Laçi humbet një tjetër lojtar titullar, mbrojtësi largohet nga kurbinasit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 19, 2023 | 15:25

Laçi humbet një tjetër lojtar titullar, mbrojtësi largohet nga kurbinasit

Renato Ziko është largimi i radhës nga Laçi. Pas dy sezonesh me fanellën bardhezi, mbrojtësi i majtë është ndarë me klubin, teksa nuk është gjetur një akord për rinovimin e kontratës.

Laci

Ziko ka qenë një prej titullarëve stabël te bardhezinjtë, duke luajtur në kampionatin e fundit në 33 ndeshje, me plot 2891 minuta në fushë. Në sezonin e parë ai luajti 29 ndeshje, teksa vinte në Laç pas eksperiencës 1-vjeçare në Norvegji me klubin e ligës së dytë, Baerum SK. 25-vjeçari shqiptar është prodhim i skuadrës greke, Platania, me të cilën ka arritur të luajë edhe katër ndeshje në Superligën e vendit fqinj.

Ziko është largimi i tetë zyrtar nga Laçi pas përfundimit të sezonit, teksa më parë të njëjtën gjë kanë bërë Gentian Selmani, Marko Roganoviç, Rudolf Turkaj, Viktor Velkoski, Majkëll Babatunde, Mentor Mazrekaj dhe Vasil Shkurtaj.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"