Kukësi e nis me fitore, mposht Bylisin 2-0, vendosin brazilianët Lima dhe Flores

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 23, 2015 | 16:40

Kukësi e nis me fitore, mposht Bylisin 2-0, vendosin brazilianët Lima dhe Flores

kukesi - bylisKUKËSI-BYLISI 2-0
GOLAT: 
Lima 44′, Flores 90+3′
KUKËSI:
Koçi, Hallaçi, Shameti, Malota, Mici, Hasani, Musolli (Xheferson 64′), Flores, Karioka (Birungueta 76′), Moreira, Lima (Rama 62′). (në dispozicion: Bash, Nika, Çema, Jonuzi). Trajner: Marcelo Troisi
BYLISI:
Mushica, Shoshi, Haliti, Hasani, Gjombrati, Gava (Kuli 81′), Tairi, Hyshmeri (B.Pepa 63′), E.Papa (Mustafaraj 70′), Peposhi, Hoxhaj. (në dispozicion: Ruçi, Kuçi, Basriu, Adenkule). Trajner: Agim Canaj
KARTONË TË VERDHË:
Gava 15′, Hasani 37′, Tairi 90′
DELEGAT:
Petrit Brahja (Tiranë)
VËZHGUES:
Astrit Dervishi (Shkodër)
GJYQTARET:
O.Sokoli, E.Doda, D.Agaraj (Tiranë)

Kukësi e nis me fitore bindëse kampi onatin dhe merr kryesimin pas javës së parë. Skuadra e Marcelo Troisit mposhti 2-0 Bylisin në stadiumin “Zeqir Ymeri”, teksa zhvilloi një loje spektakolare, veçanërisht në pjesën e parë. Ballshiotët u kujtuan të sulmonin në 45 minutat e dyta, duke vënë në vështirësi portën e mbrojtur nga Ervis Koçi. Diferencën e bënë lojtarët brazilianë të Kukësit, duke nisur nga sulmuesi Mateus Lima, që debutoi me gol, në një kohë që humbi disa raste të tjera. Ai që shkëlqeu mbi të gjithë ishte Erik Flores. Teknika e lartë, shpërthimet nga krahët dhe klasi që kishte braziliani, bëri që ballshiotët të dorëzohen pa kushte sa herë që ai prekte topin. Flores vulosi fitore me një gol fantastik në fund, duke u dhënë leksion ballshiotëve. Skuadra e Agim Canajt luajti gjithashtu një futboll të kënaqshëm, por gaboi jo pak në fazën mbrojtëse.

Pjesa e parë – Loja nis e vrullshme për Kukësin, teksa Troisi kishte hedhur në fushë një formacion sulmues, me brazilianët Flores, Karioka, Moreira e Lima, që vepronin në fazën ofensive. Bylisi preferoi të ishte në pozita pritëse që në start, duke menduar të godiste Kukësin përmes kundërsulmeve. Mirëpo, furia e nënkampionëve në fuqi ishte e papërballueshme. Mici nga krahu i majtë dhe Hallaçi në të djathtë ishin në mbështetje të sulmit dhe shpesh u bënë protagonistë me krosimet e tyre të rrezikshme në zonën e Bylisit. Lima humbet disa mundësi për të shënuar. Dominimi i Kukësit është total, por mungon finalizimi. Vendësit janë të pafat, pasi përmes Malotës godasin edhe shtyllën. Megjithatë, duhej të vinte fundi i pjesës së parë, që Kukësi të shënonte. Presioni i vazhdueshëm u shpërblye pas një kombinimi spektakolar të Floresit dhe Micit, e më pas goditjes me kokë brenda zonës të sulmuesit Lima. Goli çliron kuksianët, të cilët shkojnë të qetë në dhomat e zhveshjes, ndërsa ballshiotët duhet të mendojnë për të përmirësuar lojën. Gjithç- ka mbyllet me fitoren 1-0.

Pjesa e dytë – Canaj ndryshon skemën, por jo lojtarët. Bylisi e nis pjesën e dytë me variantin 4-3-3, teksa Hyshmeri e Peposhi nga krahët dhe Hoxha në qendër vepronin në fazën ofensive. Rritmi i lojës së Kukësit bie disi, i ndikuar edhe nga presioni i ballshiotëve. Enriko Papa për pak sa ndëshkon vendësit pas një aksioni personal, por portieri Koçi eviton një gol të sigurt. Troisi bën ndryshimin e parë, duke larguar Limën dhe aktivizuar sulmuesin Renaldo Rama. Nga ana tjetër, Canaj forcon sulmin me Pepën dhe Mustafarajn, ndërsa më pas aktivizon edhe Kulin. Bylisi është shumë i rrezikshëm, por mbrojtja e Kukësit me Malotën dhe Shametin në qendër bëhet barrikadë e pakapërcyeshme. Në 20 minuta e fundit, vendësit rimarrin veten dhe arrijnë që përmes kundërsulmeve të krijojnë raste të pastra për të shënuar. Birungueta i sapofutur i jep një tjetër impuls lojës, ndërsa Flores është i papërmbajtshëm. Megjithatë, goli vonon dhe duheshin minutat shtesë që Kukësi të qetësohej. Dyfishimi i shifrave vjen pas një aksioni spektakolar, ku kombinimet e Ramës me Birunguetën dhe Flores bëjnë që ky i fundit të shpikë një goditje brenda zonës, duke i kaluar topin poshtë këmbëve Shoshit dhe e dërguar në rrjetë. Stadiumi “Zeqir Ymeri” shpërthen në festë, ndërsa ballshiotët dorëzohen. Nuk ka më histori dhe ndeshja mbyllet me triumfin e merituar të Kukësit.

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"