Gjeti golin pas 17 javësh, peruani Rivas: Tani nuk ndalem më, Kukësi gati për kthesën e madhe

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 27, 2023 | 18:57

Gjeti golin pas 17 javësh, peruani Rivas: Tani nuk ndalem më, Kukësi gati për kthesën e madhe

E premtoi për “Panorama Sport” para ndeshjes me Laçin që do të zhbllokohej në sfidën me Laçin dhe ashtu ndodhi. Bëhet fjalë për sulmuesin Karlos Rivas, të cilit i mjaftuan 23 sekonda për të shënuar ndaj kurbinasve. I lumtur që më në fund theu tabunë e golit, 23-vjeçari pohon sërish për gazetën se e priste për një kohë të gjatë dhe shpreson që të mos ndalet më.

Rivas

“Normalisht jam shumë i lumtur që shënova golin e parë me Kukësin. Të them të drejtën e prisja për një kohë të gjatë dhe më në fund ndodhi. Jam i sigurt që është i pari nga shumë golat që do të shënoj në vijim. Objektivi im personal është që të jem në gjendje gjithnjë për të shënuar dhe të ndihmoj ekipin në çfarëdolloj mënyre të mundshme”, u shpreh fillimisht peruani i Kukësit, të cilit iu deshën 17 ndeshje për të lënë shenjën e tij në kampin verilindor, ndonëse paraqitjet pozitive nuk i kanë munguar.

ECURIA – Sa i përket faktit që ekipi doli me vetëm një pikë ndaj kurbinasve, Rivas është i bindur se dhanë më të mirën e tyre, por tani do të shohin përpara. “Për fat të keq nuk mundëm ta fitonim ndeshjen kundër Laçit. Punuam gjatë gjithë javës për të shkuar tek tri pikët, por ky është futbolli dhe tani na mbetet vetëm të punojmë për të marrë një rezultat pozitiv në takimet që do të kemi në vazhdimësi”, pohoi më tej Karlos Rivas, i cili është një nga pikat kryesori të ekipit të Stavri Nicës në fazën ofensive.

Sulmuesi u ndal edhe tek ecuria e barazimeve dhe ndeshjeve pa fitore, duke shprehur bindjen se do të marrë fund shumë shpejt. Sipas tij, vetëm me punë do t’ia dalin ta kalojnë këtë situatë. “Fatkeqësisht u bënë disa ndeshje që nuk kemi fituar dhe kemi bërë një seri barazimesh. Por, nëse të gjithë punojmë shumë, siç kemi bërë deri më tani, kam besim se do ta bëjmë kthesën që në ndeshjen e radhës”, u shpreh në prononcimin e tij për gazetën lojtari i Kukësit, i cili u afrua këtë merkato vere në kampin verilindor. Pak e nga pak nisi të kapë ritmin e futbollit shqiptar dhe u kthye në një titullar tek blutë, edhe pse po haste vështirësi për të gjetur rrugën e rrjetës. Pritet që edhe në vijim të jetë një lojtar i rëndësishëm për Kukësit.

VLADIMIR MEMA- PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"