Interi përmbys Fioren dhe rikthehet i dyti

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 27, 2013 | 14:20

Interi përmbys Fioren dhe rikthehet i dyti

Inter-FiorentinaTani mund ta themi: ky Inter është për titull sivjet. Valter Maxarri i ka dhënë realisht një identitet kësaj skuadre, e cila pas përmbysjes së djeshme 2-1 kundër Fiorentinës, mund të ëndërrojë realisht për objektiva të mëdha, si titulli kampion për shembull. Edhe pse ofroi paraqitjen më të dobët të këtyre daljeve të para, fitorja dhe karakteri i fortë që Kambiaso e Xhonatan me shokë ofruan, është një sinjal i fortë për të ardhmen e sezonit. Me tri pikët rikthehen të dytët, përkrah Napolit edhe Juves.
Super-Handanoviç – Mbase Interi nuk e priste një Fiorentinë të tillë. Zikaltrit, edhe pse mundohen të shtyjnë në minutat e para, janë të paqartë. Këtë herë kanë përballë një Fiorentinë thuajse perfekte në mbrojtje, por totalisht e tillë në mesfushë dhe në kundërsulm. Nëse rasti i artë për gol është një kundërsulm që pa 5 interistë kundër 2 fiorentinëve, me Taiderin që nxitohet dhe shpërdoron duke goditur me të majtën, janë miqtë nga Firence ata që janë më të qartë. Nëse nuk do të kishte qenë për Handanoviçin, do ta gjenin veten në disavantazh 2- 0. Në të 11-ën minutë Rosi godet saktë brenda zonës, por pritja e sllovenit është spektakolare, ashtu sikurse përgjigja ndaj të djathtës së Hoakinit, vetëm pak metra larg kuadratit, në minutën e 28-të. Interi rrezikon dhe trajnerit Maxarri nuk i pëlqen aspak loja e të tijve, duke u nervozuar me të drejtë. Përveç disa driblimeve që ofron Alvarezi në zonë, mënyra e të sulmuarit është e gabuar, me krosime të Xhonatanit nga e djathta, që nuk shërbejnë për të frikësuar askënd.
Përmbysje e çmendur – Pjesa e dytë nisi me një “bombë” të Guarinit, me kolumbianin e Interit që vë në provë portierin Neto, i cili me grushte devijon në goditje këndi. Deri në minutën e 59-të ky ishte i vetmi rast për t’u shënuar, përpara se Huan Hezus të markojë më ashpër seç duhet Hoakinin në zonë dhe për arbitrin nuk ka dyshime, penallti. Nga pika e bardhë paraqitet Xhuzepe Rosi dhe Handanoviç duhet të dorëzohet. 1- 0 për Fiorentinën, që dërgon për herë të parë në disavantazh Interin në këtë sezon. Kaq mjafton dhe në “San Siro” ndihen edhe vërshëllimat e para, vërshëllima që Guarin i përçmon në momentin e zëvendësimit të tij me Ikardin, vërshëllima që e nervozojnë shumë skuadrën e Maxarrit. Për të reaguar nevojitet eksperienca dhe qetësia, ajo që karakterizon kapitenin Kambiaso, i cili përfiton nga një goditje këndi dhe nga rrëmuja në zonë që krijon dalja e gabuar e portierit Neto, për të stopuar topin dhe për të shënuar me një gjysmëroveshatë spektakolare, që barazon shifrat në 1-1. Këtu vjen edhe kthesa e madhe, sepse Interi beson dhe ai që kërkon të mposhtë Fiorentinën dhe vërshëllimat e publikut është Xhonatan, i cili shtatë minuta nga fundi lëshon një të djathtë fluturimthi brenda zone, që është e pakapshme. 2-1 për zikaltrit dhe rezultati final mund të ishte më i thellë, nëse Pereira në të 87-ën do e dërgonte topin në duart e Netos. Gjithsesi, vërshëllima finale jep verdiktin; Interi fiton me përmbysje një ndeshje të vuajtur, të kontestuar (nga vërshëllimat e tifozëve) dhe të luftuar dhe vazhdon ëndrrën për titull.

Maxarri: Reagim kampionësh!
Valter Maxarri pre zantohet i qeshur përpara gazetarëve, teksa për 70 minuta u pa nervoz dhe i pakënaqur. Gjithsesi, Interi i tij e bën që të ndryshojë humor shpesh, ashtu si ndeshja e ofruar dje: “Kundër Fiorentinës ishte hera e parë që shkonim në disavantazh sivjet dhe diçka të tillë e kërkoja në kokën time, edhe pse nuk do doja që ajo të ndodhte kurrë. Por, duke parë reagimin që ofruam në fushë, një reagim prej kampionësh dhe mbi të gjitha përpara një ‘zonje’ skuadër si Fiorentina, mund të them se e kaluam pozitivisht edhe këtë test. Interi im për titull? Mund të them se jemi një skuadër e madhe, por për këtë trofe janë shumë në garë apo jo, edhe Fiorentina dhe Juventusi, – vazhdon Maxarri, që më pas ndalet te vërshëllimat e tifozerisë ndaj Fredi Guarinit. – Është e vërtetë që ai në fushë bëri disa gabime sot, por unë nuk e zëvendësova për këtë. Pastaj, reagimi i tij ndaj tifozëve ishte një acarim i momentit, por në fund gjithçka mendoj se do të zgjidhet shpejt. Ndërrimi i Guarinit ishte i detyruar, sepse ishim në disavantazh dhe duhej të reagonim. Fatmirësisht, ndërrimet na dhanë më shumë shtysë përpara dhe shumë shpejt erdhën golat. Mungon ende diçka në zotërim? Fiorentina na dominoi, sidomos në pjesën e parë, por në fund shoh se diferenca me ata është shumë e vogël, 52 për qind me 48. Prandaj, nuk besoj se një shifër e tillë duhet të më bëjë të shqetësohem. Ajo që më gëzon, është fakti që ky ekip tashmë është kurajoz dhe energjik, ndonëse ndonjëherë falë këtyre cilësive rrezikojmë të ndëshkohemi shpesh dhe të mbesim në disavantazh numerik. Alvarez si Hamshik? Po, mendoj se gjithmonë e më shumë po i ngjason atij dhe unë jam i lumtur që e kam në dispozicion një lojtar kaq të rëndësishëm. Ka shpejtësi, forcë fizike dhe driblim. Po të vazhdojë kështu, do të shndërrohet shpejt në një lider”, – u shpreh trajneri i Interit.

Guarin debaton në distancë me tifozerinë
Mbase nuk ishte një nga ndeshjet e tij më të mira me fanellën e Interit, por Fredi Guarin mbase nuk i meritonte vërshëllimat që tifozeria e tij i rezervoi në momentin e zëvendësimit të tij. Por, edhe mesfushori kolumbian nuk u nënshtrua, përkundrazi, nuk i pranoi aspak ato dhe me disa gjeste reagoi, njësoj sikur donte të thoshte: “Ju jeni të çmendur, vazhdoni të vërshëlleni, sepse nuk dini të vlerësoni askënd!”. Por, ky nervozizëm mbase u shua shumë shpejt tek të dyja palët, sepse Kambiaso barazoi dhe gjithçka kaloi në plan të dytë. Gjithsesi, media italiane nënvizoi pas takimit se Fredi Guarin ishte ende shumë i revoltuar me këtë përplasje në distancë me tifozët
Përgatiti: JETON STAMOLLA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"