Fenomeni Ilir Daja, arkitekti i Ballkanit të shqiptarisë/ Leksion për kryeqytetaset

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 27, 2023 | 20:54

Fenomeni Ilir Daja, arkitekti i Ballkanit të shqiptarisë/ Leksion për kryeqytetaset

Nëse do të kërkonim për një fenomen në futbollin shqiptar, ai nuk do të ishte sulmues që shënon gola pafund, as një mesfushor që mban në supe gjithë skuadrën, por një trajner. Quhet Ilir Daja. Emrin e tij të gjithë e keni dëgjuar.

Ilir Daja

E keni dëgjuar kur nxirrte Elbasanin kampion, më pas edhe Dinamon. E keni dëgjuar edhe kur drejtonte “përbindëshin” Skënderbeu e shkonte në grupet e Ligës së Europës, duke shkruar historinë e futbollit shqiptar. Vjet u shfaq sërish të shkruante historinë.

Nëse arriti majat në futbollin e Shqipërisë, vendosi ta bëjë edhe në Kosovë, ku mori Ballkanin e Suharekës dhe e bëri Ballkanin e gjithë shqiptarëve, duke fituar titullin dhe çuar në grupet e Ligës së Konferencës, në debutimin e klubit në Europë. As në librat e përrallave nuk do të ishte shkruar ky sukses i një skuadre të një qyteti kaq të vogël. Së fundmi, emri i këtij njeriu po na del sërish gjithkund nëpër telefonat e televizorët tanë.

Po, po, Ilir Daja po vijon të shkruajë histori, nga ato që do u tregojnë gjyshërit nipërve vite më vonë. Para dy ditësh kishte përpara BATE Borisovin, skuadrën, e cila mposhti Partizanin dhe që të kuqtë e “qajnë” akoma. Ballkani i Dajës e pësoi në minutat e para, por pasi forcoi muskujt, u “rrasi” katër shuplaka bjellorusëve dhe e sheh veten thuajse në grupet e Ligës së Konferencës, për të dytin sezon radhazi, çka përbën një rekord më vete, me siguri jo vetëm për Kosovën e Shqipërinë. Pse mund të quhet një fenomen Daja? E qartë, sepse Ballkani nuk i ka shumë nga yjet e vjetshëm, por Daja diti të krijojë të tjerë. I fundit ishte Bleart Tolaj, autor i golave në fitoren 4-1 në “Fadil Vokrri”, njëri më i bukur se tjetri.

Pa mohuar mundin dhe djersën e askujt, as të metat e Ilir Dajës, duhej që në Suharekë të mbërrinte ky njeri, që gjithë investimet e presidencës të shpërbleheshin me sukses e lavdi. Tashmë ka mbetur vetëm një ndeshje, ku duhet të munden më pak se me tre gola diferencë, që Ilir Daja të ri hyjë në librat e rekordeve. Ky sukses duhet të jetë një leksion për Partizanin dhe Tiranën, dy klubet e vetme, që nuk ruajtën asnjë copëz nga aftësitë dhe autoriteti i këtij trajneri. Pse? Sepse nuk e mbajtën presionin dhe panë veten të binden për ta larguar, pa i dhënë kohën dhe ndoshta ndihmën e duhur.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"