EKSKLUZIVE/ Nuk kanë fund polemikat për milionat në Vlorë, Jazaj i kthehet Idrizit: Oriku, pronë e bashkisë. Të japin paratë ose largohem

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 10, 2023 | 17:00

EKSKLUZIVE/ Nuk kanë fund polemikat për milionat në Vlorë, Jazaj i kthehet Idrizit: Oriku, pronë e bashkisë. Të japin paratë ose largohem

Muharrem Jazaj thyen heshtjen dhe shpjegon statusin e Klubit të Futbollit “Oriku”. Nuk preferon t’i kundërpërgjigjet “flakë për flakë” administratorit të vlonjatëve, Sinan Idrizi, por thotë se i ka kërkuar bashkëpunim, të cilin nuk e ka gjetur. Në një prononcim ekskluziv për “Panorama Sport”, Jazaj thekson se kërkoi fondin prej 180 milion lekë, pasi pronare e Orikut është Bashkia e Vlorës, ndryshe nga Flamurtari.

oriku

“Unë i kam kërkuar bashkëpunim Flamurtarit dhe në veçanti administratorit Sinan Idrizi. E kam kërkuar disa herë, madje edhe jemi ulur, por nuk e kam marrë. Një gjë duhet ta bëjmë qartë. Klubi i Futbollit ‘Oriku’ është 100% pronë e Bashkisë së Vlorës, ndryshe nga Flamurtari. Njerëzit duhet të kuptojnë statusin ligjor të Orikut dhe jo të shprehen, e ka marrë apo e ka lënë.

Unë si administrator kam kërkuar disa herë që Bashkia Vlorë dhe Këshilli Bashkiak të shprehet sipas ligjit. Institucioni vendor ose duhet ta nxjerrë në shitje dhe ta privatizojë, ose të investojë vetë. Deri tani nuk është bërë asgjë. Ndryshon çështja me Flamurtarin. Flamurtarin e ka marrë në administrim Sinan Idrizi. Duhet të themi disa gjëra që me sa duket as këshilltarët e Këshillit të Bashkisë së Vlorës nuk i dinë. Unë jam i interesuar, që bashkia ose ta privatizojë ose ta shpërbëjë klubin. Të bëjë çfarë të dojë. Njerëzit flasin në mënyrë të papërgjegjshme. Unë si qytetar i kësaj krahine, dua që të bëj një gjë të mirë për Orikun dhe të kënaq tifozët dhe bashkëqytetarët e mi. Unë kam hedhur djersën time bashkë me disa biznesmenë të tjerë dhe miqtë e mi”, tha fillimisht Jazaj.

QËNDRIMI – Administratori i Orikut pohon se është i gatshëm të blejë aksionet e klubit bashkë me disa miq të tij, por deri më tani nuk ka asnjë procedurë nga institucionet. “Bashkia ka ndërprerë financimin me klubin e Orikut që nga viti 2021. Kemi zero lekë nga bashkia për sportin në Orikum. Bashkia ose ta japë ose ta mbajë, apo edhe ta shesë. Unë këtë gjë nuk po e kuptoj fare. Nuk e di çfarë po ndodh. Jo vetëm unë, por edhe miqtë e mi kanë qenë të interesuar edhe për ta privatizuar klubin, në bazë të ligjit për sportin.

Unë dhe miqtë e mi, duam që të mbajmë gjallë zonën ku kemi lindur dhe do të vdesim. Por nuk jemi të qartë çfarë do të bëjnë bashkia dhe këshilli bashkiak. Unë them se duhet që të nisin procedurat. Nëse do bashkia të mbajë një pjesë të aksioneve dhe pjesën tjetër të na e japë ne biznesmenëve, por e përsëris, gjithmonë sipas ligjit”, shprehet administratori.

KËRCËNIMI – Muharrem Jazaj kërcënon, se nëse Këshilli i Bashkisë së Vlorës nuk miraton fondin prej 180 milionë lekësh, do të largohet nga drejtimin i klubit. “180 milionë lekët që kemi kërkuar nga bashkia do t’i përdorim për nevojat që ka ekipi. Janë 30 veta në staf, 25 lojtarë, 5 trajnerë, drejtorë. Duhen paguar dietat, udhëtimet, autobusi, mensa, shtëpitë me qira, gjithçka. Ekipi mbahet me lekë. Bashkia nuk është shprehur ende ligjërisht. Nuk është dëshira ime.

Unë nuk kërkoj asgjë më shumë se zbatimin e ligjit. Nëse nuk miratohet fondi që kam kërkuar nga bashkia edhe mund ta lë klubin, ta braktis. Unë harxhoj lekë dhe lodh trutë e mia, pse duhet ta vazhdoj këtë gjë kur nuk shikoj dashamirësi as nga institucionet. Megjithatë, deri në fund të këtij sezoni nuk e prish ekipin, pasi dua që Oriku të mbijetojë në Kategorinë e Parë. Më pas nuk e di çfarë mund të ndodhë”, përfundon Jazaj.

ERMAL SIKA – PANORAMASPORT.AL

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"