EKSKLUZIVE/ Ndëshkoi gjeorgjianët 17 vite më parë, rrëfehet Mahir Halili: Ja si kalojnë… (E PLOTË)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 11, 2020 | 21:39

EKSKLUZIVE/ Ndëshkoi gjeorgjianët 17 vite më parë, rrëfehet Mahir Halili: Ja si kalojnë… (E PLOTË)

Mahir Halili është një nga ata që ka lënë gjurmë tek ekipi bardheblu. Ka golin më të shpejtë në derbi për Tiranën, por edhe shumë rrjeta të tjera të rënda. Në një intervistë për “Panorama Sport”, Halili kthehet të flasë për ndeshjen e famshme mes Tiranës dhe Dinamos së Tbilisit. Halili ka shënuar golin e tretë që çoi sfidën në shtesë dhe hapi rrugën e kualifikimit. Mahiri rrëfen që goli u gatua nga një pas i Mukës, si dhe zbulon se ajo rrjetë ka pasur edhe një të papritur në stadium…
mahir-halili-470x264

E mbani mend golin që shënuat kundër Dinamos së Tbilisit 17 vite më parë?Një gol që e çoi ndeshjen në shtesë?

Është e vërtetë. Trajner ka qenë Sulejman Mema. Kam shënuar golin që çuam ndeshjen në shtesë dhe unë nuk kisha më shumë se 10 minuta që isha në fushë. Po luftonim në maksimum që të arrinim të barazonim ndeshjen. Qe fat që u futa dhe arrita të shënoja. Gjithçka nisi me një pasim të Devi Mukës, unë isha te shtylla e dytë e portës. Devi më futi topin, unë me kokë ia përplasa topin portierit te këmbët dhe sfera preku tokën dhe në rrjetë. Deshi Zoti që e çuam ndeshjen në shtesë. Më pas me penallti u kualifikuam. Mbaj mend që ka qenë një ndeshje shumë e bukur, ndoshta nga më të mirat tona.
unnamed

Si ndodhi që e humbët ndeshjen e parë 0-3?

Ajo ndeshje shkoi si shkoi. E vlerësuam shumë takimin e dytë, sepse sfidën e parë e kishim humbur thellë. U angazhuam në maksimum që të kualifikoheshim. Hyzmetin ia bëmë deri në fund. Deshi Zoti na e shpërbleu me kalimin e turit.

E besonit që mund të kualifikoheshit pas një 0-3?

Besoj se të gjithë mendonin që ju ishit eliminuar? Ishte një situatë ku thamë të gjithë. Le të bëjmë tonën për ta kaluar turin. Nëse ia dalim, shumë mirë, në të kundërt, çfarë të bëjmë? Kjo ishte ideja jonë, sepse një rezultat 3-0 është shumë i vështirë për t’u kthyer. Ama me atë forcën tonë, ne ia dolëm që ta përmbysnim takimin. Këtë gjë ne e kemi vërtetuar jo një herë, por disa herë në kampionatin shqiptar dhe Europë në një apo shumë ndeshje.

Po përse kaq shumë ndryshoi skuadra nga një sfidë në tjetrën?

Të jem i drejtë. Dinamoja e Tbilisit erdhi pak lehtë. Ndoshta e kishte menduar të lehtë kualifikimin pas fitores në ndeshjen e parë 3-0. Kishte ardhur pa motivim. E çuditshme, sepse kishin një ekip të fortë. Erdhën për qejf. Thjesht e kishin si bezdi ndeshjen, sepse mendonin për turin tjetër, ndërkohë që nuk u shkonte mendja se këtu i priste ferri, bie fjala.

Çfarë duhet të bëjë Tirana që të kualifikohet dhe të mos provojë 3-0 e ndeshjes së parë të skuadrës tuaj?

Të kenë si fillim besim te vetja që do të kualifikohen. Duhet të luajnë të organizuar, të mos lënë hapësira që të luajë kundërshtari. Trajneri i di më mirë këto gjëra. Të japim maksimumin dhe sigurisht do ta kalojnë ndeshjen me sukses. Duhet të hyjnë në ndeshje me idenë që do të fitojnë, nuk ka ekip që të të mundë. Që nga portieri e në sulm duhet të mbrojnë dhe t’i kapin në kundërsulm. Me pak zgjuarsi le t’i ftojnë në lojë, ta tërheqin kundërshtarin dhe meqë ata janë në fushën e tyre, ndoshta do të jenë më përpara në lojë. Nëse shënon gol, është më e lehtë. Ama si ajo skuadër që keni qenë ju, ndoshta nuk do të ketë të dytë. Nuk do të thotë fare gjë. Secila epokë ka lojtarët e vet. Tirana tani ka lojtarë shumë të mirë që bëjnë diferencën. Duhet të besojnë. Dhe pastaj ashtu siç thotë edhe Egboja. Zoti është i madh dhe ai vendos.

Mbani mend ndonjë detaj të veçantë nga ajo ndeshje?

Ka një detaj të veçantë ajo ndeshje. Kur kam shënuar unë golin e tretë, një tifoz i Tiranës ka rënë nga tribuna e “Qemal Stafës”. Ra në tokë dhe u dëmtua. Më erdhi shumë keq, por ndodhi nga gëzimi. Ishte një shok i ngushtë i Fortuzit. Kur e takova pas disa ditësh, më tha: “U çmenda në atë moment. E pranova me qejf që të bija, vetëm që të fitonit dhe kualifikoheshit”. Më ka mbetur në mendje dhe nuk e harroj.

Çfarë duhet të bëjë Tirana që të fitojë sërish titullin?

Të bëjë atë që bëri edhe këtë vit. Të vazhdojë me të njëjtin ritëm. Të mos lëshojë pe dhe të mundohet që të mbajë lojtarët e mirë sa më tepër. Nuk duhet që lojtarët e mirë të largohen nga ekipi.

OLSI AVDIAJ – PANORAMASPORT.AL

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"