Kuksianët i lëshojnë nervat, “pushtojnë” fushën dhe bëjnë kaos! Njihuni mes pikantet e Partizani-Kukësi

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 18, 2023 | 15:12

Kuksianët i lëshojnë nervat, “pushtojnë” fushën dhe bëjnë kaos! Njihuni mes pikantet e Partizani-Kukësi

“Panorama Sport” ju sjell momentet pikante të njërës prej ndeshjeve më të ndezura të javës në Superiore, mes Partizanit dhe Kukësit, e mbyllur me shifrat 1-1 dhe e karakterizuar nga një fund aspak i hijshëm, me tifozët, që pushtojnë fushën.

hgfjhg

* Skuadra e Kukësit motivohet me kolonën zanore të filmit “Roki” të Silvester Stalones. Bëhet fjalë për këngën “Eye of the Tiger”, e cila ka si motiv pikërisht mosdorëzimin, që ngjan paksa me momentin që po kalon Kukësi, ku i kërkohet të sakrifikojë.

* Ndeshja u luajt në temperatura shumë të ulëta, që nuk shkonin më shumë se 1 gradë Celsius dhe me një erë të fortë. Kjo ndikoi edhe në numrin e tifozëve që ishte shumë i ulët. Tribuna përballë ishte totalisht e boshatisur dhe pak ultras pas portave respektive.

* Momoh dëmtohet dhe del nga fusha për t’i lënë vendin Dukës. Por, zëvendësimi nuk kryhet midis tyre, sepse në tokë mbetet i shtrirë Murati, i cili duhet të lërë fushën. Momoh detyrohet të luajë minutat e fundit të pjesës së parë i dëmtuar, për të mos e lënë ekipin me 10 lojtarë dhe u zëvendësuar më pas në të dytën nga Domi. Edhe ai dëmtohet për pesë minuta, duke ia lënë vendin më pas Najarës. Në harkun kohor të pak minutave, Nica detyrohet të bëjë tri zëvendësime të detyruara për arsye dëmtimesh.

* Shiu i prish “punë” Nicës, pasi i lag syzet dhe detyrohet që t’i heqë për një moment dhe t’i pastrojë për të parë më mirë.

* Tafasin e tërbon era e fortë, pasi nuk i lejon ta mbajë sferën të palëvizur për ta shkelmuar pas një faulli.

* Partizani fiton një goditje dënimi në gjysmëfushën e vet. Sota mundohet ta nisë me shpejtësi, teksa Murataj i thërret ta pozicionojë topin disa metra më para për të fituar terren. Mbrojtësi nuk e dëgjon dhe vijon lojën, me mesfushorin, që zhgënjehet shumë dhe vë duart mbi fytyrën e tij.

* Në momentin që gjyqtari akordon penallti për Partizanin në fund, fusha invadohet nga disa persona, që ishin tifozë të Kukësit. Njëri pas tjetrit ata i drejtohen gjyqtarit dhe e shajnë, por pa arritur dot që t’i afrohen për të tentuar goditjen. Njëri prej tyre zgjedh një shënjestër tjetër, duke shqelmuar si mundte topin e vendosur në pikën e bardhë të 11 metrave. U desh ndërhyrja e stjuardëve dhe më pas forcave të rendit për të neutralizuar situatën dhe për t’i larguar tifozët nga fusha e gjelbër. Një situatë tejet e vështirë, që rrezikoi arbitrat dhe lojtarët në fushë, për sa kohë civilët arritën të hyjnë deri aty.

* Një nga mungesat e mëdha te Kukësi në këtë ndeshje ishte Sebastian la Torre. Sulmuesi përveç situatës së komplikuar me klubin, po kalon edhe probleme familjare. Në rrjetet sociale ai ka shkruar fjalë prekëse për nënën e tij, e cila po lufton me një sëmundje të rëndë. “Mami, unë e di që ti je e fortë dhe ne do të dalim nga kjo situatë e komplikuar që ti po kalon. Prit dhe pak, mos më braktis si gjyshja. Ti ia ke dalë një herë ta mposhtësh këtë sëmundje të rëndë dhe unë e di që do ta bësh përsëri. Ti e di që sa po vuaj që të jem me ty. Të lutem mos më lër, mami më prit”, shkruan ai.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"