Kur u themelua Sportklub Tirana?

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 7, 2012 | 14:00

Kur u themelua Sportklub Tirana?

Nga BESNIK DIZDARI
Një lexues, prej atyre që në fund të asaj çka shkruajnë vejnë emër e mbiemër, më çon një e-mail, ku më thotë:
“Z.Besnik, e lexova shkrimin tuaj për Sportklub Tiranën në ‘Panorama Sport’, ku ju e çoni themelimin e Sportklub Tiranës 7 vjet më vonë, nga 1920-ta në 1927! Unë kam respekt për punën tuaj që keni bërë e bëni për historinë e sportit shqiptar, por në këtë rast nuk ua fal që i keni hequr 7 vjet histori Sportklubit, siç e përmendni ju…”.

Në respekt të lexuesit tim të vëmendshëm e të sjellshëm, më duhet ta falënderoj, sepse më jep mundësinë t’i përgjigjem me shkrimin e këtushëm që sqaron edhe një herë gjithçka. Në shkrimin me titull “Sportklub Tiranës nuk i ka ndodhur asgjë”, botuar në këtë gazetë, më 1 nëntor 2012, kam shkuar fjalë për fjalë këto radhë:
“…Vetëm unë i them ‘Sportklub Tirana’. Të tjerët i thonë ‘Tirana’. Sepse respektoj historinë, pra emrin e saj themelues e pakta qysh më 1927-ën. Atë emër që Regjimi ia pat zhdukur me urrejtje. Në të gjithë botimet e historisë së futbollit jashtë Shqipërisë ia shkruajnë me simbolin e plotë historik të saj: ‘Sportklub Tirana’. Kurse shqiptarët ia kanë shkurtuar me vetëm ‘Tirana’. Është një mosrespekt ndaj historisë…”.
Pra fjala është vetëm për vitin 1927, kur klubi kryeqytetas mori emrin “Sportklub Tirana”, çka siç shihet, këtë e kam shkruar krejt qartë: “…Emrin e saj themelues e pakta qysh më 1927-ën”. Dhe do të ishte krejt e pafalshme nga ana ime që të shkruaja se Sportklub Tirana është themeluar më 1927, kur me qindra herë, në librat e shkrimet e mia, kam shkruar e thënë (dhe jo vetëm unë) se ajo është themeluar më 1920- ën. Kështu që, nuk është vërtetë se i kam hequr 7 vjet historisë së skuadrës së kryeqytetit, e cila ka lindur po atë vit (1920) kur për fat, edhe vetë Tirana u bë kryeqytet. Përsëris se veç këtë gabim nuk mund ta bëja kurrsesi, sepse viti 1920 i themelimit të klubit kryeqytetas përmendet gjithnjë. E pra, 1927-ta nuk është viti i themelimit të skuadrës së qytetit apo kryeqytetit Tiranë, por është viti kur kjo skuadër ka marrë emrin “Sportklub Tirana”. Kjo do të thotë se nga themelimi më 1920-ën e deri te 1927-ta shoqëria jonë nobël e Tiranës nuk është quajtur “Sportklub Tirana”, çka për fatin tonë të pakëndshëm, edhe sot padashur duan t’ia harrojnë duke mos ia shkruar siç duhet. Pak vjet më parë, kur i nderuari Shkëlqim Muço drejtonte “Sportklub Tiranën”, e cila mori në administrim stadiumin “Selman Stërmasi”, në të gjithë tribunën karshi u shkrua, përmes ngjyrave të vendeve të spektatorëve, emri gjigand “KF TIRANA”. Botova një shkrim të posaçëm dhe mandej i thashë drejtuesit Muça se emri historik i klubit është “Sportklub Tirana”, ose shkurt “SK Tirana”. Dhe Muça vota të fshehta të kryesisë së një klubi sportiv. Dhe qysh nga ky 16 gusht 1927, për Sportklub Tiranën nis një histori sa e madhe aq dhe e plot ngjarjeve përmbysëse e suksese të bujshme. Madje, për hir të së vërtetës, shpesh ajo përshkohet sa në sigurinë po aq dhe në pasigurinë e drejtimit, gjithnjë me dëshirën e mirë për të mbërritur përsosjen e organizimit, pa i shpëtuar po shpesh edhe një lloj “lufte për pushtet sportiv”, dukuri që, në fund të fundit, tregon rëndësinë që Shoqëria po merrte në vetë jetën publike të kryeqytetit. Zgjedhjet për çudi kanë qenë thuajse të përvitshme dhe “lakmia” për të pasur ndër duar drejtimin e Sportklubit nuk do të ndalë dhe do të përshkojë gjithë jetën e brendshme të Shoqërisë (Klubit). Historia na thotë ndërkaq, se hera e parë kur regjistrohet në një titull kampioni kombëtar emri Sportklub Tirana në Shqipëri, nuk është futbolli, por atletika e lehtë. Sepse “SK Tirana” fiton kampionatin e parë që zhvillohet në Shqipëri, që është ai i Atletikës së Lehtë më 1929- ën. Dhe vetëm një vit më vonë, më 1930- ën “Sportklub Tirana” del në skenë si kampion i Shqipërisë në futboll. Kjo është lavdia historike e Sportklubit, i cili është i pari që fiton dy kampionatet e parë sportivë në Shqipëri. Kësisoj, “SK Tirana” është një kampione themeluese e sporteve në Shqipëri!
E veçanta historike “futbollistike” në këtë rast është se, më 19 korrik 1930, “SK Tirana” gjen konfirmimin e madh në pritjen që Mbreti Zog jep menjëherë mbas përfundimit të kampionatit për nder të tij në Durrës, ku përmes fjalës së tij përshëndetëse para futbollistëve kampionë, i lë historisë së sportit kombëtar thënien emblematike: “E ardhmja e kombit asht sigurue, e pra edhe e ardhmja juej asht e sigurtë!”. Na duhet të fiksojmë se “Sportklub Tirana” është i vetmi klub sportiv në historinë e Shqipërisë që është pritur prej një Mbreti, madje që është përshëndetë prej një Mbreti. Kjo ka qenë hyrja madhështore në histori e SK Tiranës. Duke filluar nga 1920-ta, vit i themelimit, por sidomos duke filluar nga 1927-ta që është viti i emërtimit “SK Tirana”, mund të themi se historia e saj e pasur nuk do të ndalte më kurrë. Zotnitë e Tiranës do të merrnin ndër duar fatin e madh të themeleve të Sportklubit, duke e ruajtur shumë shpejt e ndryshoi në “SK TIRANA”, siç e shihni vazhdimisht edhe sot në tribunën e stadiumit që mban emrin e Selman Stërmasit – personazhi mitik themelues i lavdisë së “Sportklub Tiranës”. Më duhet ta falënderoj pra lexuesin tim, sepse më këtë rast ai më nxit të shkruaj edhe një herë për historinë e themelimit të emrit të skuadrës sonë të famshme të kryeqytetit me emrin “SK Tirana”. Dhe është mû kjo famë zëmadhe që e bën të gëzohet aq fort këto ditë “KF Kukësin” (ky është sot emri i tij zyrtar) me dy fitoret e tij sensacionale 4-0 për kupën dhe 2-0 për kampionatin ndaj Sportklubit.
* * *
E tash le t’i kthehemi historisë
Gjithçka ka ndodhur vetëm në vitin 1927. Çka do të thotë se jemi mû në vitin e 85-të të lindjes së emërtimit “Sportklub Tirana”. Është kështu një jubile që në këtë 100-vjetor të Pavarësisë së Shqipërisë ia vlen ta përkujtosh dhe ta tregosh qoftë edhe përmes këtij rishkrimi historik si përgjigje ndaj lexuesit të nderuar. Për fatin e madh kemi jo vetëm vitin e emërtimit “Sportklub Tirana”, por dhe ditën. Ka qenë 16 gusht 1927. Është një ditë që na vjen me këto emra:
Teki Selenica, Kryetar
Anastas Shundi, Sekretar
Anastas Koja, Arkëtar
Niko Gurashi, Anëtar
Avni Zajmi, Komiser teknik i Atletikës.

I kam shkruar germë për germë sipas dokumentit të asaj kohe. Kjo është kryesia e klubit të kryeqytetit, ose Shoqërisë, siç i thoshin shpesh (shumë më bukur sikur gjithë klubet tona sportive të quheshin “shoqëri”) që ka dalë nga mbledhja zgjedhore e 16 gushtit 1927. Është ky 16 gusht që përfaqëson mbledhjen më të madhe, më të rëndësishme rithemeluese të Shoqërisë sportive të Tiranës. Dhe qysh nga ky 16 gusht 1927 ajo merr emrin “Sportklub Tirana”. Kjo është dita kur nis historia më e madhe e Sportklub Tiranës. Prof. Avni Zajmi, një nga të zgjedhurit e mësipërm të kryesisë, profesori ynë i paharrueshëm, me të cilin edhe për shkaqe të një afërsie familjare, autorin e këtushëm e lidhte një miqësi e sinqertë, ka treguar se Sportklub Tirana është ndër të parët që fut në Shqipëri zgjedhjet me fort atë, edhe falë një largpamësie të ndritur intelektuale, e pse jo, edhe të një demokracie të vetë jetës së brendshme të klubit, si askush në Shqipëri. Dhe hap mbas hapi, me gjithë ndërrimet e shpeshta të kryesisë, do të gjejmë gjithnjë emra të tjerë nderuar në krye të saj si Zoi Xoxa, Tahir Gjinali, Ramazan Jarani, Niazi Tirana, Xhemal Kusi, Dr.Stefan Shundi, Selman Stërmasi, Prof.Skender Luarasi, Eqrem Stërmasi, Prof. Gaqo Gogo, Josif Murzaku apo dhe Anton Mazreku. Dhe duke pasur një arritje tjetër në zgjedhjet e vitit 1931, vit kur SK Tirana, siç ka nënvizuar Bektash Pojani, autori i librit “75 vjet futboll Sportklub Tirana”, ajo miraton një Statut të shkëlqyer për kohën, prej ku del dhe Rregullorja e brendshme e saj “për mbajtjen e dishiplinës dhe rregullit të Shoqnisë”, siç e përmend një nga autorët e saj, Prof.Avni Zajmi. Nuk do të ndalej më Sportklub Tirana – promotor i themelimit në Shqipëri thuajse i të gjithë sporteve të dorës së parë: futbollit, atletikës së lehtë, çiklizmit, e pse jo, deri te basketbolli e volejbolli në rang kombëtar qysh në vitet ’30. Për fat, në këto dy sporte të fundit ende këtë themelim befasues nuk e njohim saktësisht, ndonëse na del se edhe ato kanë zhvilluar Kampionatin Kombëtar qysh në vitet ’30!
SK Tirana ishte themeluar më 1920 në fillim me emrin “Gjurmuesit Republikanë”, çka vetëm mbas pak muajve me emrin “Agimi” ajo vendos rrënjët themeluese të Sportklub Tiranës të vitit 1927. Foto që shoqëron këtë shkrim tonin është historike. Sepse, përveç të tjerave, ajo i përket mû vitit 1927. Është fiksuar para fillimit të një ndeshjeje të zhvilluar në Shkodër midis “Studente Shkodra” dhe “Agimit” të Tiranës, pararendësit të SK Tiranës. Ky është çasti apo viti kur lind dhe emërtimi i ri “Sportklub Tirana”. Në foto mund të dallosh Adem Karapicin, Selman Stërmasin, Dr.Bahri Koplikun, Qazim Dervishin, Dr.Isuf Dashin… Ky çast i kësaj fotoje është çasti kur ndalet historia e “Agimit” për të vazhduar ajo e Sportklub Tiranës. Sportklub Tirana do të mbijetonte deri më 3 mars 1946, kur Regjimi Komunist, alergjik ndaj emërtimeve të Mbretërisë, i jep emrin “7 Nëntori”. Dhe vetëm mbas plot 46 vjetëve, më 22 shtator 1991, del përsëri në fushën e lojës skuadra me emrin Sportklub Tirana. Ishte ndeshja e parë e Kampionatit të 53-të Kombëtar 1991-1992, ajo SK Tirana-Kastrioti 3-0. Kishte kaluar vetëm një vit kur në faqet e “Sportit” i kisha shtuar Kampionateve të Shqipërisë edhe 7 kampionatet e Mbretërisë së viteve ’30. Partia kishte marrë fund dhe nuk bëzani!
Kjo është historia e lindjes 85 vjet më parë të emërtimit “Sportklub Tirana”, që lexuesi i nderuar u bë shkas ta fiksojmë edhe një herë. E falënderojmë fort! Ndërkohë që ftojmë gazetat, shtypin, radion e televizionet, që më në fund t’u qëndrojmë besnikë emrave të vërtetë historikë e zyrtarë të klubeve tona sportive. Edhe në këtë rast na mungon serioziteti i një kulture europiane…

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"