Greca: Kam luajtur me dhimbje, jam tifoz i Tiranës dhe kam idhull Fortuzin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 30, 2017 | 10:30

Greca: Kam luajtur me dhimbje, jam tifoz i Tiranës dhe kam idhull Fortuzin

Një tifoz i Tiranës që në vogëli dhe në këtë moment të karrierës shënon golin e dytë me bardheblutë. Bedri Greca deklaron se ndaj Vllaznisë ka luajtur me kavilje të dëmtuar që në fillim të takimit, pasi kishte marrë një goditje.

greca

Goli shijon më shumë kur nuk je në gjendje të mirë fizike…

Unë jam në formë të mirë, por për fat të keq në fillim të ndeshjes mora një goditje në kavilje dhe ndieja dhimbje. Më vjen shumë mirë që shënova dhe jam i lumtur për këtë.

I dyti për Tiranën, por me më shumë vlera si gol…

Po, edhe për faktin se përballë ishte Vllaznia, një skuadër me shumë traditë.

A mund të quhet i mbyllur kualifikimi?

Jo, aspak! Nuk është i mbyllur. Në përballjen e kthimit mendoj se duhet të bëjmë një ndeshje taktike, të ruajmë rezultatin.

Trajneri ju aktivizon vetëm në ndeshje të forta, si ndiheni?

Është zgjedhje e tij dhe ai i sheh mirë cilësitë e lojtarëve. Si unë dhe si çdo tjetër te Tirana ka cilësi dhe bën mirë kur zbret në fushë. Trajneri përzgjedh atë që ka cilësitë e duhura në bazë të kundërshtarit apo edhe mënyrës së lojës që kërkon.

Sa të vështirë e keni i vetëm në sulm?

Jo, personalisht ndihem më mirë kur jam vetëm. Kjo për faktin se kam pesë futbollistë nga pas që më ndihmojnë. Pavarësisht se ndonjëherë duket sikur nuk bëj lojën e duhur i vetëm në sulm, personalisht i pëlqej hapësirat.

Keni luajtur në disa skuadra, si e cilësoni aventurën me Tiranën?

Këtë zgjedhje e kam dashur që fëmijë, pasi kam qenë tifoz i Tiranës në vogëli. E kam ndjekur edhe në stadium. Tani që jam në këtë skuadër, më është realizuar një ëndërr e madhe. S’e kisha menduar kurrë të luaja me këtë ekip në të Parën.

Idhulli juaj në fëmijëri kur keni ndjekur Tiranën?

Ka pasur shumë. Një prej tyre që do ta veçoja, po e them edhe siç e quanim në stadiume: “Zogu i Tironës” (referuar epitetit të Indrit Fortuzit). Një sulmues, golashënues i madh i Tiranës.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"