Izmir Smajlaj thyen rekordin pas 30 viteve

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 7, 2016 | 18:07

Izmir Smajlaj thyen rekordin pas 30 viteve

Është mbajtur dje në stadiumin “Elbasan Arena” dita e parë e garave e kampionatit të 78-të kombëtar për të rritur. Në këtë aktivitet marrin pjesë dhjetë skuadra nga Shqipëria dhe ato nga Kosova, por me këta të fundit që klasifikohen jashtë gare.

Untitled-7Bëhet fjalë për 214 sportistë në total, 152 nga Shqipëria dhe 62 nga Kosova. Ndërkohë, garat do të zhvillohen edhe ditën e sotme. Izmir Smajlaj i Vllaznisë spikati në garat e djeshme, teksa theu një rekord 30- vjeçar në 3-hapësh, pasi me kërcimin 16.30 metra, theu atë të Artan Dukës të Dinamos 16.09 m, që nuk thyhej nga viti i largët 1986.

Gjithashtu, në garën e 1500 metrave, Luiza Gega e Tiranës nuk e diskutoi vendin e parë, teksa e mbylli garën me kohën 4.18.47, duke mos i dhënë mundësinë rivaleve për t’i rrezikuar vendin e parë. Ndërkohë, Adriatik Hoxha i Teutës, në disk dhe gjyle, arriti të marrë vendin e parë në të dyja këto disiplina.

Në disk, Oneda Feka e Flamurtarit doli e para, ndërsa në gjyle, ky vend i takoi Laura Derhemit të Partizanit. Në garën e 100 metrave, i pari doli Mario Shestani i Tiranës, ndërsa për femra, Maria Stillo e Skënderbeut.

Sindi Prifti e Dinamos 2010 mori vendin e parë në 100 m/p, ndërkohë që Brunilda Xhaja e Tiranës doli e para te 400 m/p. Ekipi i Tiranës zuri dy vendet e para në 400 metra, me Edmond Murataj dhe Relaksa Dautin.

Një vend të parë në këto gara kishte edhe për Malvin Nikollin e Tiranës, në garën e 800 m, ndërkohë që në 3000 m/p, i pari doli Bledar Mesi i Vllaznisë. Genc Lugja, i ekipit të Tiranës, zuri vendin e parë në 5000 metra.

Rekordmeni- Shkodrani, që brenda 10 ditësh thyen edhe rekordin e trehapëshit, pasi, më parë, theu atë të kërcimit së gjati, në një prononcim për “Panorama Sport” u shpreh se e priste një gjë të tillë dhe se shpreson që të shkojë në finalet e kampionatit Europian dhe në Olimpiadë. “Jam i lumtur për këtë rekord dhe ia kisha vënë synim vetes për ta thyer që vitin e kaluar, ndaj isha i sigurt që këtë herë do ta thyeja.

Brenda 10 ditëve kam thyer dy rekorde dhe normalisht ndihem shumë mirë. Synimi im tani është që të paraqitem sa më mirë në Kampionatin Europian dhe në Olimpiadë, ku dua të hyj në finale”, u shpreh shkurtimisht Smajlaj, sportisti nga i cili të gjithë presin shumë edhe në arenën ndërkombëtare.

VLADIMIR MEMA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"