EKSKLUZIVE/ Bufon dhe Mesi, goleadori Guri: Ju tregoj sekretet

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 16, 2018 | 23:04

EKSKLUZIVE/ Bufon dhe Mesi, goleadori Guri: Ju tregoj sekretet

Thonë se numrat nëntë në futbollin modern janë specie në zhdukje, por ata që e bëjnë këtë rol në fushën e lojës ndihen krenarë dhe kanë peshë të madhe mbi shpatullat e tyre. Ashtu si Sindrit Guri, i cili ndryshe nga sulmuesit klasikë, përveç instinktit “vrasës” përpara portës, ka edhe klas kur ka topin në këmbë. Ka shënuar 15 gola në Kategorinë Superiore dhe është golashënuesi i kampionatit. Me ata 3 ndaj Partizanit arriti të “kurorëzonte” një sezon të shkëlqyer. Në një intervistë për “Panorama Sport”, Guri rrëfen sekretet e tij.
guri
A ishte ndeshja kundër Partizanit më e mira e karrierës suaj?

Ishte një ndeshje shumë e vështirë, që ne e përgatitëm mirë gjatë gjithë javës. Trajneri dhe drejtuesit kërkonin që të ishim sa më të përqendruar dhe të vraponim shumë. Ia arritëm. Sa për mua, mendoj që ishte ndeshja më e mirë e imja në karrierë, pasi erdhi në kohën dhe momentin e duhur me ekipin e duhur, thjesht jam shumë i lumtur.

Topin e tripletës e morët në shtëpi, kujt ia dhuruat?

E mora në shtëpi sepse djali më kishte kërkuar një top dhe unë i bëra dhuratë topin e ndeshjes me të gjitha firmat e lojtareve dhe stafit të Kukësit, të cilin ai dhe unë do ta kemi si një kujtim të bukur. Keni premtuar 15 gola, të cilët i shënuat pa mbaruar kampionati.

Sa është shifra përfundimtare që do të arrini?

Më kanë vendosur një shifër prej 18 golash, po besoj se dhe atë do ta kaloj. 15 golat u ezauruan, tani kemi stimuj të rinj dhe shifra të reja. Gola pa fund dhe ndeshje të mira.

Çfarë duhet më për Kombëtaren?

Unë këtu jam, gjithmonë do bëj më të mirën për ekipin dhe do mundohem të shënoj sa më shumë. Për Kombëtaren jam gjithmonë gati, dëshira është e madhe, unë jam gati, të tjerat i mendojnë dhe i vendosin të tjerët. Unë jam besimplotë se drejtuesit e Kombëtares dinë të vlerësojnë dhe është çështje kohe thirrja ime në Kombëtare. Të paktën, unë kështu mendoj.

I ftohtë dhe i qartë para portës, kush janë sekretet tuaja?

Mendoj se konsolidimi si sulmues i mirëfilltë dhe fakti që nuk ndryshoj pozicion. Bisedat e vazhdueshme me trajnerin më kanë ndihmuar. Pakult është një trajner dhe njeri i madh, ndoshta e ndien ngaqë ai ka qenë një sulmues potencial në kohën e tij. Nuk dua të flas më për veten, por jam në gjendje të mirë fizike, çdo gjë që bëj, më vjen natyrshëm, jo i sforcuar. Nëse më parë do isha në rolin tim dhe do kisha kaq përgjegjësi sa kam sot, do isha akoma dhe më mirë.

Guri

Ku do donit të luanit jashtë Shqipërisë?

Dëshiroj që të luaj në një kampionat të mirë në Europë, nuk kam ndonjë preferencë të veçantë për vendin. Jam i sigurt që kudo që të luaj edhe jashtë, nëse do kem kohën dhe hapësirat e nevojshme në lojë, do të bëj mirë. Nuk dua të tregohem egoist, por besoj te vetja dhe nuk më mungon diçka që të jem inferior nga sulmuesit e tjerë që luajnë në kampionate të mira në Europë. Gjithsesi, gjithçka t’ia lëmë kohës, unë do tregoj se kush jam kudo që të luaj.

Presidenti Gjici ju ka përgëzuar, e ka thënë që nëse vjen një superofertë për Gurin e lëshoj. Sa mendoni që vlen?

Mendoj se për këtë pjesë duhet të bëjmë një bisedë të thellë me drejtuesit e klubit dhe me presidentin Gjici, e pastaj të dalim në të njëjtin konkluzion. Ky është mendimi im për këtë çështje. Shifra nuk ka nevojë, mjafton që të dy palët të jemi të kënaqur.

Tani nga mister “500 mijë euro” mund të bëhet mister “një milion euro”, e prisni një gjë të tillë?

Duhet të qëndroj me këmbë në tokë dhe të vazhdoj të bëj të tilla ndeshje, për pjesën e shifrave ka kush merret dhe unë nuk dua të merrem me atë pjesë. Jam i përqendruar vetëm në fushën e lojës, pasi unë e di mirë që sa shpejt ngrihesh, aq shpejt mund dhe të biesh, por unë ngaqë shikoj vetëm fushën e lojës, nuk më bëjnë përshtypje shifrat, ofertat, apo gjërat e tjera jashtë fushe, ndaj mendoj që jam konstant në punën time. Kërkoj të rritem sa ma shumë në fushë, jo jashtë saj, jashtë saj çdo gjë vjen natyrshëm nëse unë vazhdoj të eci me ritme të larta në fushë.

Kush është idhulli juaj në futboll?

Kam shumë lojtarë që më pëlqejnë, por sa herë luan Mesi ndiej një kënaqësi të dyfishtë dhe kam më shumë arsye të shoh ndeshje kur luan ai.

Kujt portier në botë ëndërroni t’i shënoni?

Si shumë sulmues në botë, do doja t’i shënoja Bufonit. Ai është thjesht një legjendë e gjallë.

Cili është ushqimi juaj i preferuar?

Ka shumë ushqime që i shijoj, por makaronat më pëlqejnë shumë dhe janë ushqimi im i parë.

Si e kalon kohën Guri jashtë sportit?

Jeta ime është krejt normale jashtë futbollit. Kohën, në përgjithësi, me bashkëshorten time dhe me djalin tim, por dal edhe me shokët e ekipit.. Dal fundjavave pas ndeshjeve, ndërsa gjatë javës qëndroj në shtëpi, mbaj regjim.

Cili është hobi juaj përveç futbollit?

Sportet në përgjithësi më pëlqejnë, jashtë tyre bota e televizionit më pëlqen, sidomos filmat. Sa herë kam kohë, shoh sa më shumë filma, sidomos serialet.

Nëse nuk do ishit futbollist, çfarë mendoni se do të ishit?

E mendoj shpesh dhe vetë këtë gjë, është një pjesë shumë e rëndësishme dhe një pyetje me shumë vend, por, të them të drejtën, akoma nuk kam arritur në ndonjë konkluzion. Me futbollin jetoj çdo ditë, nuk e imagjinoj një jetë pa të.

Ëndrra juaj që akoma se keni realizuar?

Njeriun ëndrrat e mbajnë dhe unë kam një ëndërr në këto momente, që të përfaqësoj Kombëtaren shqiptare.

skeda


A ka ndonjë gjë që ju bezdis apo ju shqetëson në Shqipëri, në sport apo jashtë tij, dhe do të donit të ndryshonte?

Asgjë, jam shumë komod si në sport, po ashtu dhe në jetën e përditshme. Mundohem të bëj një jetë sa më të rregullt me familjen dhe shoqërinë. Natyrisht që si shqiptar kërkoj që vendi të ishte sa më i zhvilluar dhe i civilizuar, sidomos infrastruktura në sport do doja që të ishte si në shtetet europiane, që çdo fëmijë të kishte sa më shumë mundësi të bënte sport dhe të kishte sa më shumë terrene sportive.

Kush është njeriu që ju ka futur në sport dhe ju i detyroheni?

Babai im ishte iniciatori që unë të nisja futbollin, e si çdo baba tjetër në Shkodër, mendimi i parë për fëmijën e tij është të behet futbollist. Babai im nuk jeton më dhe unë po mundohem ta bëj krenar, çdo gjë që do arrij, i dedikohet babait tim të ndjerë. Krenar për ty, babai im, që më ndjek nga lart!

Kush ka qenë trajneri juaj i parë dhe çfarë ju ka thënë, a ka besuar te ju?

Trajneri im i parë ka qenë profesor Taip Piraniqi, për të cilin kam një respekt të veçantë. Profesori më thoshte gjithmonë se ke cilësi të luash në ekipe jashtë Shqipërisë, ka besuar gjithmonë dhe vazhdon e beson akoma në cilësitë e mia. Jam munduar që si nxënës i tij t’ia shpërblej besimin.

Ju vini nga një qytet si Shkodra, që ka nxjerrë shumë talente dhe futbollin e ka në gjak, kë do veçonit si më të mirin?

Shkodra ka shumë lojtarë të mirë dhe në këto momente luajnë dhe me ekipe të mëdha. Nuk mund të veçoj një sepse ka shumë të tillë.

Ku dhe si e shikon veten Guri mbas 5 vitesh?

Dëshira është të jem në një kampionat elitar europian dhe të jem gjithmonë unë, ai i cili, e mban peshën e sulmit, më pëlqen shumë kur kam përgjegjësi. Jam mësuar të kem përgjegjësi dhe jashtë futbollit. Këtë pyetje të kësaj interviste unë do ta ruaj dhe pas 5 vitesh do bëj bilancin, që shpresoj shumë se do t’ia dal për ato çka unë kam në mendje (qesh).

SKERDILAID SULOZEQI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"