I skadoi kontrata, Daniel Xhafaj largohet nga Teuta

Panorama Sport | Gazeta me e madhe sportive ne vend

Postuar: Maj 30, 2014 | 9:29

I skadoi kontrata, Daniel Xhafaj largohet nga Teuta

XhafajI skadoi kontrata, Daniel Xhafaj largohet nga Teuta Daniel Xhafaj largohet zyrtarisht nga Teuta. Sulmuesi vlonjat, autor i 14 golave në kampionatin e fundit me fanellën e durrsakëve, ka marrë dje letrat në klub. Kontrata e tij përfundoi me Teutën dhe tashmë golashënuesi i shquar është në kërkim të një skuadre tjetër në karrierën e tij të pasur. “Po, mund ta konfirmoj se nga sot u mbyll historia ime me Teutën. Kontrata ime përfundoi dhe mendoj se kam bërë më të mirën për skuadrën durrsake. I falënderoj të gjithë, duke filluar nga presidenti Hasanbelliu, stafin teknik dhe veçanërisht tifozët e Teutës, të cilët më kanë mbështetur vazhdimisht. E ardhmja? Unë e kam thënë që kam ende shumë për të dhënë. Ndihem mirë fizikisht për të vazhduar karrierën në nivele të larta. Shumë shpejt do të mësoni skuadrën e re, tani nuk mund të them asgjë konkrete”, – është shprehur sulmuesi për “Panorama Sport”. Xhafaj është vetëm tre gola larg rekordit që e mban shkodrani Vioresin Sinani, me 208 të shënuar. Nga sa mësohet, ofertat për vlonjatin nuk mungojnë. Së fundmi ka sinjale se Partizani synon golashënuesin. Mësohet se trajneri i ri, Shpëtim Duro, e ka në plane, por kjo mbetet për t’u konfirmuar në ditët në vijim. Për momentin sulmuesi po pushon pranë familjes së tij në Tiranë.
Talentet – Teuta është mbajtur si skuadër që furnizon kampionatin shqiptar me futbollistë, por asnjëherë nuk ka marrë më të mirën e lojtarëve të saj. Në radhët e Teutës ndodhen disa lojtarë që premtojnë për të ardhmen, por nuk kanë pasur mundësi të tregojnë vlerat e tyre të vërteta. Çyrbja, Kastrati, Beqja e sulmuesi Rezi ndodhen në momentet e tyre të shpërthimit dhe mund t’u besohet më tepër nga ana e stafit teknik.
Leonidha Musaj





www.minuta90.com