EKSKLUZIVE/ I dha “leksion” Vllaznisë së Brdariç, rrëfehet trajneri i Labërisë: E kemi futbollin në ADN, fitorja nuk ishte rastësi

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 24, 2021 | 13:35

EKSKLUZIVE/ I dha “leksion” Vllaznisë së Brdariç, rrëfehet trajneri i Labërisë: E kemi futbollin në ADN, fitorja nuk ishte rastësi

Arlind Rustemi krenohet me Labërinë. Mundi Vllaznisë e Tomas Brdariçit dhe kënaqësinë nuk e fsheh.

arlind rustemi

Në një intervistë të dhënë për “Panorama Sport”, trajneri zbulon se i kanë ardhur “SMS” pa fund pas fitores në Kupë dhe thekson se nuk futen kurrë në fushë si inferior. Nuk kishte si të mos fliste për objektivat, ndërsa qartazi e thotë që do të luftojnë për t’u ngjitur në Kategorinë e Parë.

Labëria është një klub trevjeçar, a është ky rezultat historik?

Pavarësisht entuziazmit të treguar dhe opinionit të krijuar për një arritje historike nga një klub që ka lindur 3 vite me parë, dua t’u kujtoj të gjithëve që jemi skuadër e ndërtuar me djem nga Vlora që e kanë në ADN futbollin. Duhet theksuar kjo, pasi ndihemi pak të nënvlerësuar në këtë aspekt.

I shkaktuat humbje trajnerit të sezonit të fundit, çfarë ndjesie është të mundësh Tomas Brdariç?

Të them të drejtën, është thjesht fryt i punës që ne bëjmë. Çdo ditë e më shumë jam i lumturuar për arritjen e djemve, sepse ata janë protagonistët e vërtetë dhe kjo fitore u takon atyre.

Çfarë ju thanë pas ndeshjes?

Kemi marrë komplimente për këtë rezultatet, por ju siguroj që nuk ka qenë rastësi, sepse ishim përgatitur gjithë javën për të zhvilluar një lojë të barabartë, edhe pse me një kundërshtar superior.

A morët premio pas kësaj fitoreje?

Nuk është e rëndësishme kjo pjesë. Synimi kryesor për këta djem është rritja e lojtarëve në aspektin e cilësive psikofizike dhe tekniko-taktike.

Keni një synim në Kupën e Shqipërisë?

E thashë: formimi i një grupi cilësor dhe me mentalitet fituesi. Në çdo ndeshje nuk duhet të futemi kurrë si inferiorë.

Si e shihni garën në Kategorinë e Dytë, besoni te ngjitja?

Kampionati është shumë i gjatë dhe i vështirë. Terrenet nuk na lejojnë të nxjerrim në pah aftësitë tona më të mira. Gjithsesi, çdo javë do luajmë për të fituar. Futbollistët e kanë të qartë për çfarë po luajmë këtë sezon.

ERMAL SIKA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"