Humbja në Durrës, te Kukësi ka një plan masash për gjoba. Ja prapaskenat…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 30, 2019 | 14:07

Humbja në Durrës, te Kukësi ka një plan masash për gjoba. Ja prapaskenat…

Kukësi u thye në Durrës, ku nënkampionët pësuan humbjen e dytë në kampionat. Sulmi, por dhe sektorët e tjerë nuk iu përgjigjën trajnerit Shpëtim Duro në mënyrën më të mirë të mundshme. Vërtet ishte një disfatë që erdhi nga një penallti mjaft e dyshimtë, por skuadra nuk duhet të kishte lejuar të arrinte deri në atë pikë.

teuta kukesi

Sulmuesit duhet të kishin shënuar e mbrojta duhet të ishte shumë e kujdesshme, veçojmë rastin e Edis Maliqit, ku mund ta kishte shmangur kartonin e dytë të verdhë. Gjithsesi, verilindorët nuk e kishin menduar kurrsesi një humbje në Durrës, pasi drejtuesit kishin dhe kanë shumë besim tek ekipi.

Humbja ndaj Teutës e ka mërzitur mjaft presidentin Gjici, e gazeta mëson se kjo ecuri me uljengritje e ekipit nuk i ka pëlqyer kreut të klubit, i cili ka gati një plan masash për skuadrën. Së pari, ekipi kishte marrë gjobë muajin qershor, por duke parë që më shumë se gjysma e skuadrës është larguar, kreu i klubit kishte premtuar se do ua falte gjobën lojtarëve aktualë, pra do ua jepte. Por, tashmë që pësuan një tjetër humbje, nuk dihet se kur do të jepet ky muaj dhe nëse do jepet.

Në klub flitej që pikërisht ky muaj për lojtarët e mbetur do merrej mbas fitores me Teutën, por tashmë që ajo fitore nuk erdhi dhe Kukësi madje nuk arriti të marrë dot as dhe një pikë, tashmë nuk dihet kur kjo rrogë do të jepet Masa e dytë, por përfundimtare në lidhje me financat mund të jetë që ekipi t’ia hedhë pa ndonjë gjobë, por ndonjë lojtar i veçantë mund të preket nga kjo gjë. Gjithsesi, në ditët në vijim do të zbardhet e vërteta.

Ndërsa aspekti i tretë është ulja në stol e lojtarëve që nuk kanë justifikuar paraqitjet e tyre ndeshjen e fundit. Nuk do të ketë më të paprekshëm në ekipin verilindor. Gazeta ka pyetur drejtues të klubit në lidhje me çështjen e gjobave, por nuk ka marrë një përgjigje, ku as është pohuar dhe as është mohuar kjo gjë.

DREJTUESIT

Presidenti Gjici prej kohësh nuk e takon ekipin apo nuk bën mbledhje, jo se nuk do, por sepse ka preokupime të mëdha politike dhe vendore.

safet gjici

Çdo gjë në lidhje me klubin, presidenti Gjici ua ka deleguar disa personave të afërt të tij, në ato administrative vëllait të tij dhe administratorit në letra të Kukësit z. Lavdrim Gjici, ndërsa në aspektin sportiv Nderim Nexhipit, e pa dyshim në atë teknik trajnerit Shpëtim Duro. Tashmë pritet fitore në dy takimet e ardhshme ndaj Vllaznisë dhe Skënderbeut.

S. Sulozeqi – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"