dhe mbrojtësi shkodran e prek topin me dorë. Vucaj merr përsipër ekzekutimin e penalltisë, duke e shndërruar në gol, 1-0 për Laçin.
71′ Hajdari gjuan nga distanca, por Vashaku pret topin në dy kohë, për pak sa nuk përfundon topi në rrjetë.
90+3′ Rrëmujë brenda zonës laçiane, Kraja godet me kokë brenda zonës drejt portës së boshatisur, por në momentin final, Buljan largon topin me kokë, duke e mbajtur skuadrën e tij në lojë.

Laçi kthehet në makth për Vllazninë. Kurbinasit e mundin sërish (skuadra e vetme që e ka mundur në 5 takimet e fundit), ashtu sikundër ndodhi edhe një muaj më parë në kampionat, po në fushën neutrale të Krujës. Një gol i shënuar me penallti, për më tepër nga një shkodran, por me fanellën bardhezi, Vucaj, në minutën e 44-të të pjesës së parë, ka vendosur fatin e kësaj ndeshjeje, që ka shtuar edhe tri pikë në llogarinë e kurbinasve, të cilët tashmë barazojnë me 5 pikë në grupin B kuqeblutë. Në këtë mënyrë, më shumë se sa shpresa për të arritur ndonjë objektiv të vetin në kupë, pasi ndeshjen e fundit do ta luajnë ndaj Skënderbeut, në Korçë të besuarit e Përparim Daiut i kanë bërë një dëm të madh skuadrës së Rudi Vatës, e cila duhet të mundë në çerekfinalen e fundit Flamurtarin, të ketë edhe golaverazhin në anën e vet (për momentin është 3 gola më pak se kuqezinjtë, pra duhet të fitojë me tre gola diferencë ndaj vlonjatëve, që të kalojë në gjysmëfinale).
Ndeshja – Takimi nisi i vrullshëm dhe me raste nga të dyja skuadrat, por me shkodranët më dominues në fushën e lojës. Sakaq, Laçi mbrohej mirë dhe mundohej të shfrytëzonte kundërsulmet, kjo falë edhe shpejtësisë së sulmuesve. Kështu, në 10 minutat e para Ermullai për Laçin ka dy raste të pastra shënimi, por portieri i Vllaznisë është i saktë në ndërhyrje. Ndërkohë, tekniku Rudi Vata kishte hedhur në fushë skuadrën më të mirë të mundshme, duke kërkuar me çdo kusht fitoren. Por, në momentin kur presioni kuqeblu po bëhej gjithnjë e më i madh, vjen edhe rasti që vendos këtë ndeshje. Goditje dënimi që ekzekutohet nga Vucaj, topi preket me dorë nga një lojtar në mur dhe arbitri jep penallti. Ekzekuton Vucaj, duke shënuar golin e vetëm të këtij takimi.
Kualifikimi – Në pamje të parë, kurbinasit e vijonin garën në këtë kompeticion sa për të kaluar radhën, por kjo gjë vlente edhe në ndeshjen e kaluar, kur surprizuan Flamurtarin brenda në Vlorë. Aty ku po fitonin deri në minutën e 87-të, në fakt,derisa një penallti e akorduar nga Bardhyl Pashaj u kthye në gol nga Pero Pejiç, që evitoi kësisoj humbjen shokuese dhe turpëruese për të tijtë. Në këtë kuptim, Laçi bëri të njëjtën gjë, edhe më keq, ndaj Vllaznisë, duke e mundur atë dhe duke ia venitur në njëfarë mase shpresat për një vend në zonën europiane, që e synon përmes kupës. Me 5 pikët që kishte në renditje, Vllaznia duhej ta shfrytëzonte faktin se ndeshja e sotme luhej në fushë asnjanëse, për të mos e humbur ritmin e rivalit direkt për vendin e dytë, Flamurtari, me të cilin ka fare pak shanse që t’i qërojë hesapet në favorin e vet, në çerekfinalen e fundit që do të luhet në Shkodër. Vllaznia duhet të fitojë ndaj vlonjatëve në ndeshjen e fundit me tre gola diferencë që të mund të kualifikohet për në gjysmëfinalet e Kupës.

MË I MIRI 
Erjon Vucaj ishte lojtari më i mirë i ndeshjes së djeshme. Ai bëri “lëmsh” të gjithë mesfushën shkodrane dhe shënoi një gol deciziv për Laçin. 21-vjeçari, deri pak kohësh pjesë e Kombëtares U-21, ka disa takime që luan rolin e liderit te skuadra kurbinase.

PAK AKTIVI
Futbollisti malazez Bërnoviç, i ardhur në merkaton e janarit te skuadra shkodrane, edhe dje nuk është dukur në lojë. Ndërrimi i tij nga trajneri Rudi Vata u duk mjaft me vend, pasi lojtari nuk arriti të bëjë asgjë në ato minuta që ishte në lojë.

“E merituam, mund të shënonin më shumë”
Trajneri i Laçit, Përparim Daiu, ka vlerësuar lojën e skuadrës së tij dhe faktin se kurbinasit nuk toleruan në këtë ndeshje kupe. “Një fitore më se e merituar. Çunat kanë zbatuar me saktësi detyrat dhe nëse ne do të kishim fituar me më shumë gola, nuk do të ishte habi. Kundërshtari na ka rrezikuar vetëm në kohën shtesë të takimit. Madje, mund të them se në ndonjë rast të tyrin ne i komplikuam vetë situatat. Gjithsesi, ky është një hap shpresëdhënës për skuadrën. Një ndeshje që tregoi dhe njëherë se grupi është në gjendje që të përballet me çdo kundërshtar e madje edhe ta ndalë”, tha Daiu.

“Gjykim skandaloz, ky nuk është futboll”
Trajneri i Vllaznisë, Rudi Vata, ka shfryrë gjithë nervat ndaj arbitrit të ndeshjes, Kridens Meta. Vata ka dhënë edhe një shou të vërtetë ditën e djeshme, teksa nuk ka rreshtur së udhëzuari lojtarët që nga pankina. Jashtë natyrës së tij, si në pushim të pjesës së parë, por dhe në fund, ai i është “sulur” gjyqtarit. Ndaj, e gjithë deklarata e djeshme ishte për gjykimin. “Arbitra të tillë po e prishin futbollin. Meta nuk ishte fajtor vetëm në rastin e penalltisë, por kam bindjen se ka gabuar përgjatë gjithë ndeshjes. Duhet vënë në dijeni shteti që kështu nuk mund të vazhdohet. Dyshoj se ne na është anuluar një gol. Më thanë se ai top e ka kaluar vijën e portës”, tha Vata.

Klubi: Donim ta nxirrnim skuadrën nga fusha
“KF Vllaznia shpreh indinjatën për gjykimin nga ana e Kridens Metës në ndeshjen Laçi-Vllaznia. Mendojmë se ky gjykim ka qenë tendencioz dhe kjo nuk është hera e parë që ndodh gjatë këtij sezoni. Në takimin e sotëm (dje), ai nuk ka dhënë një penallti të dukshme për skuadrën tonë, teksa ka akorduar një tjetër inekzistente për Laçin. Kjo, por edhe veprime të tjera të këtij arbitri totalisht tendencioze çuan edhe në rezultatin e kësaj ndeshjeje. Ndoshta arbitri ka shfrytëzuar rastin se kjo ndeshje nuk jepej në televizion, por ne e kemi incizuar në kaseta dhe nesër (sot) do ta depozitojmë menjëherë në FSHF. Gjatë ndeshjes së sotme (dje) donim që të nxirrnim ekipin nga fusha, por vetëm ndërhyrja e Prek Pjetrushit dhe drejtorit sportiv, Armir Grima, bëri që ne të vazhdonim ndeshjen”, thuhet në deklaratë.

VATA
Trajneri i Vllaznisë, Rudi Vata, ndryshe nga ndeshjet e tjera, dje ka rezultuar mjaft nevrik. Të bërtiturat çjerrëse dje kanë thyer ndjeshëm heshtjen e stadiumit të boshatisur të Krujës. Flagrante sjellja e tij ndaj gjyqtarit në pushim të pjesës së parë, por dhe në fund të takimit.

PËRPLASJA
Trajneri i Laçit, Përparim Daiu dhe portieri i skuadrës së tij, Blendi Vashaku, gati sa nuk u përplasën në fushë në një rast kur tekniku po udhëzonte lojtarin për mënyrën sesi duhet të organizonte mbrojtjen. “Nuk jemi në analizë, pranoj gjithçka në dhomat e zhveshjes, por jo këtu”, i tha qartë Vashaku teknikut.
ARDI HASANI






www.minuta90.com