Kukësi mund Flamurtarin, shou i Cikalleshit. Gilman Lika: Ja pse bëra gjeste ndaj tifozëve

Panorama Sport | Gazeta me e madhe sportive ne vend

Postuar: Mars 23, 2014 | 13:05

Kukësi mund Flamurtarin, shou i Cikalleshit. Gilman Lika: Ja pse bëra gjeste ndaj tifozëve

Cikalleshi dhe Ylli HoxhaKUKËSI-FLAMURTARI 4-2
GOLAT: Cikalleshi 12′, 59′, Boja 61′, Smajli 86’/ Liçaj 25′, G.Lika 90′
KUKËSI: Halili, Smajli, Brahja, Malota, Hallaçi, Progni, Allmuça, Izuçuku, Hoxha, Cikalleshi (Uçe 73′), Boja (Hysa 66′). Trajner: Sulejman Starova
FLAMURTARI: Moçka, Sakaj, Kuqi, Dushku, Mici, Liçaj (Beqiri 75′), Telushi, G.Lika, Begaj (Zeqiri 64′), Pepa (Idrizaj 79′), A.Shehaj. Trajner: Ernest Gjoka
KARTONË TË VERDHË: Progni 5′, Uçe 75’/ Pepa 39′, Liçaj 60′, G.Lika 90′
KARTONË TË KUQ: Hoxha 90’/ Dushku 90′
DELEGAT: Astrit Maçi (Tiranë)
VËZHGUES: Prek Pjetrushi (Lezhë)
GJYQTARET: K.Meta (Tiranë), R.Çokaj (Lezhë), R.Avdo (Tiranë)

MINUTAT
7′ Progni shërben për Cikalleshin, i cili, edhe pse me shpinë nga porta, arrin të lëvizë bukur, por goditja e tij me të majtën nga jashtë zone përfundon jashtë.
12′ Cikalleshi rrotullohet bukur në zonë, duke nxjerr blof mbrojtësin Dushku, e më pas gjuan direk me të djathtën, teksa e dërgon topin në rrjetë, 1-0 për Kukësin.
17′ Boja bën më të vështirën, teksa del i vetëm me Moçkën, por godet jashtë, në një rast të artë për të shënuar golin e dytë.
25′ Kundërsulm i Flamurtarit me protagonist Gilman Likën nga krahu i majtë. Mesfushori shkodran futet në zonë dhe më pas jep një asist për Liçajn, i cili i vidhet mbulimit të Brahjes e Malotës dhe afër portës nuk e ka të vështirë të shënojë, 1-1.
29′ Hoxha lëshon një predhë nga distanca, por Moçka pret në pozicion.
53′ Pepa gjuan fort nga jashtë zone dhe grushtimi i Halilit shpëton portën kuksiane.
56′ Është sërish sulmuesi Pepa, i cili merr iniciativën duke shërbyer në zonë për Ardit Shehaj, që ka një rast të artë për të shënuar, por përballë Halilit gabon në goditje me kokë.
59′ Hallaçi kroson në zonë dhe aty portieri Moçka bën një gabim fatal, teksa nuk ka siguri në zotërimin e topit. Këtu përfiton Cikalleshi, i cili gjendet në vendin dhe kohën e duhur, duke e shtyrë topin në rrjetë dhe e dyfishuar rezultatin, 2-1 për Kukësin.
61′ Hoxha jep një top të gjatë në zonë dhe aty Boja tregon vlerat e tij, duke bërë një kërcim perfekt me kokë dhe e dërguar topin në trekëndësh, duke mposhtur për herë të tretë portierin Moçka.
86′ Goditje këndi për Kukësin. Hoxha kroson direkt në zonë dhe aty është i pambuluar mbrojtësi Smajli, i cili kërcen bukur me kokë dhe tund rrjetën, 4-1 për Kukësin.
90′ Goditje dënimi për Flamurtarin nga një distancë prej 25 metrash. Gilman Lika merr përsipër ekzekutimin me një të majtë të frikshme, shënon një gol spektakolar, duke e mbyllur ndeshjen 4-2.

Kukësi ia merr dorën Flamurtarit, duke fituar sërish në “Zeqir Ymeri”. Edhe dje skuadra e Sulejman Starovës ka dominuar përballë kuqezinjve, duke i mposhtur me rezultatin 4-2, në një ndeshje që prodhoi spektakël, gjashtë gola, por edhe tension në fundin e saj me dy kartonë të kuq të panevojshëm. U duk se gjithçka do të ishte në ekuilibër të plotë pas pjesës së parë, e cila u mbyll në barazim 1-1, por nuk ishte e thënë kështu. Kukësi shpërtheu me dy gola të shpejtë, teksa heroi ishte Sokol Cikalleshi, ndërsa për herë të parë shënoi me fanellën e skuadrës verilindore sulmuesi kamerunas, Pierr Boja. Për të vulosur fitoren mendoi mbrojtësi Dritan Smajli, kurse golat e vlonjatëve mbajnë firmën e Liçajt dhe Gilman Likës. Ky i fundit shënoi sërish një eurogol në Kukës, por edhe këtë herë nuk mjaftoi për t’i dhënë pikë Flamurtarit.
Pjesa e parë – Ndeshja ka ritëm që në start dhe mesfushori Hoxha bëhet një rrezik konstant me inkursionet nga krahu i majtë. Kukësi ushtron presion dhe Cikalleshi me një lëvizje të bukur në afërsi të zonës jep sinjalin e parë të rrezikshëm. Mirëpo, nuk kalojnë shumë minuta dhe sulmuesi kavajas nuk fal, teksa driblon mrekullisht Dushkun brenda zone dhe mposht Moçkën. Goli bën me krahë kuksianët, që gjashtë minuta më vonë kanë shansin të dyfishojnë shifrat me kamerunasin Boja, që humbet një rast të pastër. Këtu ndeshja ndryshon si me telekomandë, pasi një aksion i bukur i Flamurtarit me protagonist Gilman Likën sjell golin e barazimit. Shkodrani jep një asist për Liçajn, i cili u vidhet bukur mbrojtësve kuksianë dhe shënon. Reagimi i Kukësit është i shpejtë, por goditja e fortë e Hoxhës pritet nga Moçka dhe pjesa e parë mbyllet 1-1.
Pjesa e dytë – Edhe 45 minutat e dyta nisin me të njëjtin ritëm si të startit të ndeshjes. Flamurtari bëhet i rrezikshëm, teksa i afrohet golit me Pepën dhe Shehajn. Në momentin më të mirë të miqve është Kukësi që godet. Një krosim i Hallaçit në zonë kthehet në gol nga Cikalleshi, por këtu sulmuesit i vjen në ndihmë edhe portieri Moçka, i cili tregohet krejtësisht i pasigurt në zotërimin e topit. Vlonjatët shokohen nga ky gol dhe pësojnë sërish, kur nuk kalojnë as 60 sekonda. Këtë herë është Boja, i cili me zgjuarsi lëviz bukur brenda zone pas krosimit dhe me kokë realizon golin e tretë. Skuadra e Starovës është e papërmbajtshme në fushë. Nga një goditje këndi vjen goli i katërt, këtë herë me autor Smajlin, i cili kërcen me kokë brenda zone dhe vulos fitoren. Gjithsesi, në fund ka vend për një supergol të Likës nga goditja e dënimit, por që sjell tension në fushë, pasi shkodrani provokon tifozët. Hoxha i Kukësit dhe Dushku i Flamurtarit ndëshkohen me karton të kuq nga gjyqtari Meta.

MË I MIRI
Pa dyshim Sokol Cikalleshi. Sulmuesi kavajas shënon sërish dy gola, duke i dhënë një fitore shumë të rëndësishme Kukësit. Mirëpo, dje spikati më shumë se të gjithë loja e Ylli Hoxhës. Një paraqitje mbresëlënëse bëri edhe Smajli, ndërsa te Flamurtari ata që bënë më shumë se pjesa tjetër e ekipit ishin Lika dhe Pepa.

MË PAK AKTIVI
Shpëtim Moçka dhe Erion Dushku. Portieri dhe qendërmbrojtësi i Flamurtarit ishin në një ditë të errët. I pari gaboi te goli i dytë i Kukësit, ndërsa Dushku tregoi një formë jo të mirë, duke humbur thuajse çdo dyluftim me sulmuesit Cikalleshi e Boja. Në fund vulosi paraqitjen e dobët në Kukës me kartonin e kuq.

StarovaStarova, i kënaqur: Një fitore e merituar!
Sulejman Starova nuk e ka fshehur gëzimin pas ndeshjes së djeshme. Trajneri i Kukësit, ndër të tjera, ka deklaruar se skuadra e tij e meritoi plotësisht fitoren. “Janë tri pikë me shumë vlera, ndaj një kundërshtari që kishte ardhur në Kukës për t’u mbrojtur mirë dhe që ishte i kënaqur nëse merrte një barazim. E filluam mirë lojën, duke shënuar shpejt, por më pas një gabim në mbrojtje na ndëshkoi. Gjithsesi, në pjesën e dytë përmbysëm gjithçka dhe e ruajtëm deri në fund fitoren, duke e administruar mirë lojën”, – ka thënë Starova, i cili komentoi edhe tensionin në fund të sfidës. “Hoxha hyri për të qetësuar situatën. Të gjitha janë pjesë e lojës, por na dëmtoi kartoni i kuq për ndeshjet e radhës”. Billa – “Flutura në kabinën time”. Kështu u vlerësua një flutur e madhe që një ditë para ndeshjes, që gjatë gjithë mbrëmjes, fluturonte mbi kokat e stafit të Kukësit kur ata po konsumonin darkën. Trajneri vlonjat i portierëve të Kukësit, Estraf Billa, e konsideroi si ogur të mirë fluturën që “darkoi” me të, duke thënë që të premten në mbrëmje se ekipi do të fitojë ndaj Flamurtarit.

tirana-flamurtari 0-2, Gjoka ne stolGjoka revoltohet me mbrojtësit: E pafalshme!
Trajneri i Flamurtarit, Ernest Gjoka, ka qenë shumë i zhgënjyer dje pas ndeshjes. Ai ia ka faturuar humbjen në Kukës lojës së dobët në mbrojtje të skuadrës së tij. Kreu i pankinës vlonjate, ndër të tjera, theksoi se lojtarët duhet të jenë më të përgjegjshëm. “Mendoj që gabuam në mbrojtje. Janë gabime që nuk na falen dhe duhet të nxjerrim më shumë përgjegjësi nga gjithë lojtarët. Këto janë gafa jashtëzakonisht të rënda, të cilat na penalizojnë shumë. Një farë tensioni që kemi për situatën që po kalojmë na bën të gabojmë pafundësisht. Goli i dytë dhe i tretë ishin gabime njëri pas tjetrit”, – deklaroi fillimisht Gjoka. Ndërkohë, pyetjes se a u vërtetuan dyshimet e drejtuesve të klubit vlonjat para ndeshjes për gjyqtarin Meta, trajneri kuqezi sqaroi: “Mendoj që arbitrimi nuk ndikoi në rezultatin e ndeshjes. E rëndë ishte nxjerrja e Dushkut me të kuqe, që po qetësonte Likën për një gjest që nuk duhet ta bënte një lojtar profesionist. Unë këto kam parë nga pankina, ndërsa ata që e kanë parë nga lart dhe më të qetë lojën mund të thonë gjëra të tjera”.

Cikalleshi, Boja dhe Smajli: Ky është Kukësi i vërtetë!
Sokol Cikalleshi, Pierr Boja dhe Dritan Smajli, ishin protagonistët e fitores së Kukësit kundër Flamurtarit. Sulmuesi shënoi dy herë, ndërsa kamerunasi dhe lezhjani nga një gol secili. “Është një gëzim i trefishtë për dy golat e shënuar dhe fitoren e ekipit. Ky është Kukësi i vërtetë, teksa nga dita në ditë kemi vetëm ngritje. Duhet të ruajmë këtë ritëm dhe të mos vetëkënaqemi. Si gjithmonë, golat e mi janë për të gjithë ata që e duan Kukësin”, – ka thënë Cikalleshi për “Panorama Sport”, i cili me dopietën e djeshme shkoi në kuotën e 11 golave. Ndërkohë, dje kamerunasi Boja e bëri sefte me Kukësin. “Më vjen mirë që më në fund shpërtheva me një gol të bukur me kokë. Goli im i parë i dedikohet tifozërisë së zjarrtë kuksiane”, – deklaroi sulmuesi i ardhur gjatë merkatos së verës. I fundit, pikërisht ai që vulosi fitoren, Smajli, pas ndeshjes u shpreh: “Të fitosh dhe të shënosh është kënaqësi e madhe. Sot (dje) i arrita të dyja dhe jam i lumtur për këtë. Falënderoj tifozërinë për përkrahjen. Shpresoj të vazhdojmë kështu për të arritur objektivat që ka vënë klubi”.

Hoxha dhe Dushku sqarojnë sherrin
Ylli Hoxha dhe Erion Dushku, të përfshirë në incidentin në fundin e ndeshjes, kanë deklaruar për “Panorama Sport” se ai nuk duhej të kishte ndodhur dhe se ndëshkimi me të kuq ka qenë i rëndë. “Nuk ishte as për karton të verdhë, e jo më për të kuq. U shtymë me njëri-tjetrin, por përplasja nuk ishte aq e madhe sa për këtë ndëshkim. Edhe Hoxha ishte fajtor”, – ka thënë Dushku i Flamurtarit. Ndërsa kosovari ka reaguar kështu. “Dushku më kapi për fyti, kur unë tentoja të qetësoja Likën dhe ta largoja nga festimet e tij provokuese ndaj publikut. Unë dhe Dushku më pas jemi shtyrë me duar, por mendoj se nuk ishte rasti për kartonë të kuq. Të verdhë ndoshta, ndërsa Lika që provokoi meritonte të kuqin. Gjithsesi, unë nuk jam pishman që kam mbrojtur tifozërinë e zjarrtë të Kukësit, edhe pse u ndëshkova rëndë nga arbitri”.
JONUZ HALLACI

GilmanLika_bolu_imzaGilman Lika: Ja pse bëra gjeste
Në fundin e ndeshjes së djeshme, Gilman Lika u bë protagonist me një supergol, por në të njëjtën kohë edhe i një tensioni të panevojshëm. Menjëherë pasi shënoi nga goditja e dënimit, ai shkoi të festonte te tribuna, ku ishin të vendosur ultrasit e Kukësit, teksa me gishtin para fytyrës donte t’u thoshte atyre të “mbyllin gojën”. Mirëpo, situata është acaruar së tepërmi, jo vetëm në shkallët e stadiumit, por edhe në fushë. Mesfushori i Kukësit, Ylli Hoxha, shkoi menjëherë për t’i tërhequr vëmendjen Likës, në mënyrë që ai ta linte pas atë mënyrë festimi, e cila provokonte shumë tifozët vendës. Në këtë moment është futur Dushku mes Hoxhës dhe Likës. Mbrojtësi lezhjan e ka kapur prej fyti kosovarin dhe gjakrat janë nxehur shpejt, teksa edhe Hoxha ka reaguar me të njëjtën monedhë më pas. Kjo ka mjaftuar që në fushë të ketë ndërprerje loje dhe tension. Pasi vëzhgoi atë që ndodhi, gjyqtari Meta i nxori direkt kartonin e kuq fillimisht Hoxhës dhe më pas Dushkut. Ndërsa, për gjestin që bëri, Lika u ndëshkua vetëm me karton të verdhë.
Reagimi – Dy orë pas ndeshjes, i kontaktuar nga “Panorama Sport”, Gilman Lika sqaroi pse reagoi ashtu pas golit në fundin e takimit kundër Kukësit. “E kuptoj që edhe mund ta kem tepruar me gjestin tim, por çdo gjë e ka një shkak. Po jua them me sinqeritetin më të madh se gjatë gjithë ndeshjes tifozë të veçantë të Kukësit nuk kanë lënë gjë pa më thënë. Ofendime shumë të ulëta, në një kohë që unë asnjëherë nuk i kam provokuar. Në këto kushte, pas golit reagova në atë mënyrë, sepse nuk më dukej e hijshme të ofendohesha pa asnjë shkak dhe për më tepër gjatë gjithë lojës”, – u shpreh fillimisht shkodrani. Si për ironi të fatit, të dy golat që ka shënuar këtë sezon me fanellën e Flamurtarit, Lika i ka realizuar në portën e Kukësit, por në dy humbje. I pyetur nëse ndjen keqardhje që dy supergola të tij në stadiumin “Zeqir Ymeri” kanë koinciduar në dështime të Flamurtarit, mesfushori u shpreh: “Normalisht që më vjen keq që, edhe pse kam arritur të shënoj dy herë në këtë stadium, nuk kemi marrë asnjë pikë. Duhet ta harrojmë sa më shpejt këtë humbje, pasi të mërkurën na pret një tjetër shumë e rëndësishme në Vlorë”.
JORGIS MEMO





www.minuta90.com