EKSKLUZIVE/ Sekretet e një kampioneje, rekordmenia Nikol Merizaj: Në dashuri prej 10 vjetësh me… notin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 4, 2022 | 12:35

EKSKLUZIVE/ Sekretet e një kampioneje, rekordmenia Nikol Merizaj: Në dashuri prej 10 vjetësh me… notin

Ndonëse vetëm 23-vjeçare, notarja Nikol Merizaj mban mbi shpatulla dy pjesëmarrje në evenimentet më madhore të sportit siç janë Lojërat Olimpike, teksa ka garuar për Shqipërinë në “Rio 2016” dhe “Tokio 2020”. Një kampione absolute në vendin tonë, e cila zotëron rekorde në shumë disiplina, më i fundit i regjistruar vetëm pak javë më parë në 50 metra delfin.

NIKOL MEZIRAJ

Në një intervistë ekskluzive për “Panorama Sport”, Merizaj rrëfen sekretet e sukseseve të saj, teksa komenton garat e zhvilluara si dhe zbulon objektivat në aktivitetet që e presin. Nikol, e cila është absolutisht edhe një prej femrave më të bukura të sportit shqiptar, rrëfen sakrificat që kërkon noti, sport që të fal edhe perfeksionin trupor.

Ajo prej shtatë vitesh stërvitet në Greqi, ndërsa në Shqipëri merr pjesë në gara duke përfaqësuar Tiranën.

Nikol, vazhdoni të regjistroni rezultate të rëndësishme. Cili është sekreti i formës suaj?
E kam filluar notin në moshën 13-vjeçare dhe pas një viti jam shpallur kampione e Shqipërisë.

Ky 10-vjeçar suksesi përveç sakrificave ka pasur edhe një punë të pandalshme nga ana ime dhe kjo për faktin se noti është pasioni dhe dëshira ime, ndërsa dua të falënderoj shumë edhe trajnerin tim, Anastasios Chatzigeorgiou, i cili është gjithmonë aty për mua.

Falë tij, unë jam 2 here olimpiste, kampione kombëtare dhe rekordmbajtëse e shumë prej rekordeve kombëtare.

WhatsApp Image 2022-03-04 at 11.13.28 AM

Sa orë në ditë stërviteni?
Stërvitem 6 orë në ditë, ku 4 nga këto orë janë stërvitje në ujë, ndërsa 2 orë në palestër.

Na tregoni diçka më tepër rreth garës së fundit, ku edhe thyet rekord kombëtar…
Gara ime e fundit ishte “Greek Winter Open Championship”, një garë e fortë, ku arrita të thyeja rekord kombëtar në stilin 50 m delfin me kohën 27.71, duke marrë gjithashtu dhe medalje të bronztë.

Gjithashtu, në dhjetorin e vitit të kaluar është mbajtur në Abu Dhabi Kampionati Botëror i Notit në pishina 25 m, ku për mua dhe për notin shqiptar ka qenë një sukses shumë i madh, kjo përtej faktit që në garat 50 m stil i lirë me kohën 25.40 dhe 50 m delfin me kohën 27.03 kam thyer përsëri 2 rekorde kombëtare, duke u renditur e 27-ta mes 80 notareve nga e gjithë bota. Arrita gjithashtu të kapja edhe 2 norma botërore, gjë që për notin shqiptar ishte hera e parë në histori.

WhatsApp Image 2022-03-04 at 11.13.29 AM (1)

Cilat janë aktivitetet e radhës ku do të merrni pjesë dhe çfarë synoni të arrini në to?
Ky vit sportiv është i mbushur me garat shumë të rëndësishme për mua, siç janë Kampionati Botëror në Budapest në pishina 50 m që do të mbahet më 18 qershor – 3 korrik, Lojërat Mesdhetare në Algjeri 25 qershor – 5 korrik dhe Kampionati Europian në Romë pishina 50 m që do të zhvillohet më 11–21 gusht.

Sigurisht synimi për mua në çdo garë është të përmirësoj rezultatet e mia personale, duke vendosur rekorde kombëtare, gjithashtu duke kapur edhe norma të reja botërore.

Ju jeni gjithashtu edhe pjesë e Kombëtares prej vitesh, ku keni garuar në evente madhore siç janë edhe Lojërat Olimpike. Si është të përfaqësosh flamurin kombëtar në të tilla kompeticione?
Cilat janë emocionet që keni përjetuar? Kam përfaqësuar Shqipërinë në moshën 17-vjeçare në Lojërat e para Olimpike për mua në “Rio 2016”, gjithashtu dhe në Olimpiadën “Tokio 2020”.

Parakalimi me flamurin kombëtar është një ndjenjë shumë e fortë për mua pasi më është dashur që në moshën 16-vjeçare të largohem për arsye stërvitore në një shtet tjetër si Greqia, për t’u stërvitur në kushte më të mira dhe me një stërvitje më cilësore.

Ndjesitë dhe emocionet janë të papërshkrueshme, në atë moment harron gjithë lodhjen dhe sakrificat që ke bërë gjatë rrugëtimit tënd për të arritur deri aty. Përtej punës dhe lodhjes e konsideroj veten me fat që jam një olimpiste, pasi për mua vlen shprehja “Një herë olimpiste, gjithë jetën je e tillë”.

WhatsApp Image 2022-03-04 at 11.13.28 AM (2)

Duke u rikthyer pas në kohë, si ju ka lindur pasioni për notin?
Pasioni për notin ka qenë me mua që e vogël. Duke e dashuruar ujin, rrija me orë të tëra në të, derisa prindërit më merrnin dhe më largonin.

Ndonëse, sportin e kam filluar në moshën 13-vjeçare për shkak se pishinat në Tiranë ndodhen jashtë qytetit dhe prindërit për shkak dhe të punës me orare të tejzgjatura nuk mund të më shoqëronin gjithmonë.

Me shumë kureshtje dhe dashuri shikoja në televizor Kampionatet Botërore, Europiane dhe Lojërat Olimpike. Sigurisht që gjithmonë ëndërroja që dhe unë të ndodhesha pas startit në ato kompeticione si notaret që shikoja.

I mbani mend garat e para, mund të na thoni diçka më tepër?
Garat e para për mua kanë qenë fiks pas një muaji që unë kam filluar notin, në vitin 2012. Në një kompeticon në Malin e Zi në pishina 25 m, e shoqëruar edhe nga mami im, ku dua të them se ajo ka qenë dhe do të mbetet shtysa ime kryesore që unë ta vazhdoj notin dhe të mos dorëzohem derisa ëndrrat dhe synimet të bëhen realitet.

Mbaj mend që kisha shumë emocione, shikoja shumë notare të mira dhe admiroja të bëhesha si ato. Kur gara ime mbaronte, qëndroja në pishinë dhe shikoja të gjitha garat si për femra dhe për meshkuj.

Ju prej vitesh stërviteni në Greqi…
Po, stërvitem në Greqi që prej vitit 2015 e deri më tani. Shtysa dhe synimi që jam larguar ka qenë gjithmonë noti, pasi admiroja dhe dëshiroja shumë që të merrja pjesë në Olimpiadën e Rios, në të cilën jo shumë mendonin se do t’ia arrija.

Sakrifica më e madhe ka qenë ajo e familjes sime, pasi janë detyruar të mos më kenë pranë tyre, por të më plotësojnë çdo dëshirë dhe të jenë plotësuesit kryesorë të ëndrrës time nga ana ekonomike në radhë të parë, por edhe shtysa që ata gjithmonë më japin për mos tu dorëzuar kurrë të bëj atë që mua më bën të lumtur dhe më rrit profesionalisht.

WhatsApp Image 2022-03-04 at 11.13.29 AM (2)

Çfarë i mungon sot notit shqiptar sipas jush?
Notit në Shqipëri më shumë se pishinat dhe trajnerët, i mungon dashuria dhe përkushtimi që i duhet të jepet, pa to asgjë nuk ecën përpara.

Cilat janë vështirësitë më të mëdha në këtë sport?
Noti është një nga sportet, i ashtuquajturi bukuria trupore, sporti që të fal shëndet të plotë. Pavarësisht kësaj, për notarët profesionistë nuk është dhe aq e lehtë.

Të notosh me orë të tëra, duke bërë shumë kilometra pa ndaluar në një korsi 25 m ose 50 m pa folur, shumë herë dhe frymëmarrja është e paktë. Nuk është aq e lehtë, do këmbëngulje, përkushtim dhe dashuri.

Ndërkohë, ju kërkohet edhe një dietë strikte…
Sigurisht që një sportist profesionist përveç një stërvitjeje cilësore, një trajneri të arrirë, kërkon edhe një dietë ushqimore të balancuar. Unë prej shumë kohësh jam në regjime ushqimore që dietologu im më cakton.

Kjo varion nga stërvitja, koha dhe performanca ime. Dieta ushqimore nuk është njësoj si përpara një përgatitjeje 2-mujore për një garë dhe javën e garës. Në përgatitje përpara garës duhet të marrim më shumë masë dhe proteina, kurse përpara garës më shumë karbohidrate dhe energji.

Cila janë ëndrrat që ka Nikol Merizaj?
Unë gjithmonë mundohem të mos i ndaloj kurrë ëndrrat e mia, pasi ato më bëjnë që të arrij synimet.

Për mua ëndërr është një medalje në Kampionatin Europian, Botëror ose Lojëra Olimpike e dedikuar familjes, trajnerit dhe të gjithë atyre që më kanë mbështetur në rrugëtimin tim të vështirë, me sakrifica, por edhe shumë të bukur.

WhatsApp Image 2022-03-04 at 11.13.30 AM

rek

ARTIN LLESHAJ-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"