EKSKLUZIVE/ Ish-donatori i Tiranës, Lul Morina: Do blej aksionet e bashkisë, ja plani për ringritjen

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 9, 2019 | 23:50


EKSKLUZIVE/ Ish-donatori i Tiranës, Lul Morina: Do blej aksionet e bashkisë, ja plani për ringritjen

Julian Morina është gati të blejë aksionet e Tiranës në pronësi të bashkisë së kryeqytetit. Është vetë biznesmeni i njohur shqiptar, i cili zbulon ekskluzivisht për “Panorama Sport” qëllimin e tij për të blerë një pjesë të klubit bardheblu, që prej kohësh lëngon nga ana financiare.

LUL MORINA

Ish-donatori dhe njëri nga njerëzit, i cili shpëtoi Tiranën në vitin e zi 2013- 2014, kur ekipin e drejtonte trajneri Gugash Magani, ka vendosur që të kthehet në klubin bardheblu, për të cilin ka shpenzuar jo pak kohë, energji dhe para. Edhe pse ka qëndruar në hije për më shumë se katër vite, duket se Morina dhe Tirana nuk rrinë dot larg. Biznesmeni shumë shpejt do të kërkojë të marrë kontrollin e aksioneve të bashkisë, duke qenë aksioneri i dytë privat në ekip. Vetë Morina e pranon se shumë shpejt dëshirën e tij do ta konkretizojë me një kërkesë.

“Është shumë e vërtetë që shumë shpejt do të bëj një ofertë për aksionet e Tiranës. E përsëris, kam dëshirë dhe do të bëj një ofertë për blerjen e 34 për qind të pjesës së mbetur të aksioneve të KF Tiranës që zotëron bashkia”, është shprehur në fillim Morina.

Lul-Morina-2

Donatori pranoi se askush nuk mund të mbijetojë i vetëm në botën e futbollit dhe askush nuk mund të shpallë i vetëm kampion një skuadër si Tirana. Sipas tij, tani ka ardhur koha e bashkimeve dhe fuqisë të disa njerëzve për të bërë gjëra të mëdha, jo vetëm në biznes, por edhe në futboll.

“Jam i bindur se ekipi i Tiranës, por edhe çdo ekip i njohur nuk mundet të mbijetojë në nivele shumë të larta nëse nuk ka disa aksionerë. Një njeri i vetëm nuk mund ta nxjerrë kampion apo ta çojë klubin atje ku e meriton emri i ekipit të Tiranës”, shpjegoi Julian Morina. Ky i fundit më pas premtoi se me hyrjen e tij në shoqërinë aksionere, në ekip gjërat do të ndryshojnë për mirë dhe Tirana do të ngjitet atje në majë ku e meriton emri i saj. “Besoj se me hyrjen e një investitori tjetër, gjërat kanë për të ndryshuar dhe Tirana do të përmirësohet si nga situata financiare dhe sportive”, vazhdoi Morina.

auto_236f9218-67e7-4e7a-b40d-1a3ad4fd365b1530471716

I prerë, i kthjellët për rrugën që po ndërmerr dhe me vizion të qartë për të ardhmen, Morina nuk u mor fare me të kaluarën, por pranoi se puna që e pret është e madhe. Morina zbuloi për “Panorama Sport” se do të përgjigjet për pjesën e tij të aksioneve dhe gjendjen në ekipin bardheblu, duke përfshirë edhe situatën e borxheve, por më shumë do të flasë pasi të ketë bilancet në duar.

“Me sa di unë, ekipi ka pasur dhe ka disa borxhe të mëparshme që ekzistonin që kur isha unë pjesë e Tiranës. Nuk kam një pasqyrë të qartë të situatës dhe borxheve. Fakti që dua të hyj në këtë klub dhe të marr aksionet e bashkisë ka përgjegjësi më vete. Këtë lëvizje e bëj për të ndërtuar diçka më të mirë, për të ngritur Tiranën atje ku e ka vendin”, ka mbyllur Julian Morina.

Ky i fundit është emri i parë që ka dalë në skenë për t’u afruar te bardheblutë, pas fjalëve të Refik Halilit se kërkon bashkëpunëtorë për të zhvilluar klubin bardheblu, i cili prej vitesh po lëngon në një situatë të rëndë financiare.

OLSI AVDIAJ