“Jam vlonjat, e njoh mirë historinë”, replika e Gjokës: Idrizit ia tregoj mikpritjen në Cërrik, do rrijë gjatë në Kategorinë e Parë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 7, 2020 | 23:46

“Jam vlonjat, e njoh mirë historinë”, replika e Gjokës: Idrizit ia tregoj mikpritjen në Cërrik, do rrijë gjatë në Kategorinë e Parë

Presidenti i Turbinës, Gentjan Gjoka, i përgjig jet administratorit të klubit të Flamurtarit, Sinan Idrizi, një ditë pasi ky i fundit deklaroi për gazetën se kreu i cërrikasve kishte fyer Vlorën. Dje Gjoka foli për “Panorama Sport”, duke dhënë një mesazh për Idrizin, ndërsa i kujtoi këtij të fundit se origjina e tij është Vlora dhe e njeh shumë historinë e klubit Flamurtari. Presidenti i Turbinës nuk lë pas as ironitë për kreun e klubit vlonjat, ndërsa i kujton se mikpritjen do t’ia tregojë në ndeshjen e kthimit në Cërrik.

Gjoka Idrizi

DEKLARATA

“Mesazh për Idrizin. E para, sa për t’u njohur, unë jam vlonjat dhe e njoh historinë e Flamurtarit. E dyta, nuk kam dashur të ofendoj popullin e Vlorës, sepse e njoh shumë mirë historinë e këtij qyteti. E treta, kam 20 vjet që jam kontributor për sportin dhe çdo të shtunë e të diel, ekipi i futbollit Turbina përcjell emocion te ky qytet i vogël, që e do kaq shumë futbollin. Ke kohë t’i njohësh të gjithë presidentët e Kategorisë së Parë, sepse besoj se do qëndrosh për shumë kohë aty. Të mirëpres në Cërrik, që të kuptosh çfarë është mikpritja e një vlonjati, sepse njerëzit e afërt të presidentit nuk mund të shajnë trajnerin dhe stafin e ekipit mik. Me respekt, Gentjan Gjoka, datëlindja 27.07.1977, Dhërmi, Vlorë”, ka thënë presidenti i Turbinës.

FANELLAT

Pretendimet e Flamurtarit për të fituar ndeshjen në tavolinë për shkak të mungesës së fanellave nga Turbina janë hedhur poshtë nga Gjoka, në një kohë që ndeshja e së mërkurës nisi me 40 minuta vonesë. “Klubi ynë kishte tri fanella me vete, por vlonjatët i donin të bardha. Kur erdhën edhe të bardhat, atëherë i donin të kuqe… Na detyruan të merrnim fanella shtesë dhe i bëmë katër. Ishin kërkesa të pabaza ato të klubit vlonjat, sepse nuk kishin ngjashmëri. Megjithatë, kërkuam të na sillnin uniforma të bardha të tjera dhe na ndihmoi Apolonia duke na i sjellë me urgjencë nga Fieri. As ato nuk u pëlqyen vlonjatëve dhe nuk i përdorëm. Tani këta të Barcelonës (ironikisht për Flamurtarin) kërkonin që fanellat tona të mos kishin asnjë ngjyrë të kuqe. Thjesht kapriço e Idrizit, presidentit të klubit të madh”, deklaroi Gjoka.

MARIGLEN MIRAKA-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"