EKSKLUZIVE/ “Zgjedh mbijetesën para Kupës”, Solodovnikov: Tiranën e dominuam, Kukësi gati të bëjë mrekullinë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 4, 2024 | 9:01

EKSKLUZIVE/ “Zgjedh mbijetesën para Kupës”, Solodovnikov: Tiranën e dominuam, Kukësi gati të bëjë mrekullinë

Pas dopietës kundër Vllaznisë në kampionat pak javë më parë, Nikolai Solodovnikov, shënoi një gol me peshë edhe në Kupë kundër Tiranës, si edhe dha asistin për Mingos në pjesën e parë.

WhatsApp Image 2024-04-04 at 9.58.18 AM

Moldavi ka kapur formën e tij më të mirë me Kukësin, pasi iu bashkua në janar, ku edhe pse duket paksa vonë, në Kukës do të shpresojnë deri në fund që me golat e tij të arrijnë diçka. Pas ndeshjes, në intervistën e dhënë enkas për “Panorama Sport”, 23-vjeçari pohon se ekipi do të synojë deri në fund për të shkuar në finale dhe ta fitojë atë. Ai tani pret të njëjtën ecuri në kampionat, por edhe pse shprehet se shanset janë të pakta për mbijetesë, në Kukës do ta tentojnë me çdo kusht. Në fund, midis fitimit të Kupës dhe mbijetesës, ai zgjedh atë që i intereson më shumë klubit, që është qëndrimin në Superiore.

Sa i kënaqur jeni me golin e shënuar, kujt ia dedikoni?

Gjithnjë jam i kënaqur pas çdo goli që shënoj. Përjashtim nuk bën as ky kundër Tiranës, për më tepër kur bëhet fjalë për gola që përkthehen edhe me fitoren e ekipit. Ky gol shkon për familjen time.

Sa shanse ka tani Kukësi për të shkuar në finale?

Mendoj se ne ishim më të mirë në gjithçka sot (dje) dhe duhet të kishim shënuar të paktën dy gola të tjerë, por ky është futbolli. Asgjë nuk është vendosur ende, në ndeshjen e kthimit do të luftojmë deri në fund. Mendoj se ëndrra e çdo lojtari është të luajë në finale. Nuk do të flas për shanset, do të tregojmë gjithçka në fushën e futbollit.

Në kampionat prisni Dinamon, si e shihni?

Dinamo është një kundërshtar i fortë, por është tepër vonë për të parë forcën e kundërshtarit. Detyra jonë është që të hyjmë në fushë ku duhet të tentojmë t’ia dalim dhe të fitojmë çdo ndeshje.

Sa besim keni se mund të mbijetoni në Superiore?

Fatkeqësisht shanset janë të vogla, por përderisa ato ekzistojnë do të shkojmë deri në fund. Nuk jemi të dorëzuar aspak.

Fitimin e Kupës apo mbijetesën në Superiore, cilën do të preferonit?

Ëndrra është të zgjedhësh të dyja opsionet (qesh). Por, nëse më duhet të zgjedh vetëm një, është më e rëndësishme që skuadra të mbetet në Superiore.

VLADIMIR MEMA-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"