Godet në sulm Besa, vijnë Sefa e Canka

Panorama Sport | Gazeta me e shitur sportive ne vend

Postuar: Korrik 14, 2012 | 13:57

Godet në sulm Besa, vijnë Sefa e Canka

Ashtu siç kishte premtuar edhe më parë, presidenti i Besës, Nexhat Bizhdili, vazhdon punën për ndërtimin e skuadrës së sezonit të ardhshëm. Dje, krejt papritur, nën urdhrat e trajnerit Ilir Daja janë vënë re edhe dy futbollistët lushnjarë, Fation Sefa dhe Mikel Canka. Pas interesimit të gazetës, presidenti Bizhdili konfirmoi se të dy sulmuesit kanë firmosur dhe do të jenë pjesë e kavajasve të paktën për një sezon. Gjithashtu, gjatë seancës në pistën e stadiumit është stërvitur edhe sulmuesi Parid Xhihani, i ardhur nga Ukraina, ku luajti për disa vjet. Mësohet se edhe ai është në bisedime me Bizhdilin dhe shumë shpejt mund të bëhet pjesë Besës në Kategorinë Superiore. Në këtë mënyrë krahas sulmuesve të rinj Hasa e Batha, tashmë numri i tyre shkon në katër bashkë me Sefën e Cankën. Ky i fundit për herë të parë vishet verdhezi, ndërsa Fation Sefa ka qenë pjesë e skuadrës . Pas mesfushës po blindohet kështu edhe sulmi, ndaj nuk do të jetë çudi që deri më 20 korrik, kur Besa starton fazën përgatitore në Bullgari, të kemi ndoshta edhe ndonjë blerje tjetër, që sipas të gjitha gjasave mund të jetë në repartin e mbrojtjes, ku edhe ka më tepër nevojë.
Blerjet – Canka dhe Sefa mesa duket i kanë dhënë fund aventurës së tyre te skuadra e Lushnjës. Pas një sezoni të mrekullueshëm në Kategorinë e Parë, ku verdhejeshilët pas ndeshjes së “play off”-it nuk mundën të ngjiteshin në Superiore, lojtarët kanë vendosur të largohen përfundimisht nga aty. Shkak për një largim të tillë është bërë mosmarrëveshja që kishin me trajnerin Saimir Malko. Ky i fundit nuk i kishte përfshirë lojtarët në stërvitje, për rrjedhojë ata nuk i kursyen akuzat në drejtim të tij. Pasi pritën edhe përgjigjen e drejtuesve të ekipit në lidhje me të ardhmen e tyre, lojtarët vendosën të largohen. Ndërkohë presidenti Bizhdili ka punuar shumë për t’i bindur sulmuesit që ata të jenë pjesë e Besës në Kategorinë Superiore. Nuk duhet të harrojmë se sezonin e shkuar Canka vlerësohej si një nga sulmuesit më të mirë të Kategorisë së Parë.
FERIZ FERIZAJ






www.minuta90.com