Firmosin Çaushaj dhe Kaja, pritet Jovanoviç. Tirana angazhohet seriozisht në merkato

Panorama Sport | Gazeta me e shitur sportive ne vend

Postuar: Gusht 30, 2013 | 13:47

Firmosin Çaushaj dhe Kaja, pritet Jovanoviç. Tirana angazhohet seriozisht në merkato

CaushajTirana bën dy goditjet e radhës në merkato. Ilirjan Çaushaj dhe Ervis Kaja janë zyrtarisht futbollistë bardheblu. Dje në mesditë, mesfushori dhe mbrojtësi kanë nënshkruar një marrëveshje me klubin kryeqytetas. Kontrata e tyre është 1-vjeçare dhe mund të konsiderohen pa dyshim si dy përforcime për skuadrën. Ata kishin ditë që ishin afruar në ekip, por vetëm dje kanë mbyllur gjithçka, duke hedhur të zezën mbi të bardhë. Të dy lojtarët për “Panorama Sport” shprehen të kënaqur për këtë transferim, teksa nuk ngurojnë të premtojnë se do japin maksimumin për ngjyrat bardheblu. Ilirjan Çaushaj, i ardhur nga skuadra kampione e Skënderbeut, është i kënaqur për arritjen e këtij akordi. “Jam i kënaqur për arritjen e marrëveshjes. Tirana është ekip i madh, çka kuptohet nga titujt që ka mbi shpinë. Ky është një klub që vështirë të refuzohet, madje mund të luash erdhe pa parà. Premtoj se do të jap më të mirën time me këtë fanellë dhe shpresoj që të arrijmë objektivat maksimale, pse jo, të marrim trofe. Duke filluar nga ndeshja me Laçin, besoj se bardheblutë do ta nisin me fitore”, – tha Çaushaj. Edhe kavajasi Ervis Kaja, është i lumtur për mbylljen me sukses të kësaj marrëveshje. “Nuk është pak të bashkohesh me Tiranën. Është një klub me emër dhe me traditë. Jam i kënaqur dhe do mundohem që të jap maksimumin tim në çdo ndeshje. Ne prej kohësh vijojmë stërvitjen dhe tashmë që kampionati po afron, jam i bindur se do ta nisim mbarë. Me një trepikësh kundrejt Laçit, do vazhdonim më të sigurt këtë sezon”, – përfundoi qendërmbrojtësi i Tiranës.
Serbi – Sulmuesi serb Milan Jovanoviç pritet që të dalë sot në stërvitje me Tiranën. Pasi i është kërkuar që t’u bashkohet bardhebluve, lojtari ka kthyer përgjigje pozitive dhe mendohet që sot ai të jetë i gatshëm. Lojtari 30-vjeçar, i cili së fundmi ka luajtur me Radniçki Nish, nga të dhënat duket mjaft cilësor, ndonëse fillimisht stafi teknik kërkon që ta shohë dhe më pas të vendosë.

Bardheblutë i bëjnë ofertë Liridon Kukajt
Tirana i ka bërë ofertë mbrojtësit të Prishtinës, Liridon Kukaj. Mirëpo, vetë lojtari për gazetën kosovare “Sport Plus” thotë se ky transferim mund të kryhet vetëm gjatë merkatos së janarit. Drejtuesit bardheblu i kanë bërë ofertë mbrojtësit, duke qenë se prej kohësh është në planet e trajnerit Dede. “Po, Tirana më ka bërë ofertë, por për momentin po mendoj vetëm për Prishtinën”, – pohon Kukaj. Të dielën Prishtina do të luajë ndaj Trepçës ’89 dhe lojtari shpjegon se nuk ikën, pa e mbyllur këtë ndeshje. “Pa e kryer ndeshjen kundër Trepçës ’89 nuk lëviz askund, por gjasat janë që t’i bashkohem Tiranës në afatin kalimtar të janarit”, – përfundoi kosovari, i cili në të kaluarën ka luajtur në Shqipëri pikërisht te Vllaznia dhe Gramozi.

Synohen tre nigerianë nga Bylisi
Tirana pritet që të marrë disa lojtarë nga Bylisi në formë huazimi. Bëhet fjalë për tre futbollistë nigerianë të skuadrës ballshiote, të cilët mund të transferohen në kryeqytet në formë huaje. Salomon Izuçuku (mesfushori 24-vjeçar), Adebajo Adigun (mbrojtësi 22-vjeçar) dhe Olalekan Bola (mesfushori 21- vjeçar), mund të kalojnë te bardheblutë. Nuk bëhet fjalë për asgjë zyrtare, thjesht të dy klubet kanë hyrë në bisedime për të mbyllur një marrëveshje të tillë. Gazeta kontaktoi me presidentin e skuadrës mallakastriote, Edmond Kapllanaj, i cili ndonëse nuk konfirmoi emra, tregoi se është i gatshëm që ta ndihmojë Tiranën duke i dhënë hua disa nga lojtarët e tij. “Asgjë nuk ka formë zyrtare. Thjesht kemi biseduar me drejtuesit e klubit të Tiranës dhe, nëse do të jetë e nevojshme, unë jam i gatshëm që t’i ndihmoj bardheblutë duke dhënë ndonjë nga futbollistët tanë”, – tha kreu i klubit të Bylisit për “Panorama Sport”. Megjithatë, konkretizimet priten në vazhdim, por gjithsesi para se të mbyllet zyrtarisht edhe merkatoja.

Ja klauzolat në kontratat e bardhebluve
Kushti i kontratave te Tirana do të jetë ashtu siç ishte planifikuar. Pagesat për bardheblutë do vazhdojnë si një vit më parë, me minutazh. Lojtarët pritet që të mos përfitojnë shuma marramendëse, sikundër ishim mësuar më parë, por ato pritet të jenë më normale, nuk do t’i kalojnë 40-50 milionë lekë të vjetër në sezon. Sakaq, lojtarët që do të jenë titullarë, marrin 100 për qind të pagës, ndërsa ata që e nisin nga stoli 70, kurse ata që nuk luajnë vetëm 30. Ndër të tjera ka një klauzolë që parashikon pagesën edhe për lojtarët e dëmtuar, të cilët do të marrin vetëm 70 për qind të pagesës mujore dhe jo më shumë.

Largohen dy serbët
Dy qendërmbrojtësit serbë, të cilët u provuan në miqësoren kundër ekipit të të rinjve, nuk e kanë bindur trajnerin Nevil Dede. Për pasojë, u kthyen andej nga erdhën. Milan Marinkoviç dhe Ljubo Baranin nuk do vazhdojnë më provën me ekipin. Sakaq, i vetmi nga të huajt që ka qëndruar, është sulmuesi kroat, Vedran Gerc, i cili me 99 për qind të mundësive pritet të firmosë një kontratë me bardheblutë.

Pritet tjetër sponsor
Sipas të gjitha gjasave, nuk do të jenë vetëm tre sponsorët e Tiranës. Pas Ndriçim Babasit, Refik Halilit dhe Lul Morinës, mund të ketë ndonjë tjetër biznesmen që do të investojë te bardheblutë. Pista “Lutfi Nuri” nuk është e mbyllur përfundimisht, por nuk përjashtohet mundësia që të ketë ndonjë emër tjetër surprizë që do t’i bashkëngjitet kësaj treshe sponsorësh.
ADELA MERKO






www.minuta90.com