EKSKLUZIVE/ E quajti lojtar pa b…, Kosova përgjigje Panuçit: Je i vogël, e kemi larë historinë me gjak

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 25, 2018 | 21:57

EKSKLUZIVE/ E quajti lojtar pa b…, Kosova përgjigje Panuçit: Je i vogël, e kemi larë historinë me gjak

Refuzimi i Shqipërisë nga Edon Zhegrova bëri që trajneri Panuçi të shpërthente në konferencën për shtyp gjatë së hënës në ambientet e FSHFsë, mirëpo, kjo deklaratë dhënë përpara mediave në transmetim direkt, është përcjellë me shqetësim në kampin e Federatës së Futbollit të Kosovës.

Eroll-Salihu

Në një intervistë ekskluzive për “Panorama Sport”, Sekretari i Përgjithshëm, Eroll Salihu, i tërheq vë- mendjen trajnerit kuqezi për të mos përsëritur të tillë rast, si dhe për t’i treguar që Kosova tashmë është realitet i ri, mbështetur edhe nga statuti dhe rregulloret e FIFA-s.

zhegrova

Trajneri i Kombëtares së Shqipërisë, Kristian Panuçi, iu drejtua në konferencë direkte përpara mediave Zhegrovës se “nuk ka b…”, pasi ka zgjedhur Kosovën. Si e komentoni këtë deklaratë publike?

Së pari, më duhet të them se ai është i ri për të kuptuar se si janë raportet e reja që janë krijuar. Ai nuk e di që futbolli në Kosovë është sipas rregulloreve të UEFA-s e FIFA-s. Madje, ne e kemi fituar me gjak këtë të drejtë për të qenë pjesë e këtyre organizmave, së bashku me FSHF-në, me të cilën kemi raporte të shkëlqyera. Në të shkuarën, lojtarët tanë, që kanë luajtur me Shqipërinë, kanë dhënë më të mirën dhe kanë pasur detyrimin moral dhe kombëtar. Tashmë, për asnjë lojtar të Kosovës nuk mund të pretendohet që do më shumë Shqipërinë sesa Kosovën. Tani është detyrim kombëtar. Kosova tashmë është një realitet i ri.

edon zhegrova

Shqipëria e ka rrugën e vet. Gjithashtu, zoti Panuçi duhet të kuptojë se lojtari ka lindur në Kosovë, çfarë lidhje ka me Kosovën, e për pasojë duhet të kontribuojë për Kosovën. Në aspektin e Kombëtares, nuk ka asnjë lidhje me Shqipërinë përpos faktit që të dyja kanë marrëdhënie shumë të mira. Sa i përket zgjedhjes së Kombëtares, ekipit me të cilin do të luajë, në bazë edhe të rregulloreve dhe statutit të FIFA-s nuk e lidh asgjë me Shqipërinë. Unë i sugjeroj Panuçit që të mos dalë nga kornizat dhe detyrat e veta që ka. I them edhe një herë që është shumë i ri për të kuptuar raportet që janë krijuar.

Po thoni që ka ardhur momenti për t’i thënë stop furnizimit të Kombëtares shqiptare nga lojtarët me origjinë nga Kosova?

Pikërisht! Ne nuk kemi dashur që të ndërhyjmë në procesin e zgjedhjeve që kishte për Federatën Shqiptare të Futbollit dhe nuk bëmë asnjë lëvizje gjatë asaj periudhe. Tashmë që përfunduan, do ta rregullojmë situatën me FSHF-në, në mënyrë që ajo të mos orientohet më në lojtarë që janë të Kosovës. Ose, minimumi, të ketë koordinim që të mos ndodhin situata si këto. Kjo, në mënyrë që të kemi raporte të shkëlqyeshme.

Zhegrova

Deklarata e trajnerit të Shqipërisë, si u ndiet kur e dëgjuat?

Unë e konsideroj thjesht që ai nuk e di dhe nuk e kupton se çfarë do të thotë shtet i Kosovës, ku prej 100 vjetësh kemi qenë të ndarë dhe nuk jemi futur kurrë në konflikt mes nesh. Kosova e ka pasur rrugën e vet edhe para se të lindte Panuçi apo të tjerët.

A do të ndërmerrni një lloj veprimi me FSHF-në?

Sigurisht, ne do të flasim fillimisht me Dukën dhe t’i themi që nuk mund të vazhdohet kështu. Në fakt, edhe shqiptarët nga Kosova kanë përfituar shumë nga Shqipëria, por ata nuk duhet të orientohen më nga ajo. Ose në rast se ka të tilla momente, të mirëkuptohemi dhe të mund të ndihmojmë njëra-tjetrën.

OLSI TUJANI

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"