EKSKLUZIVE/ Polemikat në Vlorë, kryebashkiaku ‘afron’ Idrizin me Kushtën. Paralajmëron presidenti: Do ta ndjek këmba-këmbës! (E plotë)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 31, 2024 | 9:40

EKSKLUZIVE/ Polemikat në Vlorë, kryebashkiaku ‘afron’ Idrizin me Kushtën. Paralajmëron presidenti: Do ta ndjek këmba-këmbës! (E plotë)

Debati Idrizi-Kushta duket se po shkon drejt shuarjes. Gazeta kontaktoi dje me Sokol Kushtën për të marrë një reagim rreth akuzave të Idrizit, që në fakt ishin të ashpra, por legjenda vlonjate e futbollit nuk ka pranuar të bëjë asnjë koment.

sinan idrizi dhe kryebashkiaku Dredha

Sinan Idrizi “u betua” se do ta ndjek “këmbakëmbës” Sokol Kushtën në investimin që ai kërkon të zhvillojë për fushat e sportit në zonën e ish-Fushës së Aviacionit në Vlorë. Këtë gjë Idrizi ia prezantoi edhe kryetarit të Bashkisë së Vlorës, Ermal Dredha gjatë një takimi që zhvillojë dje “kokë më kokë” në një aktivitet, ku të dy ishin të ftuar.

Mësohet, se gjatë bisedës së shkurtër mes Idrizi dhe Dredhës, presidenti i Flamurtarit i ka thënë kryebashkiakut se është i interesuar për të marrë informacion nëse Sokol Kushta ka dorëzuar projektin në bashki dhe nëse në atë zonë do të ndërtohen vërtetë fusha sporti apo është në plan ndonjë projekt tjetër. Edhe Sokol Kushta mori pjesë në aktivitetin e djeshëm ku gjendej Idrizi. Kjo ishte përballja e parë mes tyre pas 1 jave polemikash, por Kushta nuk ka preferuar kontaktin dhe ka qëndruar në distancë…

LETËR BASHKISË – Sinan Idrizi i është drejtuar Bashkisë së Vlorës me një letër zyrtare ku kërkon informacion për projektin e Kushtës. Idrizi kërkon të dije koordinatat ku do të zhvillohet projekti. Për “Panorama Sport”, ai konfirmon se nëse Kushta nuk ka projekt do ta çojë në Prokurori. “Sot (dje) i kam nisur një letër Bashkisë së Vlorës për investimin te fusha e ish-Aviacionit. Kam kërkuar me këtë letër që drejtoria e Urbanistikës të përcaktojë koordinatat ku do të ndërtohen këto fusha me investimin privat, që pretendon Sokol Kushta. Nëse nuk ka një projekt do ta kallëzoj penalisht në Prokurori. E kam thënë që nuk e lë, por do e ndjek këmba-këmbës”, përfundon Idrizi.

NDESHJA ME APOLONINË Të dielën luhet Flamurtari-Apolonia. Fierakët priten si miq, pasi edhe dy presidencat po kalojnë momentet më të mira mes të tyre. Vetëm pak ditë më parë, Koço Kokëdhima ishte në Vlorë ku u takua me Sinan Idrizin. Flamurtari është i dënuar për të fituar në këtë ndeshje. Pas ngecjes në Peshkopi, skuadra kërkon fitoren me fierakët. Trajneri Eqerem Memushi këto pak ditë që ka në dispozicion po punon edhe me anën psikologjike të skuadrës. “Tregoni karakter në fushë. Jeni profesionistë. Nuk duhet të falim në shtëpi. Ta sulmojmë kundërshtarin të parët. Nuk duhet të gabojmë, pasi nuk na falet. Jam i kënaqur nga loja juaj, por na duhen pikët”, u ka thënë Memushi lojtarëve. Pritet të ketë disa ndryshime në formacion. Në portë mund të rikthehet Aldo Teqja. Gjithashtu, titullar po projektohet edhe Aleksandër Dalanaj.

ERMAL SIKA-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"