Laçi, bunker në Europë me vetëm 2 qendërmbrojtës. Por njëri mund të largohet

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 24, 2022 | 16:33

Laçi, bunker në Europë me vetëm 2 qendërmbrojtës. Por njëri mund të largohet

Laçi po shkon drejt përsëritjes së suksesit të edicionit të kaluar në Ligën e Konferencës, ku arriti deri në turin e tretë dhe aty u eliminua nga gjigantët belgë të Anderlehtit. Në ndeshjen e parë të turit të dytë ndaj moldavëve të Petrokub Hinçestit, që u luajt të enjten në stadiumin “Zimbru” të Kishinjevit, skuadra e Shpëtim Duros bëri një rezistencë të jashtëzakonshme.

LACI

Përveçse luajti për më shumë se një orë me 10 lojtarë, pasi u ndëshkua me të kuq mesfushori Sebastjan Spahiu, kurbinasit duhet të bënin llogari edhe me gjendjen fizike të sulmuesve kryesorë si Saliu Guindo dhe Adeleke Akiniemi, e gjithashtu mesfushorit Majkëll Babatunde, të cilët për 26 orë mbetën të ngujuar në aeroportin e Kishinjevit, pasi autoritetet vendëse nuk i pajisnin me vizë hyrëse në Moldavi. Megjithatë, përtej këtyre problemeve, të besuarit e Duros ia dolën të mbanin heroikisht një barazim 0-0.

Mirëpo, ajo që bën më tepër përshtypje pas tri ndeshjeve të deritanishme është fakti se Laçi mbetet e vetmja skuadër shqiptare që nuk ka pësuar asnjë gol. E gjithë mbrojtja e kurbinasve dhe portieri Mario Dajsinani, kanë bërë një paraqitje të jashtëzakonshme në të tria takimet, por nëse shikon përbërjen e skuadrës, bie në sy diçka që i jep edhe më shumë vlerë Laçit. Renato Malota dhe Viktor Velkoski janë të vetmit qendërmbrojtës që Duro ka në dispozicion dhe ata kanë luajtur 270 minuta të plota deri më tani, duke qenë lojtarët më të mirë në fushë.

Trajneri e ka shumë të vështirë për t’i zëvendësuar, sepse aktualisht nuk ka asnjë qendërmbrojtës të mirëfilltë në dispozicion përveç tyre. Madje, “Panorama Sport” mëson se vetëm maqedonasi Velkoski është në kontratë me klubin edhe për sezonin tjetër, ndërsa Malotës i ka përfunduar dhe nuk ka ende një rinovim. Nuk është çudi që ai të largohet nga Laçi në momentin kur skuadra do të eliminohet nga Liga e Konferencës. Për lezhjanin që po shkëlqen me bardhezinjtë ka pasur edhe një ofertë joshëse nga Egnatia.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"