Kuka tifoz i Tiranës, portieri i Kastriotit tregon objektivin e skuadrës krutane

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 29, 2018 | 18:36

Kuka tifoz i Tiranës, portieri i Kastriotit tregon objektivin e skuadrës krutane

Krutanët e kanë lënë pas krahëve humbjen ndaj Skënderbeut dhe tashmë janë të fokusuar totalisht te ndeshja e radhës ndaj Partizanit, përballje e cila do të zhvillohet të shtunën në orën 19:45 në “Selman Stërmasi”. Portieri Klajdi Kuka deklaron se humbja ndaj Skënderbeut e uli skuadrën me këmbë në tokë. Sfida e radhës për Klajdi Kukën është e veçantë, pasi portieri i krutanëve është një mbështetës i zjarrtë i bardhebluve, ekip tek i cili është formuar si futbollist. “Ndaj Skënderbeut vinim pas fitores në Gjirokastër dhe pakkush e priste atë rezultat.

klajdi kuka kastrioti

Gjithsesi, kjo humbje na uli disi me këmbë në tokë. Tani kemi nisur punën për takimin e radhës. Partizani, Tirana, apo edhe Vllaznia që luan në Kategorinë e Parë, kanë emër të madh në futbollin shqiptar. Por ne duhet të luajmë lirshëm, pavarësisht emrit të tyre. Ndeshja ndaj Partizanit është një sfidë e dyfishtë për mua, duke qenë se jam një tifoz i Tiranës. Shpresoj që kjo ndeshje t’i ngjajë asaj me Luftëtarin.

Në Gjirokastër shkuam për të mos humbur, dhe arritëm të dilnim me tri pikë. Edhe ndaj Partizanit, si fillim do të shkojmë për të mos pësuar, pastaj të tjerat t’ia lëmë lojës”, u shpreh fillimisht për mediat portieri i Kastriotit, Klajdi Kuka. Sa i përket skuadrës së Kastriotit dhe objektivit, portieri Kuka u shpreh: “Është akoma fillimi i kampionatit dhe skuadra ende nuk është konsoliduar plotësisht. Ka përmirësime, por do të na duhet pak kohë. Duke parë edhe dy vitet e mëparshme, kur Tirana luftoi për Kupat e Europës, ashtu si edhe Vllaznia një sezon më parë, ne duhet të qëndrojmë vetëm me këmbë në tokë.

Ndaj, objektivi i vetëm i Kastriotit është mbijetesa në Kategorinë Superiore”. Herald Marku- Kastrioti nuk e ka mbyllur merkaton dhe Herald Marku mund të jetë përforcimi i radhës. Mesfushori 22-vjeçar ka dalë nga akademia “Partizani” dhe është aktivizuar në Superiore me Tërbunin, ndërkohë që dy sezonet e fundit ka luajtur me në Gjermani te skuadra e Ludvigsfelde, por edhe te FC Frankfurt. Dje, mesfushori ka dalë në stërvitje me ekipin e Kastriotit dhe gjasat janë që së shpejti të mbyllet gjithçka me firmën e mesfushorit. Trajneri Plori ia njeh mjaft mirë aftësitë, duke qenë se ka punuar me të kur ishte pjesë e Tërbunit.

Bujar Balliu

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"