EKSKLUZIVE/ Egnatia bën goditjen e bujshme në merkato, rrogozhinasit arrijnë akordin me sulmuesin që ka luajtur në La Liga (VIDEO)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 7, 2022 | 22:40

EKSKLUZIVE/ Egnatia bën goditjen e bujshme në merkato, rrogozhinasit arrijnë akordin me sulmuesin që ka luajtur në La Liga (VIDEO)

Egnatia bën një goditje të madhe për sulmin pa u hapur ende zyrtarisht merkatoja e janarit.

RAFAEL DUAMENA 1

“Panorama Sport” zbulon ekskluzivisht nga burime të sigurta në klubin rrogozhinas, se është arritur marrëveshja me 27-vjeçarin ganez, Rafael Duamena.

Bëhet fjalë për një qendërsulmues tipik, i cili është i afirmuar në futbollin europian prej kohësh, pasi jo më larg se katër vite më parë, ka qenë pjesë e klubit të njohur spanjoll, Levante, duke luajtur 12 ndeshje në La Liga me fanellën e kësaj skuadre.

Aventura e tij në elitën spanjolle zgjati vetëm një sezon, por pa mundur të shënojë dot gol, ndërsa u bë protagonist vetëm me një asist.

Më pas u transferua te një tjetër klub i njohur, si Real Saragoza, duke u aktivizuar në nëntë ndeshje dhe shënuar dy herë në Ligën e Dytë spanjolle.

Duamena vjen me një CV shumë të pasur, pasi ka shkëlqyer më parë në Superligën zvicerane dhe gjithashtu në Austri.

Me Zyrihun ai ka luajtur në vitet 2017- 2018, ku në 50 ndeshje, arriti të shënojë 21 gola, duke qenë sulmuesi kryesor i klubit të madh helvet.

Përpara se të bënte mirë në Zvicër, “bumi” i ganezit ishte me Lustenaun në Austri, ku pati statistika mbresëlënëse, teksa shënoi 18 gola në 20 ndeshje.

Afrimi i tij mund të quhet padyshim një goditje e madhe për sulmin e Egnatias, pavarësisht se në dy sezonet e fundit karriera e ganezit ka ardhur në rënie.

Nga viti 2020 e deri më tani, Duamena është aktivizuar me Vejlen në Superligën e Danimarkës, më pas me Blau Linz në Ligën e Dytë austriake dhe në katër muajt e fundit me BSC Old Bojs në Zvicër.

Goli i tij i fundit në një nivel të rëndësishëm në Europë është pikërisht kundër Kopenhagenit në fundin e vitit 2020, ku ndihmoi Veljen në barazimin 2-2.

Në këtë takim kanë qenë në fushë për ekipin danez, edhe lojtarët e Kombëtares shqiptare, Ylber Ramadani dhe Arbnor Muçolli. Pritet që Duamena të jetë gati për trajnerin Shpëtim Duro në muajin janar, duke forcuar shumë sulmin.

RAFAEL DUAMENA 2 (1)

SITUATA – Ilir Camaj, Dzon Delarxh, Klaudivan Bambam dhe tashmë Rafael Daumena.

Katër sulmues kryesorë për Duron tek Egnatia, me trajnerin që tashmë do të ketë luksin e përzgjedhjes për të shkuar drejt arritjes së objektivit madhor që rrogozhinasit kanë këtë sezon.

Klubi kërkon që të kap zonën europiane, pasi edhe investimet kanë qenë shumë të mëdha.

Deri më tani skuadra ka pasur një ecuri të mirë, pasi në 12 javë kampionat e shikon veten në vendin e pestë me 18 pikë të grumbulluara.

Të hënën rrogozhinasit luajnë në transfertë kundër Vllaznisë.


PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"