EKSKLUZIVE/ “Bomba” e Agustin Kolës: Dhuna në stadiume, e orkestuar nga presidentët (E PLOTË)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 22, 2018 | 23:28

EKSKLUZIVE/ “Bomba” e Agustin Kolës: Dhuna në stadiume, e orkestuar nga presidentët (E PLOTË)

“Futbollisti flet në fushë me këmbë dhe jo me lloqe nëpër gazeta”. Kjo duhet të shërbente si frymëzimi dhe si filozofia e secilit lojtar profesionist aq më tepër, kur një mendësi e tillë thuhet nga një ish-legjendë e futbollit shqiptar. Agustin Kola, në një intervistë ekskluzive për “Panorama Sport”, ndalet jo pak te paraqitja e lojtarëve nga sa kanë treguar në javën e parë të Superiores.

Ish-sulmuesi i Tiranës së artë dhe Kombëtares e vë theksin te puna e pakët në seancat stërvitore të futbollistëve, që sipas tij nuk mjafton për të pasur përgatitjen ideale për të përballur si duhet një ndeshje futbolli. Kola ka një mesazh edhe për tifozët e pranishëm në stadiume, ndërkohë që “gjen një fajtor” edhe për dhunën e tifozërive në shkallët e stadiumeve. Në lidhje me titullin, ai i rendit Skënderbeun dhe Kukësin përkrah njëri-tjetrit në krye, ndërkohë që sipas tij, Tirana duhet të kalojë pa problem transfertat në rast se kërkon kreun.

Agustin Kola

 

Keni qenë në stadium për të parë Tirana-Kamza. Si ju duk rikthimi i bardhebluve në Superiore?

U zhgënjeva shumë nga ofendimet e tepërta. Nuk më pëlqejnë aspak të sharat në shkallët e stadiumit, sidomos kur janë në kor.

Po në kohën tuaj, nuk kishte “bezdisje” nga tifozëritë?

Të them të drejtën, më ka ndodhur që të më shajë edhe vëllai në stadium, por në kor nuk bëhej fjalë. Kjo është gjëja e parë që duhet eliminuar. Megjithatë, kishte diçka të mirë këtë ndeshje të Tiranës që ishte stadiumi plot dhe kjo gjë më kënaq, sepse çdo ditë e më shumë, futbolli shqiptar po shkon keq e më keq.

Në ç’kuptim?

Po ju bëj një krahasim. Juventusi, Reali dhe Barcelona, pavarësisht ndeshjeve si luajtën, e fituan të parën. Kjo, sepse janë ekipe që duan të shkëputen dhe të fitojnë. Siç ndodh edhe në garën e 100 metrave, cili shkëputet në 30 metrat e para, ai triumfon.

Por, në vendin tonë nuk e pashë nga asnjë ekip këtë gjë. Nuk pashë asnjë futbollist të bëjë diferencën dhe asnjë skuadër që të shkëlqejë për të treguar muskujt. Jo më kot them që nuk ka futboll me dy orë stërvitje. Çfarë mund të bëjë një trajner me dy orë stërvitje në ditë, kur jo më pak se një orë këto lloj lojtarësh kanë nevojë që t’ju flasësh.

I referoheni Tiranës?

Jo, absolutisht. E kam për të gjithë skuadrat në tërësi. I pashë të pesta ndeshjet e javës së parë dhe them që lojtarët nuk kanë përgatitje. Futbollisti flet në fushë me këmbë, jo me lloqe nëpër media e rrjetet sociale që kanë dalë sot. Me të drejtë, për kohën e sotme, të gjithë lojtarët ngrenë zërin kur është puna e kontratave për të kërkuar paratë e tyre. Ama duhet të fitojnë në fushë. Duhet të kenë sedër dhe pasi të fitojnë ndeshjen, të bëjnë gjithçka në fushë për t’ua dalë, atëherë kanë të drejtë të ankohen te presidentët për lekët dhe kushtet. Këto futbollistët e sotëm, duhet të paguajnë lekë që të aktivizohen jo më të marrin para.

Po zbeh futbollin shqiptar dhe po ju jep të drejtë trajnerëve të huaj të Kombëtares që e kthejnë pak kokën nga produkti vendës…

Po e përsëris, nuk ka mjaftueshëm elementë cilësorë. Më thoni, pse ndodh që shumica e lojtarëve shqiptarë që ikin jashtë vendit nuk rrinë gjatë andej dhe kthehen sërish këtu?! Gjithçka ka të bëjë me sistemin që është në vendin tonë. Nuk ka futboll për sa kohë nuk është gjithçka e privatizuar. Kur të jetë gjithçka në dorë të privatit, atëherë do të ketë edhe investime në futboll, do të ketë edhe kërkesë llogarie maksimale nga presidentët, do të ketë edhe produkt më cilësor.

Meqë keni qenë në stadium, ju paska lënë shije të keqe Tirana-Kamza…

Nuk mund të them shije të keqe, duke hequr pjesën e mësipërme që përmenda. Sa i përket Tiranës, meqë më pyesni për Tirana-Kamza, loja m’u duk deri diku e barabartë dhe goli i Kamzës ishte si të thuash aksidental. Nuk ka ndonjë gjë për alarm. Megjithatë, Ze Maria duhet të kuptojë që Tirana nuk luan dot si Barcelona (referuar tiki-takas). Ai duhet të përshtatet disi edhe me filozofinë e klubit se Tirona ka qenë gjithmonë e tillë që të mbyste në sulm, mirëpo në fushë pashë një ekip me gjysmë sulmuesi.

Trajneri është ankuar se nuk ka sulmues pykë dhe është në kërkim, meqenëse edhe Ngoo është i dëmtuar dhe kthehet pas disa javësh…

Jam dakord me kërkesat, por trajneri duhet të përshtatet për momentin me ato që ka. Nuk mund të bëjë Tirona lojën që bënte dikur Dinamo apo për këdo që nuk e di, përmenda Barcelonën e ditëve të sotme. E përsëris, Tirana duhet të dominojë me sulm, me lojtarë të fuqishëm dhe me një manovër të fortë sulmuese. E kam edhe për lojtarët e tjerë të ekipit, ata që kanë eksperiencë. Të mos shohin vetëm rolin, por të ndihmojnë. Nëse kanë fuqi, të bëjnë edhe detyrën mbrojtëse, por duhet patjetër të ndihmojnë edhe sulmin kur ekipi është përpara.

agustin kola

Prandaj kritikova në fillim përgatitjen. Edhe mua më kërkohej që të bëja sulmin, por s’e kisha problem që të bëja edhe ndonjë detyrë mbrojtëse dhe të dilja menjëherë në sulm. Ky është futbolli dhe mbi të gjitha, lojtarët me eksperiencë kanë përgjegjësi. Për mua, mbrojtja më e mirë është sulmi dhe Tirana si armën kryesore ka pasur grupin dhe sulmin.

Për të folur në rrafsh më të përgjithshëm edhe për startin e skuadrave të tjera…

Ishte fillimi më i shëmtuar i kampionatit nga sa mbaj mend unë në futboll. Nuk kam parë askund, as në rrethe miqësore por as në media, që të flitet për shkëlqimin e një futbollisti apo një ekipi. Nuk kam parë asnjë që të sjellë diçka të veçantë në lojë apo që të bëjë diferencën. Po i kthehem asaj që thashë më lart. Cili kërkon që të fitojë titullin, fiton në fillim dhe nis shkëputjen.

Në këtë logjikë, e bëri Skënderbeu diçka të tillë. Do të jetë për titull sipas jush?

Po, për mua Skënderbeu do të jetë në krye këtë vit. Është një ekip që e ka brumin e duhur e për më tepër, nuk më duket se ekipet e tjera janë forcuar ndjeshëm për ta rivalizuar.

Sipas jush, cilat ekipe do të jenë në garë për titullin deri në fund?

Skënderbeu dhe Kukësi.

Po ekipet kryeqytetase?

Tirana nuk m’u duk keq. Besoj që edhe Tirana do të jenë në krye në rast se arrin që të kalojë me sukses transfertat. Kam besim që në kryeqytet mund t’ia dalë edhe përballë rivaleve, ndaj nëse ia del edhe jashtë, do të jetë në krye. Sa i përket Partizanit, nuk më duket se është forcuar së tepërmi që të dominojë në luftën për titull. Me sa kam parë, e kam vënë re që ka bërë më shumë shou nëpër media sesa kam parë të jetë i fortë në fushë.

Agustin-Kola

Në këtë fillimsezoni, dominojnë trajnerët shqiptarë në krahasim me të huajt…

Po kaq trajnerë ka në Shqipëri. E keni parë që një trajner del kampion në Korçë e më pas bie nga kategoria me Tiranën. Një tjetër del kampion në Kukës e më pas rrëzohet me Vllazninë. Nuk ke çfarë të thuash se kaq kanë mbetur në vendin tonë. Puna e trajnerit është e tillë sa edhe ‘Vër llapën’ ta dërgosh te Barcelona, do të dalë kampion. Më kuptoni shprehjen, pasi unë kam respekt për këtë që po përmend, por e tillë është situata.

Nisi një sezon pa polici në stadiume dhe në Korçë pati konfrontim tifozësh. Si e patë atë që ndodhi?

Shpesh i lidh gjërat në futboll, me çfarë kam bërë vetë kur kam qenë futbollist. Në kohën time, unë e dija se kush ishin pesë apo gjashtë problematikët që do të bënin diçka. Para ndeshjeve, i takoja dhe flisja me ta. Madje, hera-herës i kërcënoja se nëse bënin diçka, do ju ngjitesha edhe në tribunë dhe t’u tregoja vendin. E tillë ishte koha. Por sot, më duket se presidentët dhe klubet e bëjnë me kast.

Çfarë qëllimi kanë që të dëmtojnë imazhin dhe vetveten?

Sepse nuk po luhet futboll. Duan vetë që të ketë çështje tifozësh, sepse fusha është harruar. Në rast se në fushë ka lojë, emocione dhe spektakël, edhe tifozi s’e ka mendjen të kthejë kokën te tifozëria rivale sepse është i përqendruar tek ekipi i vet. Mirëpo nuk ndodh kështu, sepse s’ka futboll dhe të gjithë merren me tifozët. Bënë këtë… Ikën atje.. U zunë në x vend… Këto kanë marrë vëmendjen e futbollit. Po të duan presidentët që të zbehet tribuna, mund të flasin dhe komunikojnë me tifozëritë për të mos marrë ata vëmendjen për çështje negative.

OLSI TUJANI

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"