Ilir Daja sjell Europën në Tiranë, Ballkani-Viktoria Plzen luhet të enjten në “Air Albania”

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 24, 2023 | 20:04

Ilir Daja sjell Europën në Tiranë, Ballkani-Viktoria Plzen luhet të enjten në “Air Albania”

Gjendja shumë e keqe e fushës në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë, ka bërë që Ballkani të detyrohet që ndeshjen e ardhshme të Ligës së Konferencës ta zhvillojë në Tiranë.UEFA të premten ka njoftuar se ndeshja Ballkani–Viktoria Plzen do të luhet më 30 nëntor në “Air Albania”, në Tiranë, duke e hequr mundësinë që takimi të luhet në Prishtinë. Një opsion ishte edhe stadiumi i qytetit të Kukësit, por duke qenë se kushte janë më të mira në Tiranë, u vendos që shtëpia e re e Ballkanit në Europë, të jetë stadiumi “Air Albania”.

daja

“Për shkak të kushteve të përkeqësuara të fushës pas ndeshjeve të fundit, ndeshja e radhës e fazës së grupeve të Ligës së Konferencës ndërmjet Ballkanit dhe Viktoria Plzenit është zhvendosur nga stadiumi ‘Fadil Vokrri’ në Prishtinë në stadiumin ‘Air Albania’ në Tiranë. Ndeshja do të zhvillohet të enjten prej orës 18:45”, ka shkruar UEFA.

Konfirmimi i Ballkanit

Te Ballkani i Suharekës kanë konfirmuar që ndeshja me Viktoria Plzenin do të luhet në “Air Albania” në Tiranë. Duket e pabesueshme, por Kosova nuk ka asnjë stadium që plotëson kushtet për ndeshje të kupave evropiane. Ndeshja e kampionit kosovar me skuadrën çeke është të enjten.

“Po, ndeshja do te zhvillohet ne ‘Air Albania’. Aktualisht gjendja e stadiumit në Prishtinë nuk është aspak e mirë, kështu që është dashur të gjendet një alternativë. Më e mira ishte zhvendosja nga kryeqendra e Kosovës në atë të Shqipërisë”, ka thënë Kushtrim Reshitaj, zëdhënës i Ballkanit.

“Duke qenë se jemi skuadra e vetme shqiptare që luajmë në Evropë, mbështetje të madhe vazhdimisht kemi edhe ashtu nga të gjitha trojet, andaj kjo ndeshje në Tiranë do të jetë mundësi për shumë tifozë nga Shqipëria që të na ndjekin nga afër. Përbërja e Ballkanit është një kombinim i futbollistëve nga shumë vise shqiptare, e tillë është edhe vetë Kombëtarja që u kualifikua për Evropian, andaj ky duel në ‘Air Albania’ do të jetë i veçantë sepse luajmë aty ku u arrit suksesi historik i Shqipërisë”, ka shtuar Reshitaj.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"