“Krizë e pajustifikueshme”, presidenti i Tomorit votëbeson Arbërin: Presim paraqitje dinjitoze

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 2, 2022 | 17:23

“Krizë e pajustifikueshme”, presidenti i Tomorit votëbeson Arbërin: Presim paraqitje dinjitoze

Pasi mbyllën javën e 6-të radhazi pa fitore (mes 1 barazimi dhe 5 humbjesh), situata te Tomori është alarmante. Edhe pse në radhët e ekipit vazhdojnë t’ia faturojnë këtë ecuri gjykimit, është fakt që pas 8 ndeshjesh të luajtura renditen të parafundit dhe me vetëm 5 pikë.

Collage Maker-02-Nov-2022-05.15-PM

Rreziku i rënies nga kategoria po ndihet, ndaj për të parandaluar më të keqen, janë vënë që të gjithë në lëvizje. Përfshi edhe kryebashkiakun Ervin Demo, që dje ka zbarkuar në stërvitje. Si për të shkundur apo motivuar lojtarët dhe ofruar besimin stafit teknik. Para se të shkonte në fushë, ai ka zhvilluar edhe një takim me bordin drejtues në zyrën e administratorit të klubit. Nuk kanë munguar as tonet e larta, teksa i pari i qytetit të Beratit, u ka kërkuar llogari për gjendjen ku ka përfunduar ekipit. Kryebashkiaku ka kujtuar se nga ana e tij dhe institucionit që drejton, janë përmbushur të gjitha detyrimet ndaj skuadrës duke nisur nga aspekti financiar, por jo vetëm. Më pas, ai ka zbritur në terren dhe është takuar me futbollistët. U shprehur atyre besimin e plotë, por në të njëjtën kohë ka kërkuar që edhe ata të justifikojnë të gjithë mbështetjen e bashkisë dhe t’i përgjigjen me rezultate.

KRYEBASHKIAKU – Gazeta “Panorama Sport” ishte e pranishme gjatë kësaj mbledhjeje dhe pas saj i mori një deklaratë Ervin Demos.

“Nuk kam çfarë të komentoj më shumë, sesa kam folur me bordin drejtues dhe vetë futbollistët. Jemi të shqetësuar dhe kjo situatë është sa e befasishme aq edhe enigmatike, për më shumë kur skuadra ka një përbërje që nuk e justifikon aspak këtë krizë rezultatesh. Nga ana jonë i janë plotësuar të gjitha kushtet si në pagesë ashtu edhe në akomodim. Mund të them pa asnjë rezervë, se jemi një nga bashkitë që janë shembull më vete dhe jemi një model në drejtim të trajtimit financiar edhe në krahasim me skuadrat e Superiores. Për sa i përket stafit teknik, nënvizoj një fakt shumë domethënës duke i dhënë të gjithë votëbesimin tim teknikut Klodian Arbëri dhe stafit të tij. I vlerësoj për përkushtimin, ndaj dua t’u uroj atyre dhe skuadrës kthesën e menjëhershme. E presim duke filluar nga Besëlidhja, ndeshje që e luajmë në Berat. Jo vetëm unë, por edhe sportdashësit beratas, i kërkojmë skuadrës që të përsërisë prezantimin dinjitoz sikundër përballë Lushnjës dhe Dinamos”, ka mbyllur kryebashkiaku, që ka edhe statusin e president të Tomorit.

EDI SPAHIU-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"