Ish-lojtari i Skënderbeut drejt firmës me Vllazninë, sot pritet zyrtarizimi. Gati edhe goditja në sulm

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 14, 2020 | 8:44

Ish-lojtari i Skënderbeut drejt firmës me Vllazninë, sot pritet zyrtarizimi. Gati edhe goditja në sulm

Vllaznia nuk ka në plan që të ndalet në këtë merkato. Klubi po bëhet gati për afrimin e 14- të në këtë merkato vere dhe ai do të jetë Eni Imami. Shkodranët kanë përfituar prej merkatos së bllokuar të Partizanit dhe kanë arritur akordin me mbrojtësin.

imami

Lojtari që sezonin e fundit e mbylli te Skënderbeu dhe po stërvitej të “demat” deri para disa ditësh, është drejt firmës me kuqeblutë. Pas vendimit të KAS, 27-vjeçari e ka pasur të pamundur që të luajë për llogari të kryeqytetasve dhe u hodh në kërkim të një tjetër ekipi. Vllaznia ka nxituar që ta bëjë të vetin dhe e ka bindur. Parimisht palët kanë gjetur dakordësinë për të lidhur një marrëveshje dhe sot pritet që të hedhë edhe firmën mbi kontratë.

Eni Imami ka qenë prej disa javësh në planet e shkodranëve, e megjithatë vetëm tani do t’i bashkohet ekipit. Ai bëhet kështu përforcimi numër tre për krahun e majtë, pasi herët kanë afruar maqedonasin Aleksandar Isaevski dhe Nertil Hoxhën.

Sulmi – Vllaznia blindon mesfushën dhe mbrojtjen, por llogaritë vazhdojnë të jenë të hapura me sulmin. Tomas Brdariç pret me padurim edhe një “pykë” e klubi nuk ka në plan që të ndalet derisa t’ia plotësojë këtë kërkesë gjermanit. Deri para pak ditësh ishin pranë firmës me Marko Simonovskin, por maqedonasi i refuzoi.

Vllaznia-2020-Tomas-Brdaric

Klubi i ofroi një kontratë që shkonte në 12 mijë euro, por që duhet të matej me paraqitje, minutazh e gola. Dhe sulmuesi u tha një “jo” të prerë shkodranëve, ndaj negociatat u ndërprenë. Drejtuesit kthyen edhe një herë vëmendjen te Haris Dilaver, që ishte si pistë para maqedonasit. Bisedimet me 30-vjeçarin nga Bosnja janë rikthyer dhe janë intensive, e megjithatë ende nuk mund të flitet për akord.

Ai është emri i vetëm me të cilin te Vllaznia po bisedojnë aktualisht, megjithatë nuk përjashtohet mundësia që në vazhdim të dalë ndonjë tjetër. Trajneri nuk do sasi në ekipin e tij, por cilësi dhe referuar këtij kriteri, në Shkodër nuk duan që të nxitohen derisa të gjejnë të duhurin.

ADMIR URUÇI-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"