EKSKLUZIVE/ “Pse te Sauthemptoni po i marrin maksimumin…?”, Hafizi: Reja kujdes me Brojën, nuk kemi luksin ta djegim! (E PLOTË)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 19, 2021 | 13:50

EKSKLUZIVE/ “Pse te Sauthemptoni po i marrin maksimumin…?”, Hafizi: Reja kujdes me Brojën, nuk kemi luksin ta djegim! (E PLOTË)

Astrit Hafizi ka një mendim ndryshe nga Edi Reja sa i përket menaxhimit të Armando Brojës. Natyrisht, trajneri i shquar shkodran, që dikur ka drejtuar kuqezinjtë në kushte shumë më të vështira, nuk kërkon që të ndërhyjë në punët e brendshme të stafit të Kombëtares, por si një ish-teknik i Shqipërisë ai thotë se Kombëtarja jonë nuk e ka luksin të humbasë një talent si Broja. “Shqipëria nuk është Italia, që kur Baloteli bën ndonjë prapësi, ata e heqin dhe e zëvendësojnë me një tjetër. Duhet pasur kujdes, sepse ai është djalë i ri në moshë. Nuk mund të hapen debate të tilla që e dëmtojnë lojtarin, por edhe skuadrën”, thotë Hafizi në intervistën ekskluzive për “Panorama Sport”.

hAFIZI

Profesor Hafizi, si ju duket grupi i Shqipërisë në Ligën e Kombeve?

Është një grup skuadrash ku duhet impenjim dhe seriozitet.

Seriozitet, në ç’kuptim?

Shikoni, kundër këtyre skuadrave Shqipëria ka marrë rezultate shumë të çuditshme…

Që do të thotë?

Ne jemi mundur 4-1 me Rusinë dhe më pas kemi fituar 3-1. Më pas me Islandën, që me gjithë respektin nuk ishte skuadra e mrekullive, kemi humbur të dyja ndeshjet. E kam fjalën për periudhën e De Biazit. Kalojmë tek Izraeli: Humbëm në Tiranë 3-0 dhe dolën dy lojtarë me të kuq, e më pas fituam 3- 0 në Izrael. Dakord, futbolli i njeh edhe befasitë, por duhet që Shqipëria të bëjë kujdes dhe duhet të jetë transparente.

Për çfarë duhet të jetë transparente?

Në kuptimin që duhet ta dëgjojmë nga goja e stafit dhe e trajnerit ose edhe e zyrtarëve të FSHF-së se për çfarë do të luftohet në këtë kompeticion. Duhet të jenë të qartë me publikun: “Ne kemi objektiv vendin e parë ose të dytë, ose të tretë…” Por, ta thonë ama. Jo të presim që të nisin ndeshjet, të shohim një herë çfarë rezultatesh marrim dhe më pas vendosim një objektiv gjatë rrugës. Verdiktet e futbollit këto janë: Unë vendos një objektiv, nëse e arrij vazhdoj punën edhe me kontratë më të mirë. Nëse nuk e arrij, iki në shtëpi. Mirëpo, këtu është bërë e modës që kur hidhet shorti nuk flasin për një objektiv të qartë dhe në varësi të çdo rezultati ne ndryshojmë edhe objektivin. Kjo nuk është normale dhe as e ndershme. Ky është një luks që e kanë vetëm trajnerët e huaj…

Mund të jeni pak më i qartë…?

Kam dëgjuar që Reja do të na e përgatisë skuadrën për në Europianin e vitit 2024, sepse ai është objektivi ynë final. Po pse more, kështu qenka puna: E marr skuadrën në vitin 2019, që të arrij një objektiv në 2024-ën? Mua nuk më duket normale kjo. Çdo kompeticion ka objektivat e veta. Kur i arrin rezultatet qëndron, ndryshe ikën. Shqipëria nuk ka një skuadër pa cilësi, por aty ka lojtarë të rëndësishëm, me të cilët mund të luftosh denjësisht çdo edicion. Me objektiva të qarta, jo sipas kësaj që ndodh me Rejën. Por atij (Rejës) bravo i qoftë, sepse në të kaluarën ne që jemi në Kombëtare nuk na ka llastuar njeri kështu…

Trajneri ka pasur një kritikë publike për Armando Brojën pas shortit, ju si mendoni, a po menaxhohet mirë sulmuesi?

Së pari më duhet të saktësoj se është e drejta e Rejës dhe e çdo trajneri të bëjë vlerësimet dhe të ketë një opinion për çdo lojtar. Qoftë ai edhe Broja. Trajneri ynë për fat të mirë ka një eksperiencë shumë të gjatë, sepse jemi pothuajse moshatarë dhe ai e di mirë që raste të tilla edhe ndodhin në një ekip futbolli, por duhet të bëjmë kujdes.

Kujdes për çfarë?

Broja është shumë i ri dhe në atë moshë natyrisht që edhe gabimet janë më të shpeshta. Por është e lehtë ta djegësh, ose ta humbësh si lojtar. Vështirësia është që t’i marrësh atij më të mirën derisa ai vit pas viti të piqet dhe të jetë më i përgjegjshëm. Nuk po them që t’i hapet rrugë lojtarit për çdo gjë, por edhe të shpikësh debate nga hiçi për një nga futbollistët më me perspektivë që kemi, mua nuk më duket e drejtë. Broja është aset i skuadrës, ndonëse nuk e ka pjekurinë e disa lojtarëve të tjerë aty.

Ju çfarë do të bënit po të ishit në vend të Rejës?

Mos mendoni se unë apo kolegë të mi nuk kemi pasur “koka të nxehta” në të kaluarën. Kam pasur të tillë në Kombëtare, por edhe në klubet ku kam punuar, duke filluar nga Vllaznia e më pas edhe te Dinamo e Tirana. Natyrisht, jam përpjekur t’u jap vendin sipas meritës në formacion, por edhe duke folur me ta apo duke i bërë të ndjehen të rëndësishëm. Po, ka pasur raste që edhe i kam ndëshkuar, sepse e ka kërkuar puna, por kurrë nuk kam dashur të humb një lojtar të vlefshëm për skuadrën. Ndërsa Broja është rast disi më ndryshe…

Pse është ndryshe?

Sepse është një nga më të mirët që ne kemi sot në skuadër. Luan në Premier Ligë, shënon dhe është në pronësi të Çelsit. Kurrë nuk e kemi pasur më parë një lojtar si ai. Tani më thoni pak: A e ka luksin Shqipëria e vogël që të humbë një lojtar si Broja? Unë them që jo. Trajneri nuk ka pse bie pre e pyetjeve të lojtarëve dhe duhet ta menaxhojë më mirë një lojtar të tillë. Shqipëria nuk është Italia, që kur Baloteli bën ndonjë prapësi, ata e heqin dhe e zëvendësojnë me një tjetër po aq cilësor. Duhet pasur kujdes, sepse ai është djalë i ri në moshë… Nuk mund të hapen debate të tilla që e dëmtojnë lojtarin, por edhe skuadrën.

Po nëse ai i kërkon trajnerit që të luajë patjetër titullar?

Kjo është gabim, nuk diskutohet. Vendimet i merr trajneri, por unë gjithsesi them që ka gjithnjë mënyra për të menaxhuar një talent të shkëlqyer si Broja. Ndonjëherë nuk mund t’i flasësh atij njësoj me një lojtar më të madh në moshë që është edhe i martuar apo ka tjetër temperament. Për moshën që ka Broja duhet marrë në konsideratë edhe familja, prindërit, por edhe ambienti ku është rritur. Dhe të kuptohemi qartë: nuk jam kundër kur trajneri i vendos kufij, por në momentin që ai është duke shënuar në Premier Ligë dhe nuk e ke në grumbullim, madje nuk ke as ndonjë arsye madhore për ta përmendur, nuk ke pse hap debat publik për lojtarin.

Për çfarë duhet ta kritikosh në një moment si ky?

Sepse pastaj kalojmë edhe në pjesë të tjera… Për çfarë e keni fjalën? Po ja, lind pyetja: Ky Broja, a është i njëjti që shkëlqen te Sauthemptoni? Po pse ai trajneri i Sauthemptonit e mbante në fillim në stol e tani e fut titullar? Pse ai trajneri i klubit të vet i merr më të mirën Brojës, ndërsa trajneri i Kombëtares e qorton në një moment krejtësisht të papërshtatshëm ose nuk arrin dot që t’i marrë më të mirën…? Prandaj them se duhet të bëjmë kujdes me lojtarë të këtij kalibri, sepse Shqipëria i ka të rrallë.

JETMIR HALILAJ – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"