Fieri nderon Kujtim Majacin, një libër për legjendën e Apolonisë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 15, 2017 | 19:15

Fieri nderon Kujtim Majacin, një libër për legjendën e Apolonisë

Edhe pse që nga korriku i vitit 2009 nuk është më midis nesh, idhulli më i madh i tifozërisë dhe legjenda e futbollit fierak, Kujtim Majaci, vazhdon të respektohet dhe të nderohet për kontributin e shquar, për klasin dhe korrektësinë e treguar në fushën e lojës. Në kuadrin e 55-vjetorit të lindjes, dje u zhvilluan një sërë aktivitetesh.

Kujtim Mjaci statuja

AKTIVITETET

Ato u hapën me vendosjen e luleve dhe kurorave në shtatoren e ngritur në qendër të qytetit të Fierit ku, përveç njerëzve të thjeshtë, tifozëve, ish-lojtarëve e trajnerëve të klubit Apolonia dhe pushtetarëve vendorë, morën pjesë edhe deputetët Fatmir Mediu e Adelina Rista.

Pas homazheve, u kalua në një nga sallat e Akademisë së futbollit Apolonia ku, në prani të një pjesëmarrjeje të gjerë u promovua libri monografik “Legjenda Majaci” shkruar nga shkrimtari Namik Selmani.

Kujtim Majaci lulet

Më pas, në stadiumin “Loni Papuçiu” u zhvillua ndeshja finale e turneut “Kupa Majaci” për moshën 15-vjeçare që kishte nisur një muaj më parë me pjesëmarrjen e ekipeve nga Fieri, Lushnja, Berati e Vlora. Në këtë finale u ndeshën skuadrat e Apolonisë dhe Apolonia 98.

Ndeshja, e cila u zhvillua në prani të një numri të konsiderueshëm tifozësh, familjarëve të ishfutbollistit, shokëve dhe të afërmeve të tij, por edhe të ish-lojtarëve bashkëkohës e specialistë të futbollit, u fitua me rezultatin 1-0 nga ekipi i Apolonisë. Kupën “Majaci” fituesve ua dorëzoi Albi Majaci, djali i të ndjerit.

Kujtim Majaci libri

MAJACI

Kujtim Majaci ndërroi jetë në plazhin e Semanit më 14 korrik të 2009-ës. Ai kishte qenë në mesditë në plazh me të afërm të tij. Pasi kishte luajtur futboll me disa të njohur, u fut në ujë për të larguar djersët. Por, vetëm pasi kishte bërë disa hapa ai u përplas në ujë. Të afërmit pranë tij e kanë marrë menjëherë dhe me automjete e kanë nisur me urgjencë në Spitalin Rajonal Fier. Edhe pse ekipi mjekët qenë munduar t’i jepnin ndihmën e parë, ai ndërroi jetë si pasojë e një goditjeje në zemër.

Kujtim Majaci finalja

Kush ishte Kujtim Majaci

Kujtim Majaci u lind në Fier më 14 mars 1962. Për 15 vite ai luajti me Apoloninë dhe ekipin kombëtar, ku në total shënoi 174 gola. Në vitet 1979-1980, me ekipin e të rinjve, ai shpallet kampion i dimrit. Menjëherë në fazën e dytë, ai thirret nga trajneri i të rriturve Vangjel Capo dhe që nga ajo kohë bëhet pjesëtari më i rëndësishëm i ekipit të parë.

Që në vitin e parë të Apolonisë në Kategorinë e Parë në sezonin 1985-1986, Kujtim Majaci thyen rekordin disavjeçar të golashënuesit më të mirë të kampionatit. Ai, me 20 golat e tij, shpallet rekordmeni i ri i asaj kohe, duke lënë pas Ilir Përnaskën me 19 gola. Kujtim Majaci ka qenë i grumbulluar për 10 vjet rresht me ekipet kombëtare.

Mikel Mbriçaj

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"