Intervista e plotë/ Rrëfimi tronditës i Gentjan Muçës: Ju tregoj si munda tumorin!

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 2, 2017 | 22:47

Intervista e plotë/ Rrëfimi tronditës i Gentjan Muçës: Ju tregoj si munda tumorin!

Ndonjëherë jemi të dhënë kaq shumë pas punës dhe rutinës së përditshme saqë harrojmë se gjëja më krye sore është shëndeti. Kjo ndoshta vlen më shumë për sportistët, të cilët fatin e tyre dhe karrierën e kanë të lidhur ngushtë edhe me gjendjen fizike.

Gent Muca Fanatiks

Po çfarë ndodh kur problemet me shëndetin tejkalojnë mundësinë apo pamundësinë për të ushtruar profesionin që ke zgjedhur në jetë? Po kur bëhet fjalë për situata më kritike që kanë të bëjnë direkt me të ardhmen dhe jo vetëm me luajtjen e një apo 30 ndeshjeve? Atëherë frika dhe dilemat bëhen vërtet të mëdha, sepse pikërisht aty nis t’i lutesh Zotit për një shans të dytë.

Muca

Kjo i ka ndodhur Gentjan Muçës, mbrojtësit të Tiranës që iu desh të përballet me një nga momentet më të vështira në jetë. Nuk ishte çështje dëmtimi, por më e rrezikshme se kaq. Iu desh të luftonte me një tumor, që për fat të mirë rezultoi “beninj” dhe që tashmë e ka hedhur pas krahëve.

Gent Muca

Është një histori drithëruese, të cilën vetëm familjarët e tij e dinin deri më sot… Në një rrëfim për “Panorama Sport” futbollisti tregon peripecitë që ka hequr deri tani dhe kur mund të kthehet sërish në fushat e blerta.

Genti çfarë ka ndodhur me ty në 7 muajt e fundit, pse erdhi kjo ndërhyrje e dytë kirurgjikale?

Nuk dua që ta bëj dramatike, pasi për fat u mbyll me kaq. Muaji i fundit nuk ka qenë aspak i lehtë për mua, sidomos kur më thanë “ke masë tumorale”. Në korrik u diagnostikova me “displazi fibroze”, që është masë tumorale beninje, te qafa e femurit të majtë.

Si e kuptove, pasi të gjithë dinim që kishe probleme me hernien diskale?

Ndodhi pas asaj ndërhyrje. Pasi fillova rehabilitimin, po ndieja dhimbje te rrëza e kofshës së majtë. Pas kontrolleve dhe biopsisë që bëra fillimisht në Shqipëri, në muajin korrik u diagnostikova me “displazi fibroze”, e thënë shqip “masë tumorale beninje”. Ishte e lokalizuar me pak fjalë. Më pas mora analizat dhe u nisa në Itali, ku bëra sërish kontrolle të tjera dhe një tjetër biopsi. Spitali në Torino vërtetoi diagnozën që mora edhe në Tiranë.

Kur je operuar?

Më 10 tetor dhe operacioni zgjati afro 3 orë, duke përfshirë përgatitjet para ndërhyrjes. Pasi gërryen masën, më vendosën një material me fibra karboni, për të përforcuar strukturën e kockës.

Gjithçka qenka më e rëndë…

Arsyeja që nuk e bëra publike ishte prej familjes. Nuk doja të bëhesha objekt i mediave, për të shmangur një situatë edhe më të pakëndshme, pasi boll pritja 3-mujore na rëndoi të gjithëve.

Tashmë që kanë kaluar mbi 20 ditë nga ajo ndërhyrje, si është gjendja e Muçës?

Shyqyr Zotit, gjithçka shkoi mirë! Më mirë se kaq nuk mund të kishte. Falë ekipit mjekësor në Torino dhe materialit që më vendosën, që ishte fjala e fundit e shkencës, më dha prapë shpresë për t’iu rikthyer futbollit të luajtur. Pas muajit të tretë unë mund të nis edhe stërvitjen, pra në janar mund të zbres në fushë. Gjatë kësaj kohe më kanë këshilluar që të bëj biçikletë, pishina dhe, në fillim të vitit, më duhet që të shkoj në Itali për të bërë një tjetër kontroll.

Sa e vështirë ka qenë e gjithë kjo periudhë?

Vetëm periudha e pritjes që ndodhesha larg familjes, ishte tejmase e lodhshme. Por, falë kushërinjve të mi në Itali, konkretisht vajzës së xhaxhait, e cila e shndërroi shtëpinë në hotel dhe spital në të njëjtën kohë, ia dola. Ndaj për këtë e falënderoj shumë.

Gjithnjë ke reflektuar që je një djalë më shumë forcë, sa të ka ndihmuar ky fakt që të kaloje këtë situatë?

Jam i fortë, për shkak të mbështetjes së familjes, shoqërisë, klubit të Tironës, por mbi të gjitha Zotit. Të gjithë më ndihmuan që ta kaloja me sukses këtë sprovë. Gjej mundësinë të falënderoj agjencinë e sigurimeve shëndetësore “Sigal” për mbështetjen që më ka dhënë për kurimin e sëmundjes në klinikat italiane, falë bashkëpunimit edhe me klubin dhe FSHF-në. Sigurisht që nuk mund të harroj presidentin Refik Halili, i cili më ka mbështetur realisht shumë.

Pyetje e vështirë për t’u bërë, por a e ka menduar ndonjëherë Genti që të thotë “stop” dhe të mendojë tërheqjen nga futbolli?

Që të tregohem i sinqertë, në fillim mendova edhe më të keqen. Kur mora vesh diagnozën dhe u lexua skaneri, mendova shumë më shumë se do lija vetëm futbollin. Jo se unë doja të dorëzohesha, por ishte çështje risku.

Pas çdo të keqeje, thonë që vjen edhe e mira. Kështu ndodhi edhe me ty, pasi ke pak ditë që je bërë baba…

E thënë ndryshe: “pas vështirësisë, vjen lehtësimi”. Pas asaj periudhe të vështirë, u riktheva në kohë në Shqipëri për të pritur ardhjen në jetë të fëmijës tim të parë. Me ardhjen në jetë të djalit, gjithçka m’u bë më e lehtë. Ai më bëri të mundur që të harroja sikletin e këtyre muajve.

Na rrëfe pak, si është të jesh “baba”?

Nuk jam mësuar akoma të them të drejtën.

Në momentin që do të thotë fjalët e para, do bëhet gjithçka edhe më e lehtë…

Jam i sigurt që fjala e parë që do të thotë do të jetë “Tirona” (qesh).

Nuk të ndahet shpirti nga Tirana me sa duket…

Normale, është e pashmangshme.

Çfarë të ka munguar më shumë nga përditshmëria e një futbollisti?

Ndeshja e fundit që kam luajtur, ishte ajo në Shkodër me Korabin, më datë 7 mars konkretisht. Jo vetëm që më ka marrë malli të luaj, por mbi të gjitha për t’u stërvitur. Më mungon rutina e 20 viteve të jetës sime. Është pjesë e jetës sime, ndaj është e pashmangshme.

Përtej futbollit, a ke menduar se çfarë do të bësh në të ardhmen?

E kam menduar shumë herë këtë gjë, sidomos pasi u diagnostikova, pasi nuk më jepte shumë mundësi zgjedhjeje. Por, aty e kuptova që Zoti më bëri me dije që nuk jam gati akoma për të lënë futbollin. Por mund të them që futbolli do jetë gjithnjë pjesë e jetës sime. Një drejtues ndoshta, apo edhe trajner.

Të ndalemi pak te Tirana. Si e përjetuat rënien e ekipit në distancë?

Pas operacionit të parë, të hernies diskale, rënia e Tiranës ishte goditja e dytë e rëndë për mua. Atë kohë isha për rreth 6 muaj në Itali dhe sigurisht që nuk jam ndier mirë dhe atë që kam përjetuar nuk mund ta përshkruaj dot me fjalë. Por tashmë gëzohem me kthesën, ekipi po ringrihet. Është ndërtuar një ekip ambicioz për të Parën, por janë hedhur edhe baza të forta për Superioren e sezonit të ardhshëm.

Nëse riaftësimi shkon sipas planeve, Muçën mund ta shohin në fushë për Superioren?

Shpresojmë.

Marrëdhënia kontaktuale me Tiranën si është momentalisht?

E kam thënë gjithnjë, që mua me Tiranën nuk më lidh kurrsesi kontrata. Derisa dihej që mungesa ime do të ishte e gjatë, i bëra kërkesë presidentit dhe klubit që të mos federohesha. Pas janarit do kem një tjetër status.

Zero gola të pësuar në 6 javë, si mbrojtës çfarë note keni për këto shifra?

Më bëhet shumë qejfi që sulmi është “shëruar” dhe mbrojtja nuk po pëson. Kanë një mesatare perfekte. Si një mbrojtës që jam, i gëzohem faktit që lojtarët që kanë luajtur kanë treguar që janë në lartësinë e duhur për të ruajtur portën e paprekur. Shpresoj që të vazhdojnë kështu.

Ku e sheh Tiranën në fundin e këtij sezoni, pasi ata pretendojnë që t’i mbyllin me 54 pikë dy fazat e para?

Kanë diferenca të theksuara, me sa kam parë unë. Kundërshtarët janë nën nivelin mesatar. Dhe fakti që kanë Tiranën në grup, ka ndikuar që ata të mos krijojnë ekipe kompetitive. Nuk kanë rivalë sigurisht dhe ky fakt i shërben Tiranës që mos bëjnë hapa falsë.

Meqenëse e ke parë nga jashtë, çfarë ka ndryshuar te Tirana nga sezoni i kaluar dhe aktuali?

Mentaliteti. Nuk mjafton që të kesh emrin “Tirona” dhe duhet të fitosh me patjetër. Gjithsecili që punon në klub e ka kuptuar se sa Tirana i mungon Kategorisë Superiore dhe nuk është për Kategorinë e Parë.

Kupa mund të jetë një ndeshje matëse për të treguar forcën dhe në këtë tur përballë kanë Vllazninë, ekip që i vendosi “vulën” në rënie?

Është një kapriço e fatit që shorti i vendosi sërish përballë. Nuk është e largët dita kur u ndeshën për të diskutuar qëndrimin në kategori. Them që do të jetë një “barometër” për Tiranën dhe ekipi do të ketë motivimin dhe përgatitjen e duhur për ta përballuar këtë ndeshje dhe për të pasur një motiv më shumë sezonin tjetër.

Të gjithë e dimë që Tirana ka një “Fanatics” në mes të ekipit. Si e ka parë Muça situatën e krijuar me tifozët?

E di që tifozët janë rikthyer në stadium, por me Vllazninë për Kupë do të jenë më prezent se kurrë.

Për ta mbyllur, mund të na thuash kush ka qenë momenti më i bukur dhe më i shëmtuar i karrierës së Gentjan Muçës?

Momenti më i bukur nuk ka ardhur akoma. Ndërsa dita më e keqe, ishte ajo kur ra Tirona.

ADELA MERKO

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"