Elbasani ka ambicie, Stojku: Gati të ngjitemi në Kategorinë e Parë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 28, 2022 | 23:48

Elbasani ka ambicie, Stojku: Gati të ngjitemi në Kategorinë e Parë

AF Elbasani e mbylli vitin 2022 në vendin e dytë të grupit B të Kategorisë së Dytë, duke qenë vetëm dy pikë larg Pogradecit kryesues. Megjithatë, në tërësi mund të cilësohet një kampionat pozitiv për verdheblutë, me ato gabimet e vogla që shpresohet të rikuperohen rrugës.

Elbasani Stojku

Në një intervistë të dhënë dje për “Panorama Sport”, trajneri Gentian Stojku foli për kampionatin e zhvilluar dhe pritshmëritë që kanë për vazhdimësinë. Sipas tij, skuadra do të bëj të pamundurën edhe për të hyrë në merkato, edhe pse është i vetëdijshëm që mundësitë në janar nuk janë të mëdha. Stojku duket i bindur se investimi për ngjitjen në Kategorinë e Parë do të përligjet nga skuadra.

Stojku, si ka qenë kjo pjesë e parë e kampionatit për ju?
Në tërësi mund të them se ka qenë pozitive, pavarësisht problemeve të vogla që mund të kemi pasur si çdo skuadër. Do të donim të ishim në vendin e parë, por gjithsesi kampionati është i gjatë dhe rëndësi ka që jemi aty në krye dhe kemi rrugën përpara për të bërë akoma më mirë.

Ka pasur raste që keni hasur vështirësi në marrjen e rezultatit në fakt…
Është normale, bëhet fjalë për futboll, sepse jo gjithnjë mund të fitosh. Pastaj duhet të keni parasysh diçka, që skuadrat motivohen shumë kur luajnë kundër nesh, pasi bëhet fjalë për Elbasanin. Ndodh që në ndonjë ndeshje edhe nuk e merr rezultatin, nuk e bëjmë dramë. Rëndësi ka arritja në fund.

Gjithsesi, tani keni merkaton përpara. Do të ndërhyni për ndonjë afrim?
Besoj se do të ndërhyjmë. Kemi pasur kontakte me disa lojtarë, por dihet që janari nuk të ofron shumë mundësi. Shumë lojtarë janë ende nën kontratë me ekipet e tyre dhe pavarësisht dëshirës, nuk mund t’i afrojmë dot. Por, ne i kemi bërë piketimet tona dhe besoj se do t’i bëjmë ndërhyrjet që na duhen.

Në cilat reparte keni më shumë nevojë?
Në të gjitha repartet do të përpiqemi të bëjmë afrime. Kampionati është i gjatë dhe i vështirë, kështu që duam ta kemi organikën sa më të pasur, ndaj po shohim futbollistë nga të gjitha rolet në fushë.

Sa të mundshme e shihni arritjen e objektivit, vendin e parë?
Plotësisht të mundshme. Drejtuesit kanë qenë korrekt me anën financiare dhe me gjithë gjërat e tjera që u takojnë dhe tani e kemi ne në dorë të realizojmë objektivat. Ngjitja në Kategorinë e Parë është një mision për ne dhe duam ta çojmë deri në fund. Ne duhet të fitojmë jashtë fushe dhe në shtëpinë tonë nuk duhet të nënvlerësojmë asnjë kundërshtar. Vetëm kështu jam i bindur se i arrijmë objektivat.

VLADIMIR MEMA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"