EKSKLUZIVE/ U fol se mund të kalojë te Partizani, flet Ferhan Hasani: Ju tregoj të vërtetën (E PLOTË)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 21, 2019 | 23:56

EKSKLUZIVE/ U fol se mund të kalojë te Partizani, flet Ferhan Hasani: Ju tregoj të vërtetën (E PLOTË)

Ka gjithmonë një dëshirë të madhe për t’i parë shqiptarët e talentuar, edhe ata që kanë lindur jashtë 28 mijë km katrorë, në ekipet tona. Kjo është një nga arsyet se përse kur afron merkatoja, Ferhan Hasani, apo edhe ndonjë tjetër, nisin të përmenden vazhdimisht si alternativa për klubet tona më të rëndësishme. Rasti i fundit është pikërisht ai i “Bubës” (kështu është nofka e Hasanit), teksa e shohin si zëvendësuesin ideal të Asanit. Jo për shkak të mbiemrave shumë të ngjashëm, por për cilësitë, rolin dhe eksperiencën që ka mbi supe. “Panorama Sport” kontaktoi me futbollistin, i cili në të kaluarën ka luajtur me Shkëndijën e Tetovës, Volfsburgun dhe Brondbin.Ferhan Hasani

29-vjeçari, i cili ka mbi shpinë 38 ndeshje me Kombëtaren e Maqedonisë së Veriut, pranon se ka pasur kontakte me klube shqiptare, por e mohon si mundësi që të vijë tani në kampionatin tonë. “Arsyeja është e thjeshtë: jam në kontratë me HJK Helsinkin. Kam firmosur për dy vite me këtë klub”, thotë Hasani për gazetën.

Ferhan, a ka shanse që të luani në kampionatin shqiptar në të ardhmen?

Këtë nuk e di. Dëshira është që një ditë të luaj aty, por nuk mund të them se kur.

A mund të ndodhë kjo duke nisur nga janari i vitit 2020?

Jo, kjo nuk mund të ndodhë. Arsyeja është e thjeshtë: jam në kontratë me HJK Helsinkin. Kam firmosur për dy vite me këtë klub. Madje do të ishte edhe mungesë respekti për klubin me të cilin unë kam një kontratë tashmë që të bisedoj, apo të negocioj me klube të tjera.

ferhan-hasani-skendija-portret

A ju kanë kontaktuar klube nga Shqipëria gjatë kësaj periudhe?

Po, më kanë kontaktuar disa herë dy klube nga Shqipëria. Jam ndierë i nderuar për vlerësimin që kanë ndaj meje, mirëpo ua kam shpjeguar situatën time. Unë tashmë jam nën kontratë me një klub, të cilin e kam zgjedhur me shumë dëshirë dhe shpresoj që të bëj mirë te Helsinki. Kaq, kjo është e gjitha.

Së fundmi është përfolur se keni pasur kontakte me Partizanin…

Nuk e di nga ka dalë kjo, por unë jam i qartë për të ardhmen time. Për aq kohë sa jam nën kontratë me një klub, nuk mundem të negocioj me asnjë tjetër.

Cilat janë klubet që ju kanë kontaktuar nga Shqipëria?

Janë dy klube, por nuk kam dëshirë të flas për emra, pasi nuk mendoj se është korrekte.

Ju kanë kontaktuar para, apo pasi firmosët me Helsinkin?

Kam pasur biseda para dhe pasi firmosa me Helsinkin.

Po gjatë ditëve të fundit?

Jo. Madje më duket nivel i ulët që spekulojnë për këtë çështje

Ferhan Hasani Shkendija

Pse zgjodhët këtë klub dhe jo një skuadër shqiptare?

Sepse dëshira ime dhe objektivi është që të luaj në një kampionat perëndimor. Për shumë arsye. Por kjo nuk do të thotë që nuk e vlerësoj kampionatin shqiptar dhe klubet e rëndësishme që janë aty.

Vetëm kjo është arsyeja? 

Më së shumti kjo, por natyrisht që ka edhe faktorë të tjerë. Në bisedime përfshihen edhe kushtet financiare, që ndonjëherë pretendimet e mia mund të duken të larta, por është edhe fakti që unë dua të ndihem plotësisht gati nëse luaj një ditë në kampionatin shqiptar.

Gati në ç’kuptim?

Shikoni, me aq sa kam lexuar, në Shqipëri është krijuar ideja që unë jam lojtari “ndryshe”, pra në kuptimin që mund të bëj gjëra të mëdha. Natyrisht më vjen mirë, por nëse vendos një ditë të luaj aty, dua që të jem brenda pritshmërive. Nuk dua të zhgënjej askënd dhe shpresoj që vërtet të mund të bëj diferencën.

Kur keni ndërmend të luani në kampionatin shqiptar?

Sinqerisht, dëshirën e kam, por nuk e di nëse do të realizohet. Në futboll nuk mund të bësh parashikime. Nëse kjo do të ndodhë një ditë, pa dyshim që do të përpiqem të bëj më të mirën, por nuk mund të them më tepër, sepse të ardhmen nuk e di askush.

A është Kukësi një opsion, meqë aty sot punon trajneri Duro?

Po, me profesorin (Duron) kam punuar kur ishte te Shkëndija. Kemi një raport shumë të mirë dhe ruaj respekt për të. Nuk e di, nuk mund të them nëse do të luaj për Partizanin, Kukësin apo Tiranën. Kam shumë miq në Shqipëri, por duhet të tregohemi të matur edhe kur flasim.

JETMIR HALILAJ

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"