Kapllani, dopietë në Kupën e Gjermanisë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 17, 2014 | 13:38

Kapllani, dopietë në Kupën e Gjermanisë

KapllaniEdmond Kapllani ishte pa dyshim heroi i ndeshjes së djeshme të FSV Frankfurtit në fushën e modestëve të Siegen. Sulmuesi i Kombëtares shqiptare shënoi dy gola në barazimin e çmendur 3-3 të këtyre dy skuadrave, ndeshje kjo e vlefshme për turin e parë të Kupës së Gjermanisë. Ndonëse Frankfurti luante ndaj një skuadre të kategorive të ulëta, duhet thënë se përballja ishte tejet e fortë, aq sa u desh koha shtesë dhe gjuajtjet e penalltive për të bërë të mundur që Frankfurti të kualifikohej për më tej. Në fakt, takimi nisi në malore për skuadrën e dy shqiptarëve (luante nga minuta e parë edhe Odise Roshi), pasi në minutën e 17-të ishte Bouadoud që kaloi vendësit në avantazh. Frankfurti shokohet disi dhe starton me sulmet në kërkim të barazimit, por duke lënë shumë hapësira nga pas. Në një moment të tillë, në kundërsulm vendësit shënuan edhe golin e dytë me anë të shqiptarit me pasaportë gjermane, Ali Ibrahimaj. Surprizë e pakëndshme për Frankfurtin, i cili rihyn në lojë vetëm në minutën e 41-të pas golit të Jelen. Me këtë rezultat përfundon pjesa e parë. Në të dytën ngjitet “në katedër” Edmond Kapllani, i cili pat qenë disi në hije në 45 minutat e para. Fillimisht sulmuesi kuqezi barazon shifrat në minutën e 73-të, pas një penalltie dhe më pas rrezikon seriozisht portën kundërshtare me një gjuajtje me kokë. Mbrëmja e mundimshme e Frankfurtit do të vijonte në minutën e 87-të kur Kafenberger do dilte me karton të kuq. Gjithsesi ndeshja shkoi me shtesë dhe në minutën e 98-të, tetë minuta nga shtesa e parë, ishte Kapllani që shfrytëzoi më së miri një pasim nga e djathta dhënë nga Huber. Sulmuesi, pasi e ndali topin në zonë, gjuajti bukur duke shënuar golin e tretë. U duk sikur nuk do duheshin penallti në këtë ndeshje, por dy minuta nga fundi, Bouadoud barazoi shifrat dhe skuadrat iu nënshtruan fatit të penalltive. I pari te pika e bardhë shkon Kapllani, i cili sërish nuk gabon duke shënuar për Frankfurtin. Sakaq, gabon Dalmat për vendësit. Seria e penalltive vijoi deri te gjuajtja e tetë, pasi për vendësit gabuan më pas edhe Frish, Volina dhe Hartig, ndërsa për Frankfurtin gabuan Kruska, Shembri dhe Humber. Gjithsesi, në fund Beugesling realizoi 11-metërshin që i dha kualifikimin Frankfurtit.
LEONARD KARAJ

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"