Haxhiu: Skënderbeu feston në shtëpi, nuk rrezikon

Panorama Sport | Gazeta me e shitur sportive ne vend

Postuar: Maj 11, 2016 | 11:01

Haxhiu: Skënderbeu feston në shtëpi, nuk rrezikon

Ka provuar t’i drej tojë të dyja skuad rat, por në momentet kur kishin objektiva për të qenë pjesë e Superiores dhe jo për të luftuar për titullin kampion.

10993404_424844010998737_3490786758824739392_nGerd Haxhiu, aktualisht trajner i skuadrës së Luftëtarit, në një intervistë për “Panorama Sport”, sheh si favoritë për të fituar titullin kampion korçarët, pasi sipas tij luajnë për dy rezultate në ndeshjen ndaj Partizanit.

Keni drejtuar si Skënderbeun dhe Partizanin, por jo kur garonin për titull. Çfarë ka ndryshuar tani në këto dy ekipe?

Kanë ndryshuar shumë të dyja, si në presidencë, ashtu edhe në financa. Për Skënderbeun kemi thënë që është klubi më i pasur në Shqipëri, ashtu sikundër Partizani që tashmë ka marrë ambientet e tij dhe ka një projekt serioz dhe financa të shëndosha. Gjithashtu, janë dy skuadra që kanë kontingjent të plotë dhe kjo i bën të dy ekipe që do të rivalizonin deri në fund.

Si i shihni këto dy skuadra përpara ndeshjes që do të vendosë titullin kampion, në rast se korçarët fitojnë?

Partizani psikologjikisht nuk është i favorizuar në këtë takim, pasi vjen nga një humbje dhe fakti që ky rezultat ka ndodhur vetëm një javë më parë, nuk i bën të kuqtë shumë favorit. Por, këtë gjë nuk mund ta themi për Skënderbeun, që përveçse luan në shtëpi, ka në favor dy rezultate, fitoren dhe barazimin dhe mund të menaxhojë situatën. Gjithashtu, korçarët kanë kualitete për të arritur rezultatin që dëshirojnë dhe e shoh shumë të vështirë që Partizani të fitojë në këtë ndeshje, për të mbajtur të hapur çështjen e titullit kampion.

Hapi fals që Partizani bëri në sfidën ndaj Bylisit do t’i kushtojë shumë. Mund të gabosh, por ndaj një rivali direkt dhe jo ndaj një ekipi që lufton për të mbijetuar në Superiore. Besoj se përqendrimi në atë ndeshje nuk ka qenë i mjaftueshëm, pasi sa i takon cilësisë ajo ishte në anën e Partizanit.

Nëse do ta ndanim në përqindje, sa do t’i jepnit çdonjërës prej ekipeve për të fituar këtë ndeshje?

Në futbollin e sotshëm, faktori psikologjik është mjaft i rëndësishëm dhe nëse do të konsiderojmë vetëm këtë faktor, atëherë Skënderbeu ka 60 për qind të shanseve për të fituar, ndaj Partizani vetëm 40.

Mendoni se Skënderbeu do të arrijë të fitojë titullin e gjashtë kampion rresht, duke bërë atë që asnjë skuadër në vendin tonë nuk e ka bërë?

Skënderbeu është me meritë në vendin e parë, por nuk duhet të harrojmë se edhe Partizani ka gabuar shumë dhe nga këto dy herë me Bylisin. Por edhe Skënderbeu e ka bërë një gjë të tillë, madje në disa ndeshje nuk ka bërë lojë të kënaqshme. Por pjekuria e disa lojtarëve e bën të fortë atë skuadër.

Gjithashtu fizionomia fituese që kjo skuadër ka krijuar e favorizon atë dukshëm në lidhje me kundërshtarët. Skënderbeu e ka të qartë që nëse bën një hap fals ndaj Partizanit, e pret një ndeshje shumë e vështirë në ndeshjen e fundit ndaj Flamurtarit. Por, them se korçarët do të duan të festojnë në fushën e tyre dhe nuk do ta lënë për në fund çështjen e titullit kampion.

ARMAND HALILI

 






www.minuta90.com