I shënoi dy gola Dinamos, sulmuesi i Flamurtarit ka një mision: S’e lëshojmë kreun

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 28, 2022 | 19:28

I shënoi dy gola Dinamos, sulmuesi i Flamurtarit ka një mision: S’e lëshojmë kreun

Flamurtari kërceu “samba” në kryeqytet. Fitorja me Dinamon, 1-5, nuk harrohet lehtë. Vendimtarë ishin golat e Fausto Silveirada Silva Xhonatan dhe Mateos Iakoveli. Ky i fundit u fut nga stoli dhe vetëm në shtesë e gjeti dy herë rrjetën. Për “Panorama Sport”, braziliani thotë se ishte një fitore e madhe që i ngjiti në krye.

iakoveli

Sipas 24-vjeçarit tri pikët kishin vlerë të jashtëzakonshme në këtë fitore të madhe dhe paralajmëron se tani do të bëjnë çmos që të mos e lëshojnë më vendin e parë.

“Me Dinamon ishte një ndeshje shumë e rëndësishme për ne. Mund të them se ishte një fitore e madhe për Flamurtarin. Morëm pikë të plota, të cilat kishin vlerën e tyre të madhe për të na ngjitur në vendin e parë në renditje. Tani kemi marrë kreun e kampionatit dhe duhet të bëjmë maksimumin për ta mbajtur këtë pozicion për të arritur objektivat që kemi. Nuk ishte aspak e lehtë pasi dihen vlerat e kundërshtarit, ishte ai që udhëhiqte tabelën e klasifikimit deri në momentin që ne i rrëmbyem kreun. Kjo fitore na gëzon shumë. Por natyrisht që e prisnim pasi kishim punuar gjatë gjithë javës për të marrë një rezultat pozitiv. Në fushë ne hyjmë vetëm për fitore pasi jemi shumë të qartë për objektivat që kemi. Do ta çojmë Flamurtarin ku e ka vendin dhe jemi të ndërgjegjshëm se çfarë duhet të bëjmë”, thotë fillimisht braziliani.

GOLAT – Mateus Iakoveli është shumë i lumtur që po i shërben skuadrës duke shënuar gola. Premton se ky është vetëm fillimi për ta, pasi ka ende për të dhënë për vlonjatët.

“Jam shumë i lumtur që shënova edhe dy gola të tjerë. Zoti është shumë i mirë me mua. Jam këtu për të bërë maksimumin dhe për të dhënë më të mirën time për skuadrën. Premtoj se do të përpiqem për të bërë sa më shumë gola, pasi është edhe detyra ime. Golat ua dedikoj tifozëve, por kam edhe një dedikim special për bashkëshorten time që ka ditëlindjen. Është një grua, nënë dhe vajzë e denjë. Jam shumë krenar për të!”, shprehet shtatlarti i sulmit.

VAZHDIMËSIA – Të dielën luhet në shtëpi me Orikun në derbin e bashkisë, përballë publikut vlonjat. Sipas brazilianit, është e nevojshme të zhvillohet një lojë e bukur dhe të merret maksimumi.

“Asgjë nuk ka përfunduar, kemi shumë rrugë për të bërë kështu që duhet të jemi me këmbë në tokë për të dhënë maksimumin me qëllim që të arrijmë të marrim atë çka të gjithë dëshirojmë. Në ndeshjen e radhës duhet të luajmë bukur, pasi jemi para publikut tonë dhe natyrisht edhe të marrim maksimumin”, përfundon Iakoveli.

ERMAL SIKA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"