Kotobelli karikon skuadrën në prag të duelit me Dinamon: Teuta, gati për fitoren e radhës në “Air Albania”

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 3, 2024 | 11:53

Kotobelli karikon skuadrën në prag të duelit me Dinamon: Teuta, gati për fitoren e radhës në “Air Albania”

Teuta është e karikuar për të vazhduar serinë e fitoreve sot në “Air Albania”, ku vetëm pak ditë më parë mundi Tiranën me rezultatin 1-2.

kotobelli

Para ndeshjes me Dinamon, e shtyrë që nga java e 27-të për shkak të përmbytjes të fushës së stadiumit, ka folur për “Panorama Sport” kapiteni i skuadrës durrsake, Blerim Kotobelli, i cili ka theksuar se do të kërkohen 3 pikët e radhës. Mbrojtësi i majtë pohon se në këtë moment nuk duhet parë renditja dhe se ndeshjet duhen marrë me radhës, secila me vlerësim maksimal.

Kotobelli, a është gati Teuta për duelin kundër Dinamos?

Jemi gati besoj. Nuk ka ndeshje të lehta, pasi në Superiore çdo kundërshtar është i rrezikshëm. Kemi nxjerrë mësime nga gabimet që bëmë me Tiranën, edhe pse fituam. Jemi gati për nesër (sot) dhe duhet të vazhdojmë të marrim tri pikët.

Një fitore e mundshme ju afron më shumë me zonën e 4-shes. Ju si e shihni këtë fakt?

E dimë që është një ndeshje shumë e rëndësishme, sidomos pas fitoreve radhazi në këto javët e fundit. Kemi 4 fitore dhe 1 barazim, por rëndësi ka të vazhdojmë me këtë ritëm, që të shkojmë te suksesi në fund. Përgatitjet kanë shkuar mirë këto ditë, kemi punuar me shumë kujdes si për lojën mbrojtëse, ashtu edhe atë sulmues. Për të shkuar te fitorja, duhen bërë gjërat e duhura në fushë, aty duket gjithçka.

Si ju, ashtu edhe Dinamo vjen në këtë ndeshje në një moment të mirë, pas një fitoreje. Sa ua vështirëson punën gjendja e kundërshtarit?

Për të dy ekipet është një situatë pak e shumë e njëjtë. Por unë mund të flas për ekipin tim, jo për Dinamon. Te Teuta mbizotëron besimi dhe entuziazmi.

A mund të ngjitet kjo Teutë më shumë në renditje me këtë gjendje?

Në këtë moment nuk duhet të mendojmë për diferencën me ekipet e vendeve sipër nesh në renditje. Duhet të mendojmë të fitojmë ndeshjet tona, duke rritur paraqitjet tona javë pas jave.

Cili është objektivi tashmë që po i afrohemi fundit të sezonit?

Qëllimi primar është përmirësimi dhe deri më tani ia kemi dalë me sukses. Duhet të përqendrohemi për të marrë sa më shumë pikë, llogaritë do t’i bëjmë në fund.

ZAMIR QYPI-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"