Ish-mbrojtësi i Besës tregon sekretin: Si e tolerova golin e Majacit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 1, 2018 | 20:53

Ish-mbrojtësi i Besës tregon sekretin: Si e tolerova golin e Majacit

Shkrimi i djeshëm i “Panorama Sport” rreth ndeshjes BesaApolonia 0-1, të luajtur 32 vite më parë, ka ngjallur nostalgjinë e ish-qendërmbrojtësit kavajas, Shyqyri Shala, protagonist në atë sfidë. Më shumë sesa takimi, Shala kujton me nostalgji dhe respekt, yllin e futbollit fierak dhe kombëtar, Kujtim Majacin.

mAJACI

Sipas qendërmbrojtësit, Shala nëse do luante sot, pa dyshim që Kujtim Majaci me klasin e tij do të ishte “ylli” i Kombëtares kuqezi dhe një futbollist që rrallë i ka ardhur Fierit e Shqipërisë. Kujtojmë se golashënuesi u nda disa vite më parë nga jeta vite dhe ishte nipi i qendërmbrojtësit Shyqyri Shala.

Qendërmbrojtësi verdhezi zbulon një sekret të pathënë në të gjithë këto dekada rreth asaj ndeshjeje dhe golit të të madhit Kujtim Majaci në fund që u dha fitoren fierakëve. Kjo, pasi të thuhej në atë kohë mund të sillte keqkuptime toleromi, për shkak të lidhjes dajë dhe nip.

SEKRETI

“Me Apoloninë e atij brezi të artë jemi ndeshur disa herë  dhe me Majacin si kundërshtar. Kujtimin nuk kishte mbrojtës që e mbante dhe atë ndeshje trajneri më caktoi mua ta markoja. Para asaj ndeshjeje, ndërsa ekipet do dilnin në nxehmje, Kujtimi më afrohet dhe më thotë: ‘Dajë, dua të të kërkoj diçka.

mAJACI

– Po, i thashë fol, po shpejt se na paragjykojnë (qesh)’, pasi stadium ishte i tejmbushur. ‘Kam 3 javë që kam një dëmtim të rëndë në tendinën e këmbës së djathtë. Nuk kam gjuajtur asnjëherë në stërvitje këto 3 javë bëj vetëm pasime me të djathtën. Aman mos bëj gabim të më shkelësh rastësisht sipër këmbës së djathtë sepse do qëndroj muaj pa luajtur’, më tha Majaci. Normalisht, si koleg dhe si nip më shumë i them: ‘Jo, mos ki merak’.

Loja u zhvillua e fortë dhe burrërore, sepse Apolonia ka pasur ekipin që vështirë t’i vijë më, plot yje e lojtarë cilësorë. Unë gjithmonë përqendrohesha te këmba e majtë e Kujtimit gjatë markimit në çdo aksion, pasi ai ishte tmerri i portierëve dhe lojtari kyç i miqve dhe sytë ishin të gjithë tek ai.

Asnjëherë nuk i ndërhyra te këmba e djathtë pasi të jem i sinqertë, gjatë 87 minutave lojë, asnjëherë nuk gjuajti me të djathtën drejt portës sonë.

Për të ardhur në minutën e 87-të, Kujtimi merr një pasim në këmbë dhe unë e kisha ngjitur duke e markuar të dy me shpinë nga porta jonë.

Apolonia_Majacit_980818272

Ai pranon topin dhe unë po e ruaja majtas të mos godiste portën, por në fraksion sekonde bën një gjysmërrotullimi me trup dhe pa parë fare portën kalon topin te këmba e djathtë godet dhe shënon supergol, aq sa portieri ynë Shkurti nuk e pa as topin. Apolonia fitoi dhe mua askush nuk më paragjykoi pasi ishte gol fantastik dhe asnjë nuk e dinte sekretin tim”, tregon Shala sekretin e golit të Majacit.

Qendërmbrojtësi kujton më pas bisedën që ka zhvilluar me nipin e tij Majacin pas disa vitesh që kishin kaluar nga ajo ndeshje. “Pas disa vitesh, ia kujtova atë episod dhe vërtet që ishte gjuajtja e parë e tij me të djathtën pas 3 javësh, por që fatkeqësisht na mundi. Është padrejtësi që njerëz të tillë personalitete të tilla ndahen nga jeta në kulmin e moshës, por që ndër dekada mbeten të paharruar për çfarë i dhanë futbollit shqiptar”, përfundon rrëfimin e tij për gazetën, Shyqyri Shala.

FERIZ FERIZAJ

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"