Enkel Alikaj: I lumtur që debutova me fitore, jam gati të sakrifikoj pozicionin për titullin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 4, 2014 | 12:42

Enkel Alikaj: I lumtur që debutova me fitore, jam gati të sakrifikoj pozicionin për titullin

AlikajDebutim me fitore për Enkel Alikajn si lojtar i Skënderbeut. Megjithëse nuk u aktivizua nga minuta e parë në ndeshjen kundër Vllaznisë, Alikaj u fut në një moment delikat të lojës, kur Skënderbeu kishte pësuar një zhbalancim në lojë për shkak të dëmtimeve të shumta në këtë takim, por edhe gjatë tij. Ai arriti të bënte mirë detyrën e tij si mesfushor, ndonëse luante në krahun e majtë, që nuk është roli i tij natyral. Gjatë një prononcimi për “Panorama Sport” pas ndeshjes kundër Vllaznisë, Enkel Alikaj e quajti pozitiv debutimin e tij dhe e vlerësoi ekipin bardhekuq, tek i cili tashmë bën pjesë mesfushori. Ndër të tjerat ai foli edhe për formën e tij në këtë ndeshje të parë të pjesës së dytë të sezonit. “Jam i lumtur që debutova në këtë takim me fitore dhe shpresoj që të vazhdojmë sa më gjatë ecurinë pozitive edhe në takimet e tjera. Jam ndjerë menjëherë pjesë e ekipit këtu te Skënderbeu dhe impakti im i parë me ekipin ka qenë mjaft i mirë. Më bëhet qejfi që arritëm ta fitonim këtë takim edhe pas problemeve të shumta që kishim në ekip si pasojë e mungesave, të cilave iu shtuan edhe dy dëmtimet gjatë lojës, por për fat të mirë arritëm të rruanim epërsinë. Roli im në fushë? Ashtu siç e shpjegoi edhe trajneri Josa gjatë deklaratës pas ndeshjes, roli im është në qendër të mesfushës, por duke parë që luaj me këmbën e majtë mund të mbuloj edhe një pozicion krahu. Në këtë pozitë që ishte ekipi qe krejt normale të bëja një sakrificë të tillë dhe besoj se e kam justifikuar për aq kohë sa m’u dha mundësia për të luajtur”, – theksoi Alikaj.
Synimet Më pas, lojtari më i ri i Skënderbeut u ndal edhe te titulli kampion dhe te shkëputja me 9 pikë përballë kundërshtarëve. Ai nuk e quajti arratisje këtë shkëputje, por thjesht një pozicion sigurie karshi rivalëve dhe, në të njëjtën kohë, theksoi se ende kampionati nuk është i mbyllur, por është ende shumë shpejt për ta bërë fakt të kryer titullin kampion. “Kemi fituar këtë takim, duke i dhënë mundësi vetes të jemi në një pozicion më komod me 9 pikë para vendit të dytë. Por, ende nuk mund ta quajmë një arratisje, pasi ekipet që vijnë pas janë mjaft të ngjeshura dhe mund të them se gara është ende e hapur. Duhet të tregohemi të kujdesshëm dhe të shohim vetëm veten tonë, pasi një hap fals do të na rikthente sërish në garë. Megjithatë, mendoj se ekipi është më i miri në Superiore dhe do të ecim bindshëm drejt titullit kampion. Ne do të përpiqemi që të thellojmë akoma më shumë diferencën me ndjekësit, por tani kampionati ka hyrë në pjesën më të vështirë”, – përfundoi numri 9 i Skënderbeut.

Çfarë tha Josa për Alikajn
“Jam i kënaqur me Enkelin (Alikajn), për aq sa ai u aktivizua në ndeshjen kundër Vllaznisë. Unë e njoh shumë mirë aftësinë e këtij futbollisti dhe mund të them se është një përforcim i goditur. Megjithëse luajti në një pozicion jonatyral, pasi ai është një qendër mesfushor, duke qenë se është një këmbë e majtë natyral, Alikaj bëri mjaft mirë edhe në krah duke na dhënë më shumë qetësi dhe kontroll topi, gjë e cila ishte e nevojshme për ne në këtë pikë të takimit”, – pat deklaruar Josa.

Gvozdenoviç dhe Orelesi ia hedhin lehtë
Lajme të mira vijnë nga infermieria për trajnerin e Skënderbeut, Mirel Josa. Ditën e djeshme është bërë një kontroll më i detajuar i gjendjes së Orelesit dhe Gvozdenoviçit, të cilët kishin dalë nga fusha e lojës të dëmtuar në pjesën e dytë të takimit kundër Vllaznisë. Sipas burimeve pranë mjekut bardhekuq, bëhet e ditur se gjendja e dy futbollistëve nuk është e rëndë dhe pritet që të dy të jenë të disponueshëm për ndeshjen kundër Laçit. Vetë mjeku i ekipit, Jorgo Pantazi, për “Panorama Sport” u shpreh: “Mbrojtësi nuk ishte në formë të plotë, pasi dëmtimi i pësuar në Portugali nuk ishte kaluar në një masë të plotë. Ne vendosëm që të mos rrezikonim dhe bëmë një zëvendësim të detyruar të Gvozdenoviçit. Gjendja e tij sot është më e mirë. E njëjta gjë mund të thuhet edhe për Orelesin, i cili ka ndjerë dhimbje në pjesën poshtë gjurit, por edhe ky nuk është një dëmtim serioz. Si për Orelesin, edhe për Gvozdenoviçin, nuk ka asnjë alarm”.

Stërvitje në Durrës
Skënderbeu ka zhvilluar dje seancën e parë stërvitore në Korçë, ku ekipi është ndarë në dy pjesë. Lojtarët që kanë luajtur në ndeshjen kundër Vllaznisë kanë bërë një seancë specifike në palestër dhe vetëm me masazhe dhe ushtrime të lehta aerobike, ndërsa pjesa tjetër ka zhvilluar një seancë më të ngarkuar nën urdhrat e përgatitësit atletik. Në seancën e djeshme vihej re mungesa e trajnerit Josa, i cili do t’i bashkohet ekipit vetëm ditën e sotme, pasi është duke marrë pjesë në një seminar trajnimi në Tiranë. Menjëherë pas seancës stërvitore, e cila ka qenë e fundit për Skënderbeun në Korçë për dy javët e ardhshme, ekipi ka bërë disa orë pushim për të udhëtuar më pas drejt Durrësit ku do të akomodohen si zakonisht.
LLAZI SARO

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"