Kukësi është i pandalshëm në merkato. Merr Alikajn e Malotën, pret dhe Biskup

Panorama Sport | Gazeta me e madhe sportive ne vend

Postuar: Gusht 9, 2012 | 14:02

Kukësi është i pandalshëm në merkato. Merr Alikajn e Malotën, pret dhe Biskup

Kukësi është i pandalshëm në merkato. Dje drejtuesit e klubit debutues në Superiore kanë zyrtarizuar blerjen e mbrojtësit lezhjan, Renato Malota, si dhe të mesfushorit tiranas, Enkel Alikaj. 23- vjeçari Malota vjen pas aktivizimit me Partizanin dhe Dinamon, ndërkohë që 30-vjeçari Alikaj është me shumë eksperiencë në Superiore, teksa ka luajtur për skuadra si Dinamo, Teuta, Besa, Vllaznia dhe Kastrioti. Lojtarët janë prezantuar dje nga presidenti Safet Gjici. Të dy kanë nënshkruar kontrata 1-vjeçare me opsioni rinovimi edhe për një sezon. Pas afrimeve të fundit, numri i blerjeve të Kukësit shkon në 15 lojtarë. Kësisoj, skuadra që u ngjit për herë të parë në Superiore është një nga më aktivet në merkaton e verës. Drejtuesit e klubit kanë ambicie për ndërtimin e një ekipi që të jetë në vendet e para të renditjes.
Deklaratat Pas firmosjes së kontratave, Alikaj dhe Malota folën për “Panorama Sport”. Mesfushori deklaroi: “E kam studiuar mirë këtë ftesë dhe mund t’u them se firmosa me kënaqësi për Kukësin. Ky klub po bën investime serioze dhe ia vlen të luash. Më pëlqen projekti i presidencën dhe i premtoj se do të jap më të mirën. Besoj se do t’i arrijmë objektivat”. Ndërkohë, nga ana tjetër, mbrojtësi Malota u shpreh: “Kudo ku kam luajtur, kam hasur vështirësi dhe konkurrencë në skuadër, si te Dinamo, ashtu edhe te Partizani. Megjithatë, kjo më motivon më shumë për të dhënë gjithçka në fushën e lojës. Shpresoj që Kukësi të jetë ekip elitar”.
Lëvizjet Drejtuesit e Kukësit nuk kanë ndër mend ta mbyllin merkaton. Burime pranë presidencës tregojnë për gazetën se klubi pret rikthimin e mbrojtësit Elvis Prençi. Ky i fundit ende nuk ka firmosur për Nantën në Francë dhe, nëse nuk arrin akordin, atëherë me siguri do të rikthehet te kuksianët. Nga ana tjetër, mësohet se pas ardhjes së Alikajt, ka rënë pista për një afrim të mundshëm të mesfushorit Elton Muçollari, i cili vazhdon të jetë pjesë e Tiranës. Ditët e fundit ka dalë në skenë emri i kroatit Luko Biskup. Drejtuesit janë në bisedime me ish-mesfushorin e Skënderbeut dhe gjasat janë që ai të firmosë për Kukësin. Në ditët e ardhshme mund të ketë të tjera lëvizje, pasi mendohet se do të afrohet edhe një sulmues, por emri mbahet sekret nga klubi.

Gjici: Do kërkojmë trofe në debutim
Presidenti i Kukësit, Safet Gjici, kërkon trofe nga skuadra e tij që në debutim. Për “Panorama Sport” ai u shpreh entuziast për ecurinë e ekipit në Superiore. “Me nënshkrimin e kontratës së Alikajt dhe Malotës, mbajmë premtimin që bëmë rreth merkatos, teksa deklaruam që do të afrojmë edhe dy-tre lojtarë. Me këtë ekip që kemi krijuar, mendoj se jemi pretendentë. Dua trofe që në vitin e parë, pasi i kemi të gjitha mundësitë. Po bëjmë ndërkohë një stadium të ri. Ka filluar montimi i stolave dhe gjithçka po ecën mjaft mirë. Stadiumi do të jetë gati për ndeshjen e parë me Luftëtarin. E dimë që do të jetë një kampionat i vështirë, por besojmë te skuadra që po ndërtojmë. Tifozët të jenë të sigurt se do të bëjmë më të mirën”, – ka thënë dje presidenti Gjici.

Starova: Po dublojmë çdo pozicion
Drejtori teknik, Sulejman Starova, është truri i merkatos së Kukësit. Pas 15 blerjeve të bëra deri më tani, “Bobi” mendon se skuadra është thuajse e dubluar me lojtarë në çdo pozicion. “Kukësi po përgatitet në kushte ideale, të cilat mund t’i kishte zili çdo ekip. Klubi ka ambicie dhe për më tepër tani që kemi formuar një skuadër solide. Afrimet e fundit, Alikaj dhe Malota, mendoj se sjellin cilësi dhe rivalitet në ekip. Pozicionet në skuadër janë të dubluara tashmë, çka na jep garanci për një paraqitje dinjitoze. Mendoj se një shtysë e madhe për ekipin do të jetë edhe mbështetja e tifozëve, të cilët jam i bindur se do ta mbushin stadiumin e Kukësit. Të shpresojmë për një nisje të mbarë në ndeshjen e parë ndaj Luftëtarit”, – deklaroi Starova.
JONUZ HALLAÇI





www.minuta90.com