Halili: Do i vendosim përkthyes Ze Marias, e zgjidhim me Muzakën

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 17, 2018 | 16:14

Halili: Do i vendosim përkthyes Ze Marias, e zgjidhim me Muzakën

Tirana rikthehet si ka mpione në elitë dhe sigurisht që për presidentin është një çlirim. Refik Halili i gëzohet mbylljes së këtij kapitulli dhe konfirmon se e ardhmja do të jetë më e mirë. Numri një i klubit kryeqytetas konfirmon se Ze Maria është nën kontratë, ndaj nuk ka vend për rinovim. Megjithatë, që të vijë konfirmimi, sigurisht që palët duhet të ulen për të diskutuar për disa pika të marrëveshjes.

halili

Në një intervistë të dhënë enkas për “Panorama Sport”, presidenti dha edhe një lajm të mirë për çështjen “Muzaka”. Ai foli për të parën herë rreth rrezikut që i kanoset për borxhin ndaj ish-mesfushorit, duke i dhënë përgjigje edhe ankesës që trajneri pati për mungesën e komunikimit.

Si ndiheni pas shpalljes kampion i Kategorisë së Parë?

E rëndësishme është që klubi dhe ekipi kthehen aty ku e kanë vendin, në Kategorinë Superiore. Shpresojmë që të vazhdojmë me ecurinë tonë të mirë, pasi synimet janë që të bëjmë më të mirën për të ardhmen.

Keni filluar që të mendoni për merkaton. A do kemi ndryshime në organikë për Superioren?

Është shumë shpejt që të flasim për këtë gjë.

Çfarë po bëhet me çështjen “Muzaka”, keni hyrë në bisedime me të për borxhin?

Çështja “Muzaka”? E kam dëgjuar dhe e kam parë. E kam ndjekur prej jush, javë për javë dhe ditë për ditë. Shpresojmë që çdo gjë të shkojë mirë.

A keni hyrë në bisedime apo akoma?

Shpresoj që do të shkojë çdo gjë mirë. Besoj se është e mjaftueshme kjo përgjigje.

Po me Ze Marian a do vazhdojë bashkëpunimi?

Ze Maria ka kontratë me Tiranën. Dhe sigurisht kontrata ka detajet e veta. Do të ulemi të bisedojmë me trajnerin dhe do të vendosim.

Para një jave, Ze Maria deklaroi se nuk kishte dijeni për rrezikun që i kanosej ekipit për borxhin ndaj Muzakës, madje është ankuar për mungesën e komunikimit…

Është me vend kjo që thoni ju dhe Ze Marias duhet t’i vëmë një përkthyes që t’ia thotë çdo gjë. Shpresojmë që në të ardhmen ta bëjmë.

VLADIMIR MEMA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"