Gallo firmos me Tiranën, Çota: Sot nis kthesa jonë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 27, 2013 | 10:02

Gallo firmos me Tiranën, Çota: Sot nis kthesa jonë

Cota dhe Caushaj ne grumbullim me TiranenAlpin Gallo nënshkruan zyrtarisht me Tiranën. Por, çështja ende e paqartë lidhet me kohëzgjatjen. Ka nënshkruar për 30 ditë apo 1 vit? Burime të sigurta në klub tregojnë se ka firmosur kontratë mujore, ndërsa vetë trajneri thotë se është sezonale. “Gjithçka u mbyll, kam firmosur për një vit”, – tha tekniku. Sot pritet që ai të debutojë kundër Besës, sfidë që vlen vetëm tri pikë. Ndërkohë edhe Mirel Çota beson se kthesa e madhe e Tiranës do fillojë pikërisht sot në Kavajë. Sulmuesi mendon se, pas luhatjeve të mëdha në rezultate, për bardheblutë ka ardhur koha që të marrin rrugën e fitoreve. Në një intervistë të dhënë për gazetën ai shprehet se beson që edhe vetë do të gjejë golin, ndonëse thekson se prioritet është që skuadra të marrë pikët e plota.
Mirel, nesër (sot) luani me Besën, si pritet kjo ndeshje?
Është një ndeshje tepër e rëndësishme për ne, e cila duhet fituar me çdo kusht. Jam i bindur që pas 90 minutave festa do të jetë e gjitha për ne. Është kundërshtar jo i lehtë, por ne do ia dalim.
Shumë luhatje në rezultate, kur mendoni se do kthehet Tirana?
Duke filluar nga Kavaja. Kjo sfidë do të shënojë për ne rrugën e kthesës së madhe. Jam i bindur për këtë. Kemi pasur luhatje në këto 8 javë. Kemi luajtur mirë, por s’kemi marrë pikë. Ndërkohë, kur nuk kemi shkëlqyer, kemi fituar. Ky është futbolli.
Mendoni se rrezikon këtë sezon Tirana?
Kurrsesi jo. Unë e kam thënë dhe do vazhdoj ta them: Tirana nuk do rrezikojë asnjëherë rënien nga kategoria.
Çfarë objektivash keni këtë sezon?
Zonën “Euro” këtë vit nuk do e diskutojmë, ndërsa më pas mund të pretendojmë diçka më tepër. Gjithashtu mos e çoni në mendje që ne do rrezikojmë rënien e aq më pak të biem. Do ngjisim shkallët në renditje dhe do kthehemi aty ku i shkon përshtat këtij klubi, në majat e tabelës.
Keni 8 ndeshje pa shënuar, si e keni përjetuar mungesën e golit?
Jo fort mirë, të them të drejtën. Mbi të gjitha kur ekipi humbiste. Jam sulmues dhe detyra ime është që të shënoj. Nuk është se kam bërë ndeshje të këqija, pasi gjithnjë kam dhënë më të mirën në fushë, por goli më ka munguar.
Mendoni se do e rigjeni golin?
Po, sigurisht që po. Shpresoj që në këtë ndeshje.
Një “bast” me veten mund ta vendosni?
Dëshira është e madhe që të shënoj shumë dhe ta ndihmoj ekipin, por parashikime s’mund të bëj. Di t’ju them që në këto 3 javë të mbetura, skuadra duhet dhe do të marrë 9 pikë të plota. S’janë ndeshje të lehta, por me grupin që kemi do ia dalim.
Iku Dede, erdhi Gallo, çfarë mund të na thoni për këtë lëvizje në stol?
Për mua si futbollist Dede është një ndër trajnerët më të mirë. Sa i përket Gallos, besoj se derisa e kanë zgjedhur, do të jetë po aq i mirë.
ADELA MERKO

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"