Kastrioti do kthesën, probleme fizike për katër futbollistë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 1, 2023 | 20:57

Kastrioti do kthesën, probleme fizike për katër futbollistë

Vetëm 24 orë pushim janë lënë nga stafi futbollistët, e të martën ata kanë qenë nën urdhrat e trajnerit Mema, i cili ka vijuar me përgatitjet për ndeshjen e Kupës, por vëmendja e drejtuesve është përqendruar te takimi i radhës ndaj Erzenit, ku kërkohet kthesa. Ajo që ra në sy në seancën e radhës stërvitore ishte mungesa e disa titullarëve si S.Selmani e Karakaçi, ndërkaq Hasani e Stojanoviç kanë lënë stërvitjen në mes.

kastrioti

“Panorama Sport” ka mësuar nga drejtuesit se lojtarët Selmani e Karakaçi kanë pasur kontraktime të lehta muskulore, nuk janë bashkuar me të tjerët, ndërkaq dhe Hasani e Stojanoviç janë diferencuar nga stërvitja për të njëjtën arsye, kontaktime të lehta muskulore. Risi për krutanët do të jetë prurja e re, Redon Mihana, i cili ka vijuar përgatitjet me grupin e lojtarëve dhe pritet të jetë në formacionin e titullarëve ndaj Dinamos dhe ndaj Bylisit.

MERKATO – Te Kastrioti përveç Mihanës, që tashmë ka nënshkruar deri mesnatën e mbrëmshme, sipas drejtorit teknik Gazmen Vogli, pritet të nënshkruajnë dhe dy lojtarë të rinj, emrat e të cilëve për momentin nuk bëhen të ditur nga ana e klubit. Kastrioti gati për kthesën e madhe ndaj Erzenit, por më parë duhet të mbyllë llogaritë për Kupë ndaj Dinamos në ndeshjen e kthimit, e cila do të zhvillohet në F.Krujë.

Krutanët kanë avantazhin e takimit të parë të fituar 3-1 në “Selman Stërmasi”, rezultat që pothuajse ka kaluar në 8-she, ndaj nga sa mësuam, trajneri Mema ndaj Dinamos pritet të aktivizojë mjaft lojtarë që kanë pasur me pak hapësirë, kjo për dy arsye: për të parë gjendjen e lojtarëve të stolit, por më kryesore për të pasur të freskët titullarët, disa prej të cilëve në dy takimet e fundit kanë pasur kontraktime të lehta muskulore, por gjithsesi pritet një takim interesant, pasi Dinamo kryeson renditjen në Kategorinë e Parë, e çdo e papritur mund të ndodhë.

Dy humbje radhazi ndaj Laçit e Bylisit 4-1 në Laç e 1-0 në Ballsh, humbje, të cilat kanë komplikuar mjaft pozitën e Kastriotit duke prekur fundin e tabelës, sidomos humbja ndaj Laçit 4-1, që do të mbahet mend jo vetëm për shkak të humbjes së 3 pikëve, por thelloi më shumë kolonën e golave të pësuar. Ndërkaq, me humbjen ndaj Bylisit 1-0 lojtarët e Kastriotit janë përballuar si të barabartë me vendësit e me pak kujdes rezultati mund të ishte ndryshe.

SHKËLQIM HASANI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"