La Torre zhduket, Kukësi merr në provë disa lojtarë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 26, 2023 | 12:12

La Torre zhduket, Kukësi merr në provë disa lojtarë

Ndonëse Kukësi nën drejtimin e Stavri Nicës pati një ecuri pozitive dhe madje për një moment iu afrua edhe “Final 4”, duke se shkuan sërish në fund.

kukesi stavri nica

Në mbylljen e dy fazave të para, që përkon me gjysmën e kampionatit, blutë janë në vendin e parafundit. Një pozicion ky që nëse kampionati mbyllej me kaq, verilindorët do të zbrisnin nga kategoria. Mjafton të thuhet se Kukësi nuk ka fituar në tetë ndeshjet e fundit për të treguar se ekipi nuk është aty ku duhet dhe me këtë ecuri do ta kenë të vështirë edhe emisionin “mbijetesë”.

MERKATO – Në një situatë të tillë, me skuadrën që në pjesën e mbetur të sezonit kërkon me patjetër qëndrimin dhe grumbullimin e sa më shumë pikëve, duket se shpëtimi i vetëm do të vijë nga merkatoja. Me mbylljen e këtij viti dhe me hapjen zyrtare të saj, Nica shpreson që klubi t’i japë lojtarët e duhur për të përballuar sezonin. Gazeta mëson se këto ditë pritet të afrohen disa lojtarë për provë dhe do të shihen më konkretisht nga trajneri, për të vendosur nëse do të mbahen në ekip apo jo. Njëkohësisht janë piketuar edhe ata që do të afrohen menjëherë, për ta përforcuar sadopak ekipin. Edhe vetë tekniku e ka pranuar më herët që shpëtimi i sezonit mund të vijë nga ndërhyrjet në merkato.

LARGIMET – Sakaq, nga ana tjetër nuk do të mungojnë as “firot”. I larguari i parë mund të jetë Sebastian la Torre. Menjëherë pas mbylljes së kampionatit, peruani është larguar për në atdheun e tij, edhe për shkak të disa problemeve familjare. Megjithatë, ai nuk është stërvitur në javët e fundit më skuadrën dhe as nuk është grumbulluar, duke paralajmëruar divorcin para kohe me ekipin e Kukësit. Janë edhe disa të tjerë që nuk kanë pasur shumë minuta më dispozicion që me shumë gjasa mund të ndërpresin bashkëpunimin me klubin.

RASHITI – Ndërkohë, duket se ka marrë një tjetër rrjedhë situata me sulmuesin Atdhe Rashiti. Lojtari u aktivizua nga minuta e parë ndaj Laçit dhe u rikthye pas pezullimit. Një sinjal pozitiv ky që gjërat mesa duket janë rregulluar dhe sulmuesi mund ta mbyllë sezonin me blutë. Megjithatë, nëse në drejtim të tij do të vijë ndonjë ofertë, në Kukës do ta shesin. Në verë pati disa oferta në drejtim të tij, por sulmuesi u dëmtua dhe qëndroi në Kukës.

VLADIMIR MEMA-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"