EKSKLUZIVE/ “Kam ardhur për trofe tek Egnatia”, Montenegro: Ndeshje e fortë me Tiranën, ja kujt ia dedikoj golat

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 7, 2024 | 11:01

EKSKLUZIVE/ “Kam ardhur për trofe tek Egnatia”, Montenegro: Ndeshje e fortë me Tiranën, ja kujt ia dedikoj golat

Egnatia u rikthye të bëjë Egnatian në Kupë duke mposhtur Laçin me rezultatin 3-1, duke siguruar një biletë për në gjysmëfinale të këtij kompeticioni.

428694565_381159178035382_6183317398006485687_n

Protagonist absolut për skuadrën rrogozhinase rezultoi sulmuesi Jurguens Montenegro, i cili realizoi një dopietë. Futbollisti nga Kosta Rika, në një prononcim ekskluziv për “Panorama Sport”, u shpreh i lumtur që u rikthye te goli, pasi nuk shënonte prej gjashtë takimesh. Montenegro shtoi se ka ardhur tek Egnatia që me golat e tij t’i dhurojë trofe bardhejeshilëve.

Shënuat 2 gola duke ndihmuar Egnatian të kualifikohet, si ndiheni?

E shijova në maksimum përballjen në Kupë kundër Laçit, i cili në kampionat na hapi jo pak punë. Golat më frymëzojnë, pasi për një sulmues kanë vlerë të jashtëzakonshme. Ajo që më entuziazmon më tepër është fakti që u kualifikuam duke zhvilluar një ndeshje pozitive. Golat erdhën në një moment delikat, pasi kisha 6 ndeshje pa shënuar dhe në çdo sfidë synoja të zhbllokohesha. Dua të falënderoj të gjithë shokët e skuadrës, në veçanti Aleksin dhe Ibrahimoglu, të cilët me asistet e tyre ma bënë të thjeshtë për të shkuar te goli. Punuam shumë në çdo seancë stërvitore me profesor Tetovën dhe ia dolëm të kalojmë më tej.

E prisnit kaq të lehtë kundër Laçit?

Nuk ishte aspak e lehtë, pasi na u desh të sakrifikojmë shumë për të siguruar kualifikimin. Laçi është skuadër agresive, që prodhon lojë dhe di të mbrohet mjaft mirë. Ne ishim të qartë në detyrat që na kishte dhënë trajneri duke prodhuar një pjesë të parë perfekte, ku arritëm të shënojmë dy gola. Më pas e patën disi më të lehtë, pasi në favorin tonë ishte edhe avantazhi i takimit të parë. Kurbinasit e kishin prioritet Kupën, ndaj dhanë gjithçka kishin për të bërë mirë, por Egnatia tregoi se dëshiron t’i shkojë deri në fund këtij kompeticioni, pasi jemi fituesit në fuqi.

Kujt ia dedikuat golin e parë, pasi festa ishte e veçantë?

Dedikimi i golit të parë ishte për vajzën time, e cila mbushi pak ditë më parë 1-vjetorin. Ajo është motivi për të cilën jetoj ndaj i dedikoj gjithçka që arrij të bëj. Ajo bashkë me pjesën tjetër të familjes jeton në Kosta Rika dhe gjatë kësaj periudhe më ka munguar shumë. Kam mall për të, pasi në çdo moment përpara syve më shfaqet imazhi i saj engjëllor. Do të doja shumë që festa të ishte para syve të tifozëve, por fusha jonë është e dënuar. E ndava gëzimin me të gjithë skuadrën, që më kanë ndihmuar shumë gjatë kësaj periudhe, ku gjithçka është realitet i ri për mua.

Sa i vlefshëm është ky kualifikim, ku përpara keni sfidën me Tiranën?

Mendoj që kualifikimi në Kupë na jep qetësi për ta përgatitur pa trysni ndeshjen me Tiranën në fundjavë. Ne po stërvitemi mirë dhe do të synojmë të jemi gati për këtë transfertë delikate kundër një skuadre me traditë në futbollin shqiptar. Siç bëjmë në çdo takim, edhe me Tiranën do të synojmë të marrim maksimumin për të qenë komod për pjesën e mbetur të sezonit. Bardheblutë janë një ekip, që ashtu si ne, ka nevojë për pike kështu që do të jetë një duel shumë i luftuar. Ne do të luftojmë deri në fund për të mbrojtur kreun, pasi kualitetet i kemi. Na presin edhe 10 ndeshje përcaktuese, ku na duhet të dëshmojmë se jemi këtu me objektiva të qarta.

Si ka shkuar përshtatja në aspektin profesional dhe atë jetësor?

Më besoni se çdo ditë mësoj diçka të re, si në jetën profesionale, ashtu edhe në atë personale. Pavarësisht vështirësive, pasi unë prej 2 muajsh jetoj në një realitet të ri dhe më duhet të mësoj shumëçka këtu, janë njerëzit që më rrethojnë ata që ma kanë bërë të lehtë. Dua t’i falënderoj të gjithë për mundin dhe suportin që më japin çdo ditë të gjithë njerëzit që punojnë në këtë klub. Edhe tifozët janë shumë miqësorë, unë harxhoj shpesh kohën e lirë me ta dhe ndihem vërtet mirë. Më pëlqen fakti që teksa bisedoj me gjithkënd, kanë shumë besim dhe pritshmëri te mua.

A keni një objektiv sa i takon numrit të golave që synoni të shënoni me Egnatian?

Kam ardhur këtu për të shënuar dhe fituar trofe, pasi objektivat e Egnatias janë të qarta. Dua të respektoj sa mundem besimin e klubit dhe të gjithë bashkë do të tentojmë të realizojmë ëndrrat tona. Këta tifozë dhe ky qytet meriton të festojë në fund të sezonit dhe unë do bëj gjithçka për t’i lumturuar ata. Do të isha njeriu më i lumtur në botë nëse fitonim titullin dhe unë të mos shënoja asnjë gol. Sikurse nuk do të më shijonin aspak që të realizoja dhe në fund të mos merrnim trofe. Për mua primare janë objektivat e klubit, më pas numri i golave të mi.

ISA HALILI-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"