Josa: Olainkën e mirëpres, por varet si reagon ekipi

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 3, 2015 | 18:18

Josa: Olainkën e mirëpres, por varet si reagon ekipi

olainka“Zhdukja” e Peter Olainkës dhe pendesa në harkun kohor të dy muajve, është bërë çështje e ditës në kampin korçar. Presidenti Ardjan Takaj vendosi që të pranonte faljen e lojtarit, duke pranuar kështu edhe rikthimin e tij, ndonëse kohë më parë i la në baltë, pasi babai nuk e lejonte të luante futboll.

Sulmuesi vetëm sot do të zbarkojë në Korçë, të paktën kështu është thënë. Lojtari menjëherë do të vihet nën urdhrat e Mirel Josës, por vështirë se do të gjejë menjëherë hapësirë për të qenë në llogaritë e trajneri. Ky i fundit do të shohë fillimisht reagimin që do të bëjë pjesa tjetër e grupit karshi lojtarit.

I kontaktuar nga “Panorama Sport”, Josa ka sqaruar se është në një linjë me presidentin. Pra, nëse Takaj pranoi pendesën e sulmuesit, edhe tekniku e mirëpret. Por jo edhe aq lehtësisht, pasi Josa e thotë hapur se nuk ka në plan që të prishë harmoninë në grup për një individ, qoftë ai edhe Olainka.

“Përderisa ka qenë vetë presidenti Takaj, ai që ka deklaruar se Olainka do të rikthehet te Skënderbeu, atëherë edhe unë nuk kam sesi të jem kundër tij. Ajo që unë mund të them lidhet me grupin, pasi varet se si mund të reagojë ekipi me kthimin e sulmuesit. Largimi i tij erdhi në një moment delikat, duke na krijuar jo pak vështirësi. Prandaj them të shohim reagimin që do të ketë grupi me të dhe sa do ta mirëpresë. Unë nga ana ime nuk kam asnjë kundërshtim me rikthimin e sulmuesit. Por dua të saktësoj diçka, nuk mund të prish grupin për një individ, qoftë ky edhe Olainka”, tha fillimisht Josa. Më tej ai rikujtoi edhe vuajtjet që klubi hoqi me vendimin e nxituar të sulmuesit që u “zhduk”. “Duhet të dimë një gjë, që lojtari iku nga Korça në një periudhë që ne nuk e prisnim. Madje, na detyroi që të futeshim urgjent në merkato për të gjetur zëvendësuesin e tij”, kanë qenë këto fjalët që ka thënë trajneri mbi vendimin e marrë nga presidenti për të pranuar rikthimin e afrikanit.

Përgatiti: LL.S

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"